Kukësi merr zyrtarisht “titullin” rajoni më i varfër i vendit

Kukësi merr zyrtarisht “titullin” rajoni më i varfër i vendit

156
0
Shares

Nga pasqyra ekonomike e vendit, Kukësi merr zyrtarisht “titullin” rajoni më i varfër i vendit. I lënë mënjanë prej vitesh nga fondet publike, qytete dhe fshatrat e të gjithë qarkut vijojnë të braktisen edhe nga banorët autoktonë. Kukësi është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë, ku gati gjysma e familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike. Sipërmarrësit kanë interes, por duan incentive.

Jo më larg se javës së kaluar, disa projekte për prodhimin e energjisë kishin në fokus luginën e Drinit të Zi, një pjesë e mirë e të cilit kalon në Qarkun e Kukësit. Për fat të mirë, kësaj radhe, kompania e huaj konsulente i sugjeroi Ministrisë së Energjisë të mos merrte parasysh projektin që do të përmbyste mijëra hektarë tokë e duhet të zhvendoste mbi 10 mijë banorë lindur e rritur në ato fshatra. Në fakt, luginat më pjellore të gjithë qarkut, të cilat do të mund të kishin furnizuar me prodhim fshatrat kodrinore e qytetin, gjenden tashmë nën Liqenin e Fierzës.

Kontributi i kësaj zone për të gjitha familjet shqiptare që marrin energji me çmim të subvencionuar, nuk i është këmbyer as nga shteti e as nga privati. Përveçse u bë qarku me tokën më të pakët bujqësore në dispozicion (vetëm 25 mijë hektarë, sipas INSTAT), Kukësi është qarku i fundit në vend për vlerën e fondeve publike të shpenzuara ndër vite e sipërmarrjet private.

Të fokusuara vetëm në tregti, bizneset atje janë disa ushqimore, pjesa më e madhe e të cilave shesin me listë.

Të hapësh vjetarin statistikor rajonal të INSTAT-it botuar në fund të vitit të kaluar, kupton pse Kukësi po përjeton sot një eksod të tretë. Largimi i mbi 30 mijë familjeve me përmbytjen e qytetit të vjetër dhe dhjetëra fshatrave, migrimi për një jetë të mirë me rënien e komunizmit dhe sot emigracioni masiv drejt Gjermanisë. Në pothuajse të gjithë treguesit ekonomikë e socialë, Qarku i Kukësit dallon për keq.

Në periudhën 2013-2014, Kukësi është i vetmi qark ku punësimi në sektorin privat ka rënë 2%.

Vendi me nivelin më të lartë të papunësisë, shkallës së varfërisë dhe rrjedhimisht me nivelin më të ulët të prodhimit për frymë. INSTAT vëren se Kukësi jep vlerën më të ulët në prodhimin e brendshëm bruto të vendit, duke kontribuuar për vetëm 2.1% të totalit të prodhimit.

Prodhimi i brendshëm bruto për frymë është vetëm pak më i lartë se në Dibër. Me rreth 320 mijë lekë për frymë në vit, niveli i PPB-së për frymë është 30.5% nën mesataren e vendit.

Sipas të dhënave të INSTAT dhe Bankës Botërore, Kukësi është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë me 22.5% të popullsisë, nga 14.3% që është mesatarja e vendit. Edhe për hendekun e varfërisë nuk zbret shumë nga kryesimi, duke u renditur i dyti pas Lezhës. Pra, jo vetëm që ka nivelin më të lartë të të varfërve, por kësaj pjese të popullsisë (3.8%) i duhen më shumë para për të arritur te kufiri i varfërisë.

