VRASJA E DREJTORIT/ Ish-kreu i Policisë së Shtetit: Policia po dëmton hetimet,...

VRASJA E DREJTORIT/ Ish-kreu i Policisë së Shtetit: Policia po dëmton hetimet, ja pse

55
0
Shares

Ahmet Prençi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka treguar cfarë di për motivet e vrasjes, gjatë një interviste dhënë për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati” në Channel One.

Zoti Prençi, si mik por edhe në cilësinë e detyrës së dikurshme të drejtorit të Policisë së Shtetit, si e përjetuat vrasjen e komisar Artan Cuku?

Unë kisha dy javë që isha takuar me Artanin. Kur mësova ngjarjen realisht e kam përjetuar keq. Është një ngjarje tejet e rëndë dhe nuk e imagjinoj dot se si miku im Artan Cuku nuk jeton më. Unë të falenderoj ty si gazetar që po organizon këtë emision homazh për Artan Cukun sepse ai vdiq për këtë shtet edhe është viktimë e luftës ndaj krimit. Kjo vrasje tregon se sa alarmante është situata me rendin dhe me sigurinë në Shqipëri por është një alarm edhe për ata drejtues policie që janë lënë të papunë si Artan Cuku. Krimi ka goditur rëndë njerëzit që kanë dhënë dhe sakrifikuar kaq shumë këtij shteti. Policët në këtë vend janë kaq të pambrojtur dhe të rrezikuar në çdo kohë. Arma e krimit ka goditur shtetin. Imagjinoni se ç’ndodh me njerëz të thjeshtë.

Zoti Prençi, si e keni njohur ju Artan Cukun?

Unë futem tek ata njerëz që komisar Artan Cukun e kam njohur shumë mirë dhe kemi qenë miq. Kisha dëgjuar për punën e tij që spikaste dhe më pas kemi punuar edhe bashkëpunuar dhe jemi bërë edhe miq. Që nga kjo njohje unë kam bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme me të. Dua të them që Artan Cuku ka mbaruar Akademinë e Rendit me medalje ari. Ndërkohë që në të gjitha detyra që ka pasur ka arritur rezultate të larta. Ai ka kaluar në të gjitha shkallët e karrierës dhe nuk ka pasur asnjëherë kapërcime duke u ngritur në detyrë në mënyrë të beftë. Si ish-drejtues dhe bashkëpunëtor në punën e policisë dua të them që Artan Cuku ishte i pagabueshëm në hetimin e veprave penale. Ai kishte aftësi të rralla. Merrte pjesë vetë në operacion, drejtonte vetë gjithçka dhe sakrifikonte vetë gjithçka.

Atëherë, duke qenë se ka pasur këto cilësi kaq të rralla përse e larguan nga policia dhe si e përjetoi Artan Cuku këtë largim?

Imagjinoni një oficer policie që ka punuar në vijën e parë të luftës së krimit dhe befas është pa punë dhe I hedhur në rrugë. Ai u shkarkua me firmën e drejtorit të Përgjithshëm Artan Didi me motivacionin “shkurtim funksioni organik dhe pamundësi emërimi në një detyrë tjetër” neni 57 pika 2 gërma b e ligjit për Policinë e Shtetit. Një largim i turpshëm, absurd dhe aspak i motivuar. Në fakt e përjetoi shumë shumë keq largimin nga policia. Ato kohë e takoja pothuajse përditë. Ai ishte në një mërzi totale. U mundova ta qetësoja për ti thënë që jeta i kishte këto. Por ai realisht ishte prekur dhe zhgënjyer shumë. Por koha kalonte dhe një ditë më tha se nuk e dija që kishte dhe këtë mënyrë jetese.

Zoti Prençi, sipas jush, me ato që dini dhe keni informacion, përse e kanë vrarë komisar Cukun?

Natyrisht nuk do ishte as etike e as morale që unë këtu të jepja versione dhe të dhëna. Është një grup hetimor që është ngritur për këtë ngjarje dhe të shpresojmë që të arrihet në zbardhjen e kësaj ngjarje kaq të rëndë. Por mua po më lë shije shumë të keqe fakti që dha këtu gazetari Flamur Vezaj sipas të cilit kjo ngjarje është referuar nga policia dhe është regjistruar në prokurori me veprën penale të gjakmarrjes. Kjo më lë një shije shumë të keqe. Sipas kësaj që thotë gazetari i bie që ngjarja qenka zbuluar. Kjo është absurde. Sipas kësaj, gjithnjë sipas kësaj që thotë gazetari Vezaj, hetimi lidhet me ngjarjen e vitit 2005 gjë që është absurde ta thuash dhe deklarosh vetëm pak momente pasi ndodhi ngjarja. Unë dua të them se kam bindjen se Artan Cuku është vrarë për detyrën që ka ushtruar në të kaluarën si drejtues i lartë i policisë së shtetit. Gazetari thotë që kjo vepër penale është shënuar kanë këtë mënyrë në mënyrë që të cilësohej si vepër penale e rëndë dhe që të hetohet nga prokuroria e Krimeve të Rënda. Por aty mund të cilësohej shumë lehtë vrasje për shkak të cilësive të larta të detyrës. Artan Cuku ishte oficer në lirim. Ai kishte gradën drejtues i parë, ishte komisar dhe pavarësisht se nuk e ushtronte detyrën ai kishte fituar edhe gjyqin duke e cilësuar të paligjshëm shkarkimin e tij. Kështu që pavarësisht që shpresat i kam të mëdha sepse në prokurorinë e Krimeve të Rënda ka prokurorë shumë të aftë, kjo puna e referimit më lë një shije shumë të keqe. Nuk dua të flas më për këtë sepse realisht po më lë një shije shumë të keqe. Është absurde. Nuk dua ta teprojë të them se mund të ketë edhe dashakeqësi.

A mund të jetë vrarë Artan Cuku për aktivitetin privat?

Jo. Në asnjë mënyrë. Nuk bëhet fjalë fare. Nuk kishte asnjë arsye që Artan Cuku të vritej përveçse detyrës si drejtues i policisë së shtetit.

Deri tani si të janë dukur veprimet hetimore të kryera me ato që ju dini?

Nuk mund të paragjykoj dhe gjykoj se jam larg hetimit. Por më ka lënë përshtypje jo të mirë edhe fakti që disa detaje deri familjare policia i ka bërë publike në media. Ato mund të shkatërrojnë hetimin dhe si t ë tillë është pakujdesi në rastin më të mirë që jepen këto detaje. Unë do të doja tu jepja këshillë atyre që merren me këtë ngjarje që të jenë shumë të kujdesshëm dhe të matur kur bëjnë deklarata dhe bëjnë publike detaje nga hetimi. Kjo është një turp i madh dhe është nxjerrje e sekretit hetimor.

A ishte angazhuar Artan Cuku politikisht gjatë kësaj kohe? A ishte ai i përfshirë në mbështetje të opozitës siç ka pasur nga disa ish-drejtues të policisë që janë atashuar në Partinë Demokratike?

Në mënyrë absolute jo. Dua tu them një detaj. Artan Cuku ende shpresonte se do të vazhdonte karrierën dhe shpresonte se do kthehej në punë. Më thoshte se ne këtë punë dimë të bëjmë mirë dhe për këtë kemi investuar në jetë. Por fati u tregua i keq me të. Policia e shtetit është institucioni që e ka paguar më shtrenjtë tranzicionin. Janë mbi 250 policë të vrarë nga vitit 1990 deri më sot. Ndërkohë edhe më e rëndë bëhet gjendja për ata që janë të papunë. Janë 1 mijë policë të hedhur në rrugë mbi bazen e të njëjtin motiv që u largua edhe komisar Cuku. Dhe si Artan Cuku janë mbi 100 ish-drejtues të lartë të policisë së shtetit që janë hedhur në rrugë. Dhe imagjinoni të gjithë kanë qenë bashkëpunëtorë në zbulime të ngjarjeve të rënda, në aksione dhe në çdo veprimtari të policisë kundër krimit. Pas marrjes së informacionit se Artan Cuku ishte vrarë në vendin afër ngjarjes ishin rreth 50 ish-drejtues të lartë të policisë që janë të papunë që shkuan të interesohen për fatin e Artan Cukut.

A iu bë nderi i duhur Artan Cukut me ceremoninë mortore të organizuar nga policia?

Jo. Ka një paradoks këtu që kjo polici e shkarkoi e largoi dhe e hodhi në rrugë dhe kjo polici i bën një ceremoni mortore. Pastaj ka edhe një problem tjetër. Çfarë ishte ajo ceremoni e organizuar në drejtorinë e policisë së Tiranës? Ceremonitë bëhen në drejtorinë e Përgjithshme të policisë së shtetit dhe jo në atë të Tiranës. Por duket se drejtuesit nuk kanë pasur kurajon të realizonin një ceremoni në atë vend ku dhanë urdhrin për ta larguar Artan Cukun. Policia e shtetit nuk është prona e askujt. Mund të jetë drejtor Ahmet Prençi, Haki Çako Artan Didi, kjo nuk ka rëndësi. Ne vijmë dhe shkojmë, po policia është e të gjithë policisë dhe e shtetit shqiptar.

A ruhej e fshihej Artan Cuku? A ju kishte shfaqur ai ndonjë shqetësim ai juve si mik?

Në mënyrë të prerë ju them jo. Ai madje nuk mbante as pistoletë me vete. Një personi si ai që kishte hobi armët kishte të paktën 1 vit e gjysmë që nuk mbante armë me vete. Nuk kishte as roje e nuk kishte shfaqur as një shqetësim. Nëse ai do ta kishte një të tillë të paktën ne miqve të tij, mua Aleks Hajdarit do na thoshte. Kam edhe një diçka tjetër. Si ka mundësi që kryeministri Edi Rama që është kaq aktiv me deklarata në televizione dhe rrjete sociale nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë të vetme për vrasjen e Artan Cukut. Madje nuk ka qenë as prezent në ceremoninë e homazheve . Më ka bërë shumë përshtypje kjo.

Po a e njihte kryeministri Rama komisar Cukun?

Po e njihte shumë mirë. Komisar Cukun e njihte edhe gjatë kohës që kryeminstri Rama ka qenë edhe në opozitë kemi pasur marrëdhënie shumë korrekte. Padyshim që njiheshin sepse I ka lidhur puna ai si drejtues policie në Vlorë dhe Rama si politikan, kryetar I PS madje edhe kur sapo mori detyrën e kryeministrit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY