Foto Ilustruese
“Gomonia me drogë e nisur nga Vlora është vetëm një fragment i një trafiku të mirëorganizuar të tonelatave me hashash, ku janë të përfshirë Habilajt e Llanajt , drejtori i policisë Vlore, dhe sigurisht gjithçka bëhet me mbikëqyrjen e Saimir Tahirit”.
Denoncimin në emër të PD-së e ka bërë deputeti Flamur Noka.
Ish-ministri i Brendshëm rendit më tej edhe pikat “e magazinimit” të drogës, në pritje për trafikim drejt Italisë.
“Sasi të mëdha droge qëndrojnë në pritje për tu nisur drejt Italisë, në zonën e Çoles, në Dhërmi dhe në grykëderdhjen e Vjosës. Furgona të ngarkuar dhe garazhe e magazina ne Çole dhe përreth, kanë gati mallin për skafin ose gomonen e radhës. Të paktën 3 mijë ton hashash gjendet gati për tu trafikuar, dhe ruhet me policët besnik të Drejtorit të Vlorës, i cili është pika kyçe e Habilajve dhe Tahirit”, bën të ditur Noka.
Për deputetin demokrat rastet e trafikimit të drogës janë paralajmëruar e denoncuar, por se nuk është marrë asnjë masë.
“Një biznes prej qindra milionë euro që ka nisur dhe është konsoliduar ditë pas dite qysh se ministër i brendshëm u bë Saimir Tahiri. Një ditë përpara se gomonia me drogë të pikasej nga policitë fqinje në det, ne e paralajmëruam, unë e denoncova në Parlament. Sigurisht, Tahiri që është krenaria e Ramës heshti, nuk reagoi. Të nesërmen, me gjithë këtë denoncim publik në parlament, në prani të medias kombëtare, sërish gomonia e ngarkuar me hashash doli në det dhe u nis për në Itali”, vijoi denoncimin deputeti i PD-së.
Duke apeluar për ngritjen e qytetarëve për ti hapur rrugë në qeverisje të re Noka denoncoi pasurimin sipas tij të shtetit kriminal me trafikun e drogës të organizuar e kontrolluar nga grupime mafioze që kanë mbrojtjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Ky është pra shteti kriminal, grupimi mafioz me Tahirin e bandat e tij, që kontrollojnë drogën, që nga mbjellja, rritja, paketimi, magazinimi e deri tek transporti i saj. Miliona euro çdo muaj që ndahen mes banditëve e trafikantëve, Tahirit e shefit të tij. Ky shtet kriminal i zhytur në drogë po pasurohet me miliona euro të pista, teksa vendi po rrënohet, shqiptarët po varfërohen çdo ditë. Shqiptarët nuk mund ta pranojnë këtë shtet kriminal. Është në dorën e qytetarëve të bashkohen, e ti hapin vendit një rrugë të re, larg sundimit të krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim”, përfundoi denoncimi i deputetit të PD-së, Flamur Noka.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/