TABELAT/ Në 900 ditë 660 milionë euro kostot e koncesioneve korruptive

TABELAT/ Në 900 ditë 660 milionë euro kostot e koncesioneve korruptive

102
0
Shares

Partia Demokratike ka vijuar sërish sot denoncimin e koncesioneve, sipas saj korruptive të qeverisë, të cilat rrezikojnë ekonominë e vendit.
Në emër të PD-së, denoncim e ka vijuar sot deputetja Jorida Tabaku.
Fillimisht ajo ka saktësuar se PD nuk është kundër partneritetit publik-privat dhe nuk është kundër koncesioneve, si edhe me termin e koncesionit dhe partneritetit publik privat është abuzuar të paktën në 900 ditët e fundit.
“Si parti e djathtë, PD nuk është kundër partneritetit publik-privat dhe nuk është kundër koncesioneve. Kemi qenë dhe jemi të një ideje që janë disa shërbime të koncesionuara më mirë nga privati sesa nga shteti. Kemi qenë dhe jemi të një ideje të nje shteti të vogël dhe kemi qenë dhe jemi për një ide se konkurrenca e lirë dhe tregu mund të ofrojë shërbime me kosto më të ulët dhe më pak burokraci. Së dyti, me termin e koncesionit dhe partneritetit publik privat është abuzuar të paktën në 900 ditët e fundit, me idenë që, gjërat që nuk tenderohen dot dhe gjërat që kanë vështirësi tenderimi, qeveria është duke i dhënë me koncesion ose është duke përdorur konceptin e partneritetit publik privat. Lajmi është që në 900 ditë për të gjitha koncesionet që ose janë realizuar ose janë në proces kemi një kosto për buxhetin e shtetit prej 660 milionë euro. Kjo e llogaritur sigurisht mbi të gjithë informacionin në atë që kanë dhënë ministritë përkatëse të linjës dhe qeveria”, u shpreh Tabaku.
koncesionetSipas deputetes së PD-së, ministria e Shëndetësisë mbetet kampione me koncesionet abuzive.
“Kampion është shëndetësia, dhe unë kam përgatitur edhe një informacion në tabelë. Kemi 3 partneritete publike private të cilat kanë përfunduar por janë një sërë të tjerash në proces. Eshët Check Up-in me vlerë 120 mln euro. Kemi denoncuar dhe do të vijojmë të denoncojmë aferën e Check-Up-it me shqetësimet që kanë pasur qytetarët. Është edhe hemodializa dhe koncensioni për setet e sterilizimit. Në total 287,4 mln euro dhe së bashku me tenderët abuzivë, vetëm shëndetësia ka 338 mln euro abuzime, para që mund ti kishin shkuar buxhetit të shtetit”, tha Tabaku.
Më pas, Tabaku renditi një sërë koncesionesh abuzive, disa herë edhe të dështuara, të dhëna prej qeverisë.
“Në fakt praktikën e koncesioneve dhe abuzimeve me konceptin e partneritetit publik privat e filloi ministria e Financave, ku Croën Agents, megjithëse nuk quhet koncesion por u quajt asistencë teknike, është praktikisht bashkë menaxhimi i doganave nga qeveria shqiptare me kompaninë e njohur angleze që i kushtoi buxhetit 8.2 milionë euro, për të humbur 400 milionë euro në këto dy vite e gjysmë nga tatimet dhe doganat. Ky partneritet prezupozohej se do të sillte në buxhetin e shtetit 100 milionë euro.
Ne kemi denoncuar Skavicën për pjesën e Katundit të ri, një koncesion që i kushton buxhetit të shtetit 100 milionë euro. E kemi konsideruar një koncesion abuziv duke pasur parasysh se ekziston një studim në ministri që nga viti 2009 që në mënyrë të detajuar parashikon se si duhej bërë ky investim dhe në momentin që ekziston ky studim nuk ka pse të vijë një ofertë e pakërkuar dhe nuk ka pse të nisë një procedurë e tillë për diçka që ministria e ka studimin dhe mund të niste një proces tjetër por jo këtë që ka filluar
Mbasi ne denoncuam koncesionin e targave prej 95 milionë eurosh, 50 euro për qytetar, ministria e pranoi se ka ardhur një ofertë e pakërkuar edhe në këtë rast.
koncesioni tvshPër ministrinë e Financave kemi një rast ekzemplar, koncesionin e TVSH-së. Është hera e parë jo vetëm në këto 25 vite por në historinë e administrimit fiskal që një shtet mendon që një të drejtë të vetën t’ia kalojë një koncesionari. Kemi përgatitur edhe një grafik, ku nëse do të kishim vetëm shtetin që do të mblidhte të ardhura do të kishim këtë ndarje të ardhurash ku të gjitha do të vinin në buxhetin e shtetit.
Në fund të 10 vjeçarit, duke parashikuar normën e rritjes që ka parashikuar qeveria, prezuposohet që koncesionari në fund të 10 viteve do të ketë marrë 133.15 mln euro dhe qeveria 14 milionë euro. Për çdo 10 lekë TVSH që ne do të paguajmë, 9 lekë ne do t’ia paguajmë koncesionarit dhe vetëm 1 lekë do të shkojë në buxhetin e shtetit.
E kjo nuk mjafton, sepse Ministria e Shëndetësisë lajmëroi për 6 PPP të reja, duke filluar me koncesionin e laboratorëve. Njëkohësisht ministria e Ekonomisë ka vendosur një informacion ku 70 shërbime apo asete do të jepen me koncesion me një vlerë prej 375 miliardë lekë apo rreth 300 milionë dollarë duke e çuar këtë vlerën që unë parashikova këtu pothuaj në 1 miliardë euro. Unë nuk besoj se ka një rast si Shqipëria ku nga mbetjet, tek varrezat, nga tatimet te doganat, nga rrugët te shëndetësia,  të gjitha shërbimet janë duke u koncesionuar.
Dhe lajmi i fundit vjen nga shëndetësia! Ku Ministria ka nxjerrë njoftim që jo vetëm do të vazhdojë të koncesionojë, por do të përdorë paratë publike të marra nga kredia e Bankës Botërore për të bërë reklama për ti mbushur mendjen qytetarëve që koncesionet janë të mira. Nëse janë kaq të mira nuk e kuptoj pse duhet tua mbushim mendjen qytetarëve.
Por nëse ka një informacion që ne duam të mbetet sot është që; 660 milionë euro për 900 ditë të koncensionuara përveç atyre që janë në proces, ose 220 euro për çdo qytetar shqiptar, janë kosto shtesë që do të dalë nga xhepat e tyre në vitet e ardhshme për të kompensuar këtë humbje që ka në buxhetin e shtetit”, denoncoi deputetja e PD-së.