Nuk dimë nëse mund të themi që përbën lajm të mirë për kuksjanët lindja e fëmijëve. Për vendin që paralajmëron orientimin drejt plakjes, sigurisht që po. Është i vetmi fakt për të cilin Kukësi kryeson duke pasur 15,3 lindje për 1 mijë banorë. Mesatarja e vendit, sipas INSTAT-it, është 12 lindje për 1 mijë banorë. Por, ndërsa po flasim për një jetë vitale gati në përpjekje për të kompensuar ikjet e vazhdueshme, është tragjike lidhja direkte e të pasurit fëmijë me varfërinë. Instituti i Statistikave tregon se me rritjen e numrit të fëmijëve, rritet edhe përqindja dhe rreziku i tyre për të qenë i varfër.

Si një vend me lindshmëri më të lartë se qarqet e tjera, Kukësi kryeson mes vendeve me varfëri të lartë mes fëmijëve. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 37% e pupullsisë që jeton në kushte varfërie në Kukës, ka tre ose më shumë fëmijë. Kukësi kryeson edhe për kategorinë e familjeve të varfra me dy fëmijë. Ku rreth 25% e të varfërve janë në kushte të tilla.

Kur flet për varfëri, nuk përjashtohen as kushtet minimale të jetesës. Qarku verilindor renditet ndër vendet e fundit për zotërimin e pajisjeve afatgjata, ku lavatriçe ka 80% e popullsisë, frigorifer gati 90% e popullsisë dhe makinë pjatalarëse vetëm 0.6% e popullsisë.

Një tjetër faktor i rëndësishëm ku Kukësi kryeson është mungesa e aksesit në kushtet bazë. As 88% e popullsisë nuk kanë kushte të përshtatshme për të jetuar. Me 57% të popullsisë që ka mundësi për një ngrohje të përshtatshme, Kukësi është vendi më në hall në këtë drejtim. E kjo jo vetëm për kushtet e ftohta të motit. Korça i shkon për krah, por gjithsesi, arrin të sigurojë ngrohjen e duhur mbi 70% e popullsisë.

nr-familj-ndime-ekon

punkerk-regjistruar-kukes 2

Gati gjysma e familjeve, me përkrahje sociale

Qyteti i propozuar në vitin 1999 për çmimin “Nobel” për Paqe, për mikpritjen e popullit kosovar gjatë luftës, jeton në varfëri me shtrirjen më masive krahasuar me çdo qark tjetër. Në fshatrat përreth e në qendrat e qarkut, përqindja e familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike është më e larta në vend. Gati gjysma e familjeve mbijetojnë me “lëmoshën” shtetërore. Sipas Institutit të Statistikave, 43% e familjeve marrin ndihmë ekonomike. Nga mbi 4760 familje, numri i familjeve me ndihmë ekonomike është rreth 2050.

Një vend i harruar nga shteti e nga privati. Ndërtimi i Rrugës së Kombit, përveç një lidhjeje të shpejtë me kryeqytetin nuk ka nxitur tjetër zhvillim ekonomik të këtij rajoni.

Familjet e ikura duket se i kanë motivuar qeveritë njëra pas tjetrës të mos alokojnë fonde që të kenë efekt të dukshëm, ndërsa as sipërmarrjet private nuk kanë interes të shkojnë pa pasur një mbështetje.

Sipas të dhënave zyrtare, Kukësi është vendi me “lindjen” më të vogël të ndërmarrjeve private dhe ato që janë mbeten vetëm në tregti. Në 2014-n janë regjistruar pak më shumë se 240 ndërmarrje të reja në Kukës, më pak se çdo rajon tjetër.

Pak lehtësi fiskale, mund t’u hapin rrugë investimeve
Ekonomistët vlerësojnë se politikat sociale të një vendi duken pikërisht me atë çfarë ndodh në rajone të largëta e në zona malore. Për shkak të kushteve të vështira të motit ka rajone në Veri të Italisë me status të veçantë, duke qenë më i lehtësuar nga taksat dhe më i favorizuar në aktivitetin ekonomik.

Nuk mungojnë sipërmarrësit që duan të investojnë në Kukës. Të parët janë fabrikat e prodhimit të veshjeve, të cilët e shohin me interes hapjen e punishteve atje. Motivimi vjen nga rruga e ndërtuar, por duket e pamjaftueshme. Në këmbim të hapjes së vendeve të punës, disa sipërmarrës të këtij sektori kërkojnë lehtësi që lidhen me rajonin. Si për shembull, ulje të taksave, apo njohje të shpenzimeve për ngrohje gjatë dimrit. Flamur Hoxha, sipërmarrës i kompanisë “Kler” thotë se do të ishte i pari të ngrinte aktivitetin atje, nëse do t’i ofroheshin disa lehtësi. I interesuar në këtë treg më parë, ai thotë se në Kukës, nuk ekziston asnjë ndërmarrje me më shumë se tre të punësuar.

Fshatrat po boshatisen nga emigrimi

Intervistë me Mimoza Hajdarmatajn, deputete e PD-së për Kukësin

Znj. Hajdarmataj. Ju jeni deputete e kësaj zone dhe keni reaguar shpesh në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Çfarë shikoni shqetësuese në këtë zonë?

Qarku i Kukësit është portreti i rrënimit kombëtar nga Jugu në Veri. Kukësi e Hasi janë kryefjala e eksodit kombëtar, i cili kulmoi gjatë 2015-s, dhe shkak është dëshpërimi i thellë, kriza e gjithanshme që ka sjellë çdo fikje shprese. Mjafton të shkojmë në Shishtavec apo në ndonjë fshat tjetër, ku shohim se shtëpi të tëra janë të mbyllura dhe në klasat fillore mund të ketë vetëm tre nxënës në klasë.

Qeveria nuk jep ende një shifër të saktë të banorëve të larguarapo dhe shqiptarëve të krahinave të tjera, pasi kjo është pjesë e taktikës së refuzimit dhe mohimit të fenomenit.

Po t’u referohemi tipareve, karakteristikave të zonës, si dhe potencialeve të shumta natyrore dhe atyre njerëzore të komunitetit, mund të them me plot bindje se kjo zonë është harruar. Qeveria ka miratuar tre buxhete, të cilat nuk patën asnjë fond zhvillimi për rrugët e Kukësit.

Ju flisni për klasa me tre nxënës, sa të mundura janë shërbimet publike në këto kushte?

Arsimi publik është drejt degradimit, pasi kushtet e shkollave janë të vështira. Kuksianët, në fund të ditës, vuajnë mungesën e trajtimit dhe ilaçeve. Punësimi është gropa më e madhe për ekonominë e kësaj bashkie. Në këtë zonë nuk ka asnjë investim vendas dhe të huaj për të gjeneruar vende pune.

Sipas të dhënave që disponoj, Kukësi dhe Hasi janë bashkitë me nivelin më të lartë të varfërisë për frymë. Vitin e kaluar,rreth 70% e popullsisë figuron me të ardhura nën nivelin mesatar. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vetëm 11% e popullsisë rezulton në punë. Nga 85 mijë banorë, 9700 janë kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore.Pavarësisht se vijon të ketë nivel më të lartë lindshmërie krahasuar me rajonet e tjera, mosha mesatare e kësaj bashkie, dikur më e reja në rang republike, sot po shkon drejt plakjes së thellë.Në këto dy viteka 23% më pak lindje në qytet dhe 34% më pak në zonat rurale.
Shkaku kryesor është emigracioni dhe largimi i çifteve të reja, për të kërkuar azil në Gjermani.

A po flitet për një politikë zhvillimi për këtë zonë?

Ministri i Ekonomisë dhe ai i Financave nuk japin asnjë të dhënë apo qëndrim për këtë braktisje të Kukësit, as në konferenca dhe as në qëndrime të tjera zyrtare. Në komisionet parlamentare seancat e dëgjimit apo depozitimet e materialeve qeveritare për reformat e qeverisë lidhen me ndërhyrjet në infrastrukturën e zonave në Jug. Për sa i përket turizmit, strukturat përkatëse nuk sjellin asnjë investim duke e lënë orientimin e turizmit malor, në këtë zonë, me resurse të mëdha në dorë të fatit. /Monitor, nga Albana MUÇAJ/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY