Gjykata e Apelit Shkodër ka lënë në fuqi vendimin burg të përjetshëm për Sokol Mjacajn, i shpallur fajtor për vrasjen e dy turistëve çekë Michael Svatos dhe Anna Kosinova. Avokatja mbrojtëse e Mjacajt tha se vendimi nuk është i paanshëm, pasi nuk mori parasysh gjykimin e shkurtuar dhe pranimin e akuzës.
“Gjykata e Apelit Shkodër vendosi lënien në fuqi të vendimit numër 128, numër elektronik 4650 datë 16. 11. 2015, Gjykatës Rrethi gjyqësor Shkodër për sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe fajësisë për kryerjen e veprës penale ‘vjedhje me pasojë vdekjen. Në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit Sokol Mjacaj me burgim të përjetshëm. Seanca deklarohet e mbyllur”, komunikoi sot gjykata.
Gjykata e Apelit në Shkodër la kështu në fuqi vendimin e shkallës së parë, atë të burgimit përjetë për të riun Sokol Mjacaj, për veprat penale të vjedhjes me pasojë vdekjen e 2 turistëve çek dhe mbajtjen pa leje të armëve luftarake dhe municionit.
I qetë dhe madje duke buzëqeshur here pas here, Mjacaj priti këtë vendim, ndërsa nuk foli në seancën gjyqësore duke lënë avokaten mbrojtëse, Elvira Jakova, të shprehte pretendimet për dënimin e klientit të saj.
Sipas palës mbrojtëse, vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk ka qenë i paanshëm, pasi nuk është marrë parasysh gjykimi i shkurtuar, ndonëse Mjacaj pranoi krimin.
Gjithashtu ajo shtoi se nuk është marrë parasysh kërkesa për ekzaminimin e gjendjes psikike, duke ju referuar fëmijërisë së 20-vjeçarit, gjendjes ekonomike, dënimin e mëparshëm etj.
Për këto arsye mbrojta kërkoi rikthimin e çështjes për rigjykim. Por pretendimet e avokates se Mjacaj nuk kanë ndryshuar qëndrimin e organit të akuzës që i ka qëndruar kërkesës për lënie në fuqi të vendimit të shkallës së parë, atë të burgimit përjetë.
Në fund relatorja e çështjes Valbona Vata la në fuqi vendimin e burgimit përjetë.
Menjëherë në daljen për mediat avokatja e Mjacaj e cilësoi procesin të paragjykuar dhe tha se do t’i drejtohet gjykatës së Lartë, e madje deri në Strasburg.
“Që në momentin kur më kanë mohuar të drejtën e gjykimit të shkurtuar në gjykatën e shkallës së parë dhe mënyra sesi e kanë e argumentuar jam më se e bindur. Unë kam heq deri tani me Sokol Mjacaj dhe nuk jam bërë palë e opinioneve se nuk kam dashur të bëj shoë me fatkeqësinë e tjetrit. Por jam e vendosur sa të kem titullin e avokates këtë çështje ta mbroj në të gjitha shkallët e gjykimit, edhe në Strasburg nëse lind nevoja. Unë prapë besoj se do të fitoj”, u shpreh avokatja Elvira Jakova.
Sokol Mjacaj ekzekutoi në korrik të viti 2015 në Prekal 2 turistët çek Michael Svatos dhe të dashurën e tij Anna Kosinova pasi tentoi t’i grabiste.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/