Pyetje – përgjigjet

jorida tabaku, konference shtypiZonja Tabaku folët për një numër të madh koncesioneve por kujtoj këtu që kryeministri Rama në fjalën e tij në Parlament tha që PD ka bërë mbi 170 koncesione gjatë gjithë qeverisjes së saj dhe pse mendoni se janë të gabuara këto koncesione aktualisht kur PD ka bërë të njëjtën gjë kur ishte në qeverisje?

Unë nuk kam qenë ndonjëherë dhe nuk më pëlqen që të filloj dhe të bëj krahasime, si ishim ne dhe si ishit ju por diçka është shumë e qartë. Nga 173 koncesione që u përmenden në Parlament, 95% janë koncesione të dhëna në fushën e energjetikës. Një burim natyror merret, shfrytëzohet, vijnë investimet e huaja, vjen kapital i huaj, realizohen punësime, koncesionari paguan edhe një fi koncesionare dhe kjo sigurisht në rastin kur shteti e ka të pamundur të investojë në këtë sektor. Ndërkohë që, koncesionet që ne po dëgjojmë sot janë të gjithë koncesione që kanë risk për buxhetin e shtetit.
Po marr shëndetësinë meqenëse është e prekshme. Ne do të paguajmë nga buxheti i shtetit 338 milionë euro të cilat mund të kishin shkuar për investime në shëndetësi dhe kjo sigurisht që nuk është një formë koncesioni. Ky është një tender që ata ia kanë dhënë një privati mundësinë që për 10 vite të marrë nga buxheti i shtetit këtë shumë parash. Kam këtu një raport të FMN-së, të 21 maj 2015, ku ka ngritur shqetësim për koncesionet dhe e konsideron partneritetin publik-privat dhe koncesionin si riskun më të madh që mund të ekzistojë për buxhetin e shtetit. Risk i cili ka pasoja sepse të gjitha këto janë pasoja që të mbarten nesër në buxhete, për 10 vitet e ardhshme, 25 -30 vitet e ardhshme, për sa kohë do të jetë partneriteti publik-privat dhe shqetësimi kryesor është që shumica e partneriteteve publike-private ndodhin në sektorin e infrastrukturës siç janë energjia, transporti, uji, kanalizimet dhe telekomi. Por në rastin e Shqipërisë po ndodh edhe në sektorët e butë siç është shëndetësia dhe sigurisht që ky është një risk shumë i madh. Në qoftë se në 20 koncesione për të cilat ne po flasim, 9 i ka vetëm shëndetësia duke ditur situatën dramatike në të cilën është shëndetësia dhe sa nevojë ka për investime në shëndetësi sigurisht që kjo është një kosto shumë e madhe për buxhetin e shtetit.

Zonja Tabaku ju rendisni në hierarkinë e koncesioneve korruptive ato që janë dhënë në sektorin e shëndetësisë. Kryeministri Rama nga Durrësi tha që sulmohet ministri Beqaj për një arsye, sepse ka prishur lobingjet që kanë ekzistuar gjatë kohës së PD-së me barnat?

Sigurisht që çështjen e shëndetësisë e kemi sqaruar me detaje, do të vazhdojmë ta sqarojmë. Meqenëse ministria dhe qeveria ka vendosur që ta kenë shëndetësinë në qendër të diskutimeve të kësaj jave, por unë të paktën nuk kam sulmuar asnjëherë kënd personalisht por kam folur me fakte dhe faktet janë këto. Unë nuk e di se çfarë lobe të barnave mund të ketë prishur koncesioni i check-up-it për të bërë dy analiza të thjeshta merret një koncesion për 120 milionë euro, ose i seteve kirurgjikale, ose i hemodializës, që i jepet një bar-kafe në Berat.
Sigurisht që ky nuk më duket një lob që ka lidhje me PD ose mbështetje të PD. Ne flasim me shifra dhe fakte, fjalën dhe propagandën ia lëmë atyre. Qytetarët vetë e kanë parë, e kanë përjetuar se çfarë po ndodh me shëndetësinë.
Dje Partia Demokratike nëpërmjet kryetarit Basha paraqiti dy raste të analizave dhe unë as nuk jam specialiste e kësaj fushe dhe as nuk marrë përsipër që të flas për këtë fushë por analizat ishin ndryshe në sistemin e check-up-it dhe ndryshe të realizuara në privat, i kishin nxjerrë të dy pacientët e sëmurë.

Po hartoni programin për ditën kur do të vini në pushtet. Sa i përket programit ekonomik a po përllogarisni edhe kostot pasi juve keni deklaruar se me të ardhur në pushtet do t’i rishihni një pjesë të tyre teksa po përmendi se ka kosto të lartë për buxhetin e shtetit, kryesisht në sektorët e butë. Si e keni llogaritur këtë pjesë edhe në programin tuaj ekonomik?

Për herë të parë një parti në opozitë është duke përgatitur një alternativë dhe jo duke dhënë premtime në erë siç ka ndodhur dhe siç ndodhi të paktën edhe për këto tre vite. Në programin ekonomik të PD, përveç paketës fiskale me propozime konkrete, të gjitha të kthyera në shpenzime për buxhetin, një analizë të veçantë po analizohet edhe tani për risqet. Rrisqet që këto koncesione kanë në buxhet dhe si do të shpërndahen në vijim. Është diçka që është duke u marrë në shqyrtim nga specialistët e PD-së.

Pak ditë më parë Basha tha se PD po përgatit për ta çuar dosjen në Prokurori  për çështjen e koncesionit të TVSH-së, për çështjen e kuponit tatimor. Në ç’fazë është deklarata që tha Basha? Keni gjetur shkelje penale për ta çuar në hetim penal koncesionin e TVSH-së tek lotaria?

Ne kemi denoncuar dhe në bazë të denoncimeve tona Prokuroria mesa di unë, në rastin e shëndetësisë ka nisur një hetim dhe sigurisht që ky ka ardhur nga informacioni dhe shqetësimi që kemi ngritur në këtë fushë. Koncesioni i TVSH-së pritet që të lancohet, në mos gaboj në fund të shkurtit dhe sigurisht që PD do të vazhdojë hapa të tjerë në momentin që ky proces fillon. Për momentin ky proces të paktën nga të dhënat e Ministrisë së Financave, të paktën nga informacionet që ne kemi është thjesht në kuadrin e propagandës mediatike dhe sapo ato të marrin hapat ligjorë sigurisht që edhe PD do të vazhdojë me hapat e tjerë për denoncimin, edhe konkretisht në bazë të informacionit që do të publikojë Ministria e Financave.

Ndërkohë të gjithë koncesionet që janë dhënë deri tani ju do t’i njihni kur të vini në pushtet? Ka shanse që ato të anulohen sepse ju thatë që Rama kur ishte në opozitë kishte deklaruar anulimin e disa koncesioneve të qeverisë Berisha dhe kur erdhi në pushtet ai që ishin të çimentuar dhe nuk mund të prisheshin nga ana ligjore?

Unë po ju marr një shembull, Rama kur ishte në opozitë ngriti shqetësimin për hidrocentralin e Vjosës. Kam të paktën 10 deklarata për shtyp të bëra nga selia e PS-së që Vjosa do të kthehet në një park kombëtar dhe kjo leje për këtë hidrocentral nuk do të jepet. Ndërkohë që në korrik 2015-ës kjo u firmos. Kemi një diferencë shumë të madhe ndërmjet procedurave të nisura në mënyrë ligjore dhe koncesioneve tradicionale që janë përdorur gjithmonë dhe koncesioneve që po zhvillohen sot. Sigurisht që këto do të kalojnë në analizë, do të kalojnë në një skanim nga ekspertët e PD-së dhe nga ana e PD-së për të vlerësuar të gjitha shqetësimet që ne kemi ngritur dhe sigurisht për të vazhduar me procedurat ligjore për të ndërprerë të gjitha ato koncesione që ne i konsiderojmë, së pari korruptive dhe së dyti në shkelje të ligjit.

Pse janë korruptive kur i jep  Rama dhe jo korruptive kur i jep Berisha?

Unë e bëra besoj një diferencë të dy rasteve të koncesioneve. Për mua rastet e shëndetësisë janë thjesht tendera të dhënë për një periudhë 10-vjeçare. Ndërkohë që koncesioni për shfrytëzimin e një aseti, një burimi sigurisht që lidhet me konceptin e koncesionit ashtu siç e kemi ne. Marrim rastin e TVSH-së, pse e kemi quajtur ne joligjore?
Së pari, administrimi fiskal është me ligj detyrim i Financave. Së dyti, administrimi fiskal nuk është në fushën e koncesioneve sipas ligjit aktual, ose në fushën e sektorit publik-privat. Këto dy arsye dhe të dyja të bazuara në ligj sigurisht që e bëjnë konesionin e TVSH-së joligjor. Ne do të bëjmë denoncimin tonë, do të përgatisim informacionet tona pastaj është në dorë të organeve për të vazhduar hapat e mëtejshëm në qoftë se për ta pezulluar ose jo, nëse ata e konsiderojnë korruptiv. Për ne është joligjor dhe korruptiv.

A ka nismë për të ndryshuar tek ligji i koncesioneve në mënyrë që të hiqet dyshimi për koncesionet…?

Meqenëse përmendëm rastin e TVSH-së dhe mund të ndalem edhe atje. Na u tha që nuk do të ketë një ndryshim të kasave fiskale, ndërkohë që kompania që ka bërë kërkesën deklaron, referuar një media që do të ketë ndryshim të kasave fiskale. Sigurisht që kompania thotë se është më mirë të përdoren kasat tona fiskale por do t’ia lëmë qeverisë. Kjo është një kosto shtesë për buxhetin e shtetit, përveç asaj që unë deklarova këtu që do të merren nga të ardhurat nga mbledhja e TVSH-së. Ligji i koncesioneve është një ligj shumë i mirë, është një ligj i hartuar në 2013-ën, një ligj i ndryshuar në 2015-ën, është një ligj i hartuar me asistencën e Sigmës që herën e parë , edhe ndryshimet e 2015-ës patën disa përmirësime në drejtim të procedurave. Ne nuk po flasim për problematika që ekzistojnë në ligj, ne po flasim për problematika që lidhen me zbatimin e ligjit dhe interpretimin që këto po i bëjnë zbatimit të ligjit.
Kam dëgjuar qeverinë ditët e fundit që ka përshëndetur dhe ka vlerësuar raportin e “Standard & Poors”. Ne kemi ngritur shqetësim për financat publike për gjatë këtyre dy vite e gjysmë, po bëhen pothuajse tre vite, për rritjen e taksave, më shumë se për asgjë tjetër. “Standard & Poors” vlerëson që “Shqipëria në periudhën afatgjatë do të vlerësohet me B+ ne të njëjtën kohë ne angazhohemi, thotë, dhe konfirmojnë se “ne periudhën afatshkurtër vlerësimi është B”. Ngre njëkohësisht shqetësim edhe për rënie të të ardhurave dhe të ardhura më të ulëta në performancë në vitin 2015 por dhe faktin që “disa nga rritjet e taksave nga qeveria aktuale që u zhvilluan në vitin 2013 kanë pasur një impakt negativ, ose impakt pozitiv për rritjen e sektorit informal por ne e konsiderojmë si impakt negativ dhe kanë kontribuar në këtë rënie të taksave”.
Sigurisht që nuk e themi me kënaqësi që e kishim thënë, as nuk ndjejmë fare kënaqësi që të themi që e kishim parashikuar, por faktet tregojnë që ekonomia ndodhet në një situatë të vështirë dhe vendosja e gjithë këtyre risqeve për koncesione, të cilat nëse llogariten, të paktën këto koncesione të përmendura dhe të nisura procedura në këto 900 ditë kanë një kosto rreth 7 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe për një vend si Shqipëria ky është një risk dhe një kosto shumë e madhe.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY