Teksa fushata për dhënien e koncesioneve me partneritet publik- privat është drejt kulmit, institucionet shtetërore të auditit kanë gjetur plot probleme me kosto për qytetarët ne koncesionet aktuale.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ne një inspektim për përformancën e liberalizimit te tregut në ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve (nëpërmjet koncesionit SGS) i kërkoi Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës të marrë në konsideratë një alternativë ligjore për ta liberalizuar tregun e kontrollit fizik të automjeteve pas përfundimit të kontratës aktuale me koncesionarin.
KLSH ka vërejtur se Autoritetit Kontraktor nuk ka ushtruar mbikëqyrjen e vazhdueshme të zbatimit të kontratës dhe gjithashtu nuk janë kryer procese të nevojshme të koordinimit të veprimtarive nëpërmjet Autoritetit Kontraktor dhe Koncesionarit.
Nga analizimi i të dhënave vihet re se vetëm për vitin 2014, rezulton se janë rreth 140 000 mjete ose 30 % e totalit, nuk kryejnë procedurat e kontrollit teknik të mjetit dhe për pasojë buxhetit të shtetit i mungojnë 2 847 600 000 lekë nga mospagimi i taksave. Ky informalitet ka ndikuar në një kosto më të lartë shërbimesh për qytetarin e cila rëndon në xhepat e taksapaguesve si dhe ul cilësinë e shërbimit, vëren KLSH.
Gjithashtu nga analiza e të dhënave rezulton se i gjithë investimi i ri i bërë si për godinat ekzistuese, ndërtimin e godinës së re, investimet në pajisje janë përballuar nga rritja e tarifës së këtij shërbimi e cila varion nga 10-100 % ose mesatarisht 44 %, thuhet në raportin e KLSH-së. .
Për realizimin e kontrollit të shërbimit të kontrollit teknik të mjeteve, nuk ka standarde dhe kritere të miratuara për mënyrën e realizimit të tij, si kryhet ai, ku janë pikat e forta dhe të dobëta, çfarë do të analizojmë ndërmjet këtij kontrolli, çfarë do të arrijmë ndërmjet tij dhe reflektimi i rezultateve pas kontrollit.
Nga auditimi dhe informacionet e zbatimit të kushteve të kontratës koncesionare të lidhur nga ana e “MPPTT” ose “Autoriteti Kontraktues” dhe “SGS” ose “Konçesionari” rezulton se, duhet të ishte punuar më mirë për zbatimin e kontratës koncesionare, sepse mos marrja e sanksioneve ligjore ndaj Koncesionarit ka sjellë:
-Mos kryerjen në mënyrë të vazhdueshme të procedurave të plota dhe të rregullta nga ana e tij në shërbim të qytetarëve dhe subjekteve;
-Krijimin e radhëve të gjata me pasojë në humbjen e kohës së punës për një ose më shumë ditë;
-Lodhjen e qytetarëve dhe krijimin e streseve
-Vendosjen e gjobave
-Uljen e cilësisë së shërbimit
-Favorizimi i korrupsionit nga hyrja brenda rrethimit në ambientet e kompanisë koncesionare SGS dhe gjatë kryerjes së shërbimit të kontrollit teknik të mjetit; etj.
Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandoi Ministrisë së Transportit te shqyrtojë mundësinë e certifikimit apo akreditimit të firmave që ofrojnë servis të kualifikuar automjetesh (rasti i Italisë, Greqisë, Kosovës, etj.), duke ndihmuar qytetarin në reduktimin e kohës dhe kostos për kryerjen e një shërbimi të tillë rutinor. /Monitor/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/