DOKUMENTI/ Ben Blushi shpall platformën me 8 propozime për Kongresin e PS

DOKUMENTI/ Ben Blushi shpall platformën me 8 propozime për Kongresin e PS

45
0
Shares

Deputeti socialist, Ben Blushi i ka propozuar Kongresit të PS-së 8 parime që sipas tij duhen miratuar dhe pranuar nga ky kongres.
Këto propozime vijnë në një kohë kur po diskutohet edhe ndryshimi i statutit të PS-së. Blushi kërkon nga kongresi që të miratojë 8 propozimet e tij.

Për Një Reformë Politike
Nisur nga nevoja për një Reformë Politike që modernizon funksionimin e partive politike në Shqipëri,
Nisur nga vendimi për të rishikuar Statutin e Partisë Socialiste të Shqipërisë,
Nisur nga shkeljet e shumta dhe të papërligjura që i janë bërë Statutit të Partisë Socialiste,
Nisur nga besimi se Partia Socialiste mund të funksionojë në mënyrë demokratike, duke përshtatur praktikat më të përparuara të partive evropiane,
I propozoj Kongresit të Partisë Socialiste që të shqyrtojë mundësinë për t’i miratuar këto parime, të cilat do t’i paraqes në formë amendamentesh.

Shteti Social

Partia Socialiste duhet të përcaktohet se për çfarë parimesh qëndron.
Çfarë mund t’i ofrojë ajo shoqërisë shqiptare për të rritur mirëqenien, për të siguruar një shtet të besueshëm social, i cili, duke garantuar konkurrencën e lirë të tregut, siguron shpërndarjen e të mirave materiale dhe shanseve të barabarta për të gjithë. Partia Socialiste duhet të përcaktojë se cilat janë shtresat e shoqërisë që ajo mbron me politikat e saj dhe deri në çfarë mase ndërhyrjet në ekonominë kombëtare dhe rregullimet e tregut, janë në favor të atyre që kanë më pak mundësi, për shkak të pasurisë, pronësisë, paaftësisë për punë dhe si dhe kufizimeve fizike apo atyre të moshës.
Gjatë një dekade, në Shqipëri, është shtuar pabarazia dhe mundësia e shqiptarëve që kanë më pak, për të përfituar nga shërbimet që ofron shteti, është pakësuar. Papunësia është rritur, duke ia bërë të pamundur shumë familjeve shqiptare për të jetuar në vend.
Emigracioni është kthyer në tendencë, çka dëshmon për humbjen e besimit se politikat shtetërore mund të mbrojnë të varfrit dhe shtresat e margjinalizuara nga ndikimi i tregut dhe humbja e vendeve të punës, si dhe rritja e çmimeve.
Edhe për shkak të krizës që u shkaktua nga deformimet e tregut dhe huamarrjes gjatë viteve të fundit në Evropë, partitë e majta sot qëndrojnë dhe angazhohen për zbatimin e disa parimeve të cilat janë dhe duhet të jenë të patjetërsueshme. Këto parime duhet të jenë norma orientuese edhe në rastin e Partisë sonë Socialiste, e cila në Statutin e saj, është deklaruar si një parti e majtë demokratike, çka përbën qëllimin e ekzistencës së saj.
Si e tillë, Partia Socialiste, duhet të respektojë parimet bazë të lirisë, barazisë, solidaritetit, dinjitetit dhe respektit për çdo njeri, pavarësisht bindjeve politike, besimit fetar, racës, gjinisë, etnisë, orientimit seksual, shkallës së edukimit dhe pasurisë,
Partia Socialiste duhet të angazhohet që, përmes politikave progresive të mbroje pluralizmin politik, shtetin social, mirëqenien, drejtësinë sociale dhe ambientin, në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm,
Partia Socialiste duhet të kundërshtojë politika në dobi të grupeve të privilegjuara, praktikat administrative në dëm të interesit publik, korrupsionit dhe tendencave autoritariste e klienteliste që kërcënojnë shtetin e së drejtës dhe besimin e qytetarëve tek demokracia dhe të zgjedhurit e tyre,
Partia Socialiste beson se liria dhe barazia nuk janë në kontradiktë por përkundrazi, politikat progresive duhet të sjellin lirinë dhe barazinë në harmoni, në shërbim të rritjes së mirëqenies dhe respektit për dinjitetin e gjithkujt,
Partia Socialiste beson se drejtësi sociale do të thotë t’i jepet fund çdo lloj diskriminimi ndaj individëve të cilët kanë të drejtë të kompensohen për shkak të pabarazisë së tyre fizike, mendore apo shoqërore nga ata që kanë me shumë fuqi dhe pronësi si dhe nga shteti, si garant i kësaj marrëdhënieje.

Primaret

Primaret janë zgjedhje brenda partisë, të cilat zhvillohen përpara zgjedhjeve parlamentare apo lokale.
Primaret janë një praktikë pothuajse rutinë, e detyrueshme dhe e konsoliduar, që zhvillohen brenda një partie apo koalicioni.
Partitë moderne, në Europë dhe në SHBA, organizojnë primare, pra zgjedhje paraprake, për të përcaktuar kandidatin e tyre për president, kryeministër, apo kryetarë të bashkive. Primaret i japin mundësi anëtarësisë të shprehet se cilin nga kandidatët mbështet me votë të lirë dhe të fshehtë, duke shmangur të drejtën e përcaktimit të kandidatëve nga një njeri apo një forum i kufizuar partiak.
Kjo e drejtë duhet t’i delegohet anëtarësisë së Partisë Socialiste, përmes zgjedhjeve paraprake. Primaret mund të jenë të hapura apo të mbyllura. Primaret e mbyllura ftojnë në votim vetëm antarët e partisë, pra ata që kanë kartë anëtarësie.
Ndërsa në rastet e primareve të hapura, partitë dhe kandidatët bien dakord që të ftojnë në votim edhe qytetarë të cilët nuk janë detyrimisht anëtarë, me kushtin që ata të mos jenë në regjistrin e partive të tjera. Primaret i bëjnë partitë me të hapura, duke rritur interesin e publikut për to si dhe për platformat që kandidatët e tyre paraqesin.
Në Partinë Socialiste përcaktimi i kandidatëve për kryetarë bashkish apo deputetë, sidomos gjatë viteve të fundit, kanë qenë monopol i Kryetarit të partisë apo një pakice të zgjedhurish, çka është një praktikë e vjetër, e mbyllur dhe joproduktive, të cilës i ka ardhur koha të ndryshojë.

Sindikatat

Partia Socialiste nuk e ka njohur asnjëherë sa duhet, madje e ka injoruar rolin kushtetues që sindikatat duhet të luajnë në mbrojtje të punëtorëve dhe interesave të tyre.
Në Shqipëri, roli i sindikatave ka qenë i dobët edhe për shkak të traditës së pamjaftueshme që këto grupe kanë pasur përgjatë 25 viteve të fundit. Madje, padrejtësisht, Partia Socialiste është shprehur se e konsideron fat, faktin që në vend nuk ka sindikata, çka shkon në kundërshtim me frymën dhe qëllimin e një force të majtë, e cila duhet të mbrojë interesat e punëtorëve dhe të atyre grupeve që përfitojnë më pak nga puna dhe kontributi i tyre në shoqëri.
Ndryshe nga çfarë pretendohet, dobësia e sindikatave nuk i ka shtuar investimet e huaja në Shqipëri dhe sot një numër shumë i madh punëtorësh punojnë në kushte skllavëruese edhe për shkak të injorimit dhe organizimit të pamjaftueshëm të sindikatave.
Partia Socialiste duhet t’i ftojë përfaqësitë e sindikatave të kenë deri në 10 për qind të kuorumit të Kongresit të saj, duke respektuar kështu edhe një normë të qartë të partive të majta evropiane, të cilat u njohin sindikatave të drejtën për të konsultuar, miratuar dhe votuar vendime strategjike që lidhen me programin, mbrojtjen e shtresave të varfra dhe punëtorëve.

Kufizimi i mandateve

Në Statutin e Partisë Socialiste, Kryetari i Partisë dhe Kryetarët e Partisë se bashkive nuk kanë mandat të kufizuar.
Në përgjithësi, praktikat me moderne të partive evropiane kanë nisur t’i kufizojnë mandatet për të zgjedhurit, veçanërisht për ata që kanë mandate ekzekutive.
Edhe në Shqipëri, tendenca evropiane për të reduktuar kapjen dhe manipulimin e votuesve apo të anëtarësisë përmes pushtetit të gjatë dhe të pakontrolluar ka nisur të kthehet në normë, siç ishte rasti i ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili përcaktoi për herë të parë se mandatet e të zgjedhurve vendorë nuk duhet të jenë me shumë se tre.
Në këtë frymë, mendoj se mandati i Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Kryetarëve të Partise se Bashkive të mos jetë me shumë se dy, çka do rriste mundësinë për konkurrencë dhe ndryshim brezash brenda një grupi politik që rinovohet përmes votës.

Papajtueshmëria e mandateve

Megjithëse parimi i papajtueshmërisë së mandateve është i shprehur në Statutin e Partisë Socialiste, ai nuk është zbatuar, ose në shumë raste është zbatuar në mënyrë të pamjaftueshme dhe te personalizuar.
Sot, shumica e sekretarëve të Partisë Socialiste janë njëkohësisht edhe anëtarë të qeverisë, çka e bën të pamundur funksionimin e partisë duke e kufizuar vendimmarrjen në pak duar.
Papajtueshmëria e mandateve duhet të jetë një normë e pa negociueshme, sipas së cilës, dy funksione, me përjashtim të mandatit të kryeministrit dhe kryetarit të partisë, nuk duhet të mbahen nga i njëjti person. Në këtë mënyrë, do ishte e pamundur dhe e palejueshme që funksionet administrative dhe ato partiake të drejtoheshin nga i njëjti anëtar i partisë socialiste në çdo nivel, që nga zëvendësministrat, kryetarët e bashkive, kryetarët e qarqeve dhe ministrat, të cilët s’mund të jenë njëkohësisht kryetarë partie bashkish apo sekretarë të partisë socialiste.

Financimet

Partitë shqiptare, përfshi edhe Partinë Socialiste, kanë ngritur shpesh dyshime për mënyrën se si dhe nga financohen, duke krijuar përshtypjen se kosto financiare e partive është shume e shtrenjte dhe e paarsyeshme.
Prej më shumë se një dekade, të gjitha raportet ndërkombëtare për zgjedhjet në Shqipëri si dhe rekomandimet që i pasojnë ato, kanë përsëritur detyrimin për transparencë të fondeve dhe donacioneve.
Partia Socialiste e ka të shprehur në Statutin e saj detyrimin që çdo vit kryesia të miratojë buxhetin dhe shpenzimet e saj, çka nuk ka ndodhur në 10 vitet e fundit.
Për të shmangur konfliktet e interesit, financimet e dyshimta si dhe futjen e parave të zeza në veprimtarinë e Partisë Socialiste, është e domosdoshme që në Statut të sanksionohet detyrimi për të refuzuar çdo financim anonim, pra, para që vijnë nga njerëz të cilët nuk duan të identifikohen.
Po ashtu, në Statut duhet të shprehet qartë se çdo donacion privat nuk duhet të kapërcejë në asnjë rast kufirin e 5  për qind të shumës së donacioneve që mblidhen nga antarësia e partisë.
Për të shmangur konfliktin e interesit mbi politikat qeverisëse qëndrore apo lokale, Statuti duhet të përcaktojë qartë se, nuk pranohen donacione nga shoqëri apo subjekte të tjera, aktiviteti privat i të cilave mund të ushtrojë një ndikim dominues mbi administrimin e pronës publike, mbi politikat financiare apo rregullat që  disiplinojnë ato.
Partia Socialiste duhet të publikojë rregullisht në faqen e saj zyrtare në internet emrat dhe sasinë e donacioneve, duke krijuar kështu normën e një partie të hapur, transparente dhe demokratike, e cila nuk kërkon pushtet me para por me program dhe ide inovatore.
Partia Socialiste duhet të zgjedhë në Kongres, një Komision të Financave të Partisë, i cili është përgjegjës për kontrollin e donacioneve si dhe për transparencën e tyre periodike një herë në vit.
Ky Komision zgjedh Kryetar njërin prej antarëve të tij, të cilët si rregull janë anëtarë me përvojë në çështje ekzekutive dhe kanë, të paktën, dy mandate përfaqësimi si delegatë të partisë.

Etika e Partisë Socialiste

Për shkak të mungesës së filtrit etik mbi përfaqësuesit e saj si dhe mungesës së kolegjialitetit dhe zgjedhjeve periodike në çdo nivel, para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2013, Partia Socialiste u etiketua nga opinioni publik dhe ai ndërkombëtar, si një parti e cila i hapi dyert për persona të njohur me precedentë penalë dhe rekorde të provuara kriminale.
Ky standard, në zgjedhjen e deputetëve dhe kandidatëve për kryetarë bashkie nxiti Bashkimin Europian dhe SHBA, të kushtëzonte miratimin e një ligji për integritetin e figurave në administratën publike dhe në parlamentin e Shqipërisë.
Megjithatë, ky ligj do kishte qenë i panevojshëm, nëse Partia Socialiste do kishte respektuar normat etike të pastrisë së figurave, çka nuk ka ndodhur, madje e kundërta është kthyer në normë. Personave me precedentë penalë, iu dha statusi i kryetarëve të partisë në shumë zona të Shqipërisë dhe me vonë ata u katapultuan si kryetarë bashkish, këshilltarë dhe deputetë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në Statutin e Partisë Socialiste duhet të përcaktohet qartë, se asnjë njeri me rekorde kriminale nuk lejohet të jetë anëtar i Partisë Socialiste dhe përfaqësues i saj në çdo nivel të administratës publike dhe parlament.
Partia Socialiste duhet të krijojë një Komitet Etike, të përbërë nga 9 anëtarë të besueshëm me kartë anëtarësie të paktën 10 vjeçare, të cilët zgjidhen nga Kongresi çdo katër vjet dhe mbikëqyrin të gjitha devijimet nga normat etike të partisë si dhe formulojnë rekomandime apo propozime të cilat administrohen nga Kongresi i Partisë sa i takon normave statutore.
Komisioni i Etikës ka te drejte te vlerësoje edhe përshtatjen e politikave të partisë me programin elektoral dhe parimet themelore te përcaktuara ne Statutin e Partisë.

Lista e Anëtarësisë

Statuti i Partisë Socialiste është i paplotë, sa i takon listës apo regjistrit të anëtarësisë. Është e paqartë se sa është në kohë reale lista e anëtarësisë së Partisë Socialiste.
Ndërkohë që partitë e tjera të majta apo socialiste europiane e kanë të shpallur dhe të hapur listën e tyre të anëtarësisë, kjo nuk ndodh në rastin e Partisë Socialiste.
Kështu p.sh, Partia Socialiste Franceze ka 60.000 mijë anëtarë në listën e saj. Partia Laburiste në Britaninë e Madhe, ka sot 388.407 anëtarë. Partia Demokratike Italiane e ka regjistrin e anëtarësisë 385.320 anëtarë. Partia Socialdemokrate Gjermane SPD, ka në listën e saj të anëtarësisë 459.902 anëtarë. Partia Socialdemokrate Suedeze ka të regjistruar 100.900 anëtarë. Partia Socialistë Portugeze ka 93.000 anëtarë.
Partia Socialiste pretendon se, deri në qershor të këtij viti, do ketë 150 000 anëtarë, çka do ta bënte partinë më të madhe në Europë për frymë popullsie me një proporcion rreth 6 për qind të popullsisë të deklaruar si anëtarë të një partie të vetme.
Regjistri i anëtarësisë së Partisë Socialiste është bërë disa herë objekt debati dhe do të vazhdojë të bëhet, nëse Partia Socialiste do ti mbetet parimit një anëtar një votë, apo nëse do të mbajë referendume.
Në këto kushte, ky regjistër duhet të jetë i hapur dhe i deklaruar, on-line në faqen zyrtare të Partisë Socialiste.
Po ashtu, në rast zgjedhjesh brenda partisë, regjistri i anëtarësisë duhet të mbyllet të paktën tre muaj përpara datës së zgjedhjeve. Në rastet kur kjo normë shkelet, kandidatëve për forume të ndryshme në Partinë Socialiste u lind e drejta të ankohen në KGS, e cila duhet të ketë fuqi dhe kompetenca për të garantuar paanshmërinë e regjistrit të anëtarësisë nga ndërhyrjet e mundshme.
Statuti duhet të përcaktojë dallimin mes zgjedhësit  dhe përkrahësit të partisë.
Zgjedhësi pranon të deklarohet publikisht si anëtar i partisë, ndërsa përkrahësi nuk është detyrimisht i deklaruar publikisht dhe nuk ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje të brendshme të partisë, përveç rasteve të primareve të hapura.
Koncepti i zgjedhësit, pra anëtari me të drejtë vote që pranon të deklarohet publikisht në regjistrin on-line do të transformonte krejtësisht marrëdhënien politike të partive politike me publikun dhe qytetarët.
Ka ardhur koha që shqiptarët dhe veçanërisht socialistët, të binden dhe të besojnë se partitë janë pronë dhe instrument i anëtarësisë së tyre, në shërbim të interesit publik, mirëqenies dhe demokracisë.

Me besim se paragjykimet nuk janë gjykime,

Ben Blushi

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY