Kukan: Zgjedhjet pa opozitën shkatërruese

Kukan: Zgjedhjet pa opozitën shkatërruese

68
0
Shares

Eurodeputeti Eduard Kukan u ka bërë thirrje forcave politike në Shqipëri që të arrijnë një marrëveshje politike për të organizuar zgjedhje të besueshme, të lira e të ndershme në vend. Gjatë një interviste dhënë Arta Tozajt të RTSH, zoti Kukan tha se mbajtja e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, me abstenime, apo bojkote të partive opozitare, nuk është në të mirën e askujt në Shqipëri.
“Do të jetë shumë keq për vendin, pavarësisht se kush i fiton ato zgjedhje, që të mbahen këto lloj zgjedhjesh, sepse do të ishte shumë shkatërruese për gjithë jetën politike në Shqipëri” tha ai.

Zoti Kukan, afati zyrtar i regjistrimit të subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhjet e radhës parlamentare përfundoi, por mbetet mundësia e shtyrjes së këtij afati për t’u dhënë kohë shtesë subjekteve që duan të regjistrohen. A jeni ende në kontakt me përfaqësuesit e opozitës shqiptare dhe cili është mesazhi juaj ndaj tyre?
Eduard Kukan:
E di se afati zyrtar ka përfunduar dhe me sa kuptoj ka ende mundësi për t’u regjistruar deri më 29 Prill. Ne u themi partnerëve tanë në Shqipëri se e vetmja mënyrë për të dalë politikisht tani në vend, është pjesëmarrja në zgjedhje, është marrëveshja politike e të gjithë aktorëve të rëndësishëm që ulen për t’u marrë vesh se si të organizojnë zgjedhje të besueshme, të lira e të ndershme. Kjo është ajo çfarë u themi dhe mbetet mesazhi im sot gjithashtu.

Zyrtarisht, a i mbështet PPE deklaratat dhe veprimet e PD?
Eduard Kukan:
Unë vetëm mund të përsëris se prej ca kohësh jepen mesazhet e njëjta, pavarësisht se kush i dërgon ato, përfshirë edhe përfaqësuesit politik në nivelin më të lartë, se nuk është rrugë bojkoti, apo moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve. Ne gjithmonë u themi se është e domosdoshme që ju të merrni pjesë dhe të dëshmoni se ju jeni të fortë politikisht në zgjedhje, në varësi të njerëzve që do të votojnë për ju. Kjo është ajo çfarë u themi, mbase nuk ka një qëndrim zyrtar të PPE-së, por këto mesazhe që japim janë të qëndrueshme dhe sistematike.

A do i quani këto zgjedhje legjitime, nëse nuk do të ketë asnjë parti opozitare të regjistruar edhe në përfundim të afatit shtesë?
Eduard Kukan:
Për të qenë shumë të qartë, mbajtja e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, me abstenime, apo bojkote të partive opozitare, nuk është në të mirën e askujt në Shqipëri, as për partitë qeverisëse, apo le të themi për fituesit e zgjedhjeve, as për ata që bojkotojnë zgjedhjet. Mendoj se ne kemi rregulla të qarta për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye, OSBE po dërgon vëzhguesit e saj dhe kjo do jetë e qartë. Por, e përsëris se do të jetë shumë keq për vendin, pavarësisht se kush i fiton ato zgjedhje, që të mbahen këto lloj zgjedhjesh, sepse do të ishte shumë shkatërruese për gjithë jetën politike në Shqipëri.

Si e vlerësoni qasjen e dy partive në pushtet? A keni ndonjë mesazh për ta, apo këshillë se si ata mund të trajtojnë kërkesat e opozitës?
Eduard Kukan:
Në këto rrethana, është shumë e vështirë të japësh receta se si të zgjidhet situata, pasi të gjithë e dimë se është shumë serioze, tepër e komplikuar. E vetmja pjesë këshillës sime me përulje do të ishte që të vijojnë të tentojnë për të zgjidhur gjërat politikisht, duke u takuar e duke biseduar, në kuptim të krijimit të kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme dhe kjo është e vetmja gjë që mund të them në këtë kuadër.

Kur flasim për dialog, të dy palët pajtohen se janë të gatshëm, por dialogu nuk zhvillohet. Si dilet nga kjo?
Eduard Kukan:
Dialogu, mendoj se është e vetmja mënyrë për të trajtuar situatën aktuale dhe duhet të ketë një dialog politik kuptimplotë nga të dyja palët. Kuptimplotë do të thotë një dialog, që trajton realitetin politik në vend për të gjetur zgjidhjen që do t’i ndihmonte vendit, sepse shumë gjëra priten nga këto zgjedhje në Shqipëri, të cilat do të kenë tepër ndikim për të ardhmen e vendit sa i takon integrimit europian, por këto gjëra i kemi përsëritur kaq shumë herë..

E vërtetë, po për sa i takon reformës në drejtësi?
Eduard Kukan:
Ju e dini se sa shumë energji investuan të gjithë në Bashkimin Europian për këtë çështje. Ne jemi të shumë të mërzitur që reforma e drejtësisë nuk është zbatuar dhe pa këtë gjë, për mendimin tim, do të jetë e vështirë të imagjinohet situata në të ardhmen në Shqipëri. Kështu që ne jemi të inatosur, jemi të zhgënjyer për moszbatimin e saj.

Në fund të ditës, duket sikur ne po shkojmë mbrapa e jo përpara në rrugën drejt BE-së. A mbani ju në BE ndonjë pjesë përgjegjësie, kur merreni me partnerët tuaj në Shqipëri?
Eduard Kukan:
Unë mendoj se BE vijon të merret seriozisht me Shqipërinë, si Parlamenti Europian dhe e gjithë BE. Ju jeni një vend partner, një vend kandidat dhe ne po presim për hapin e radhës që do të jepte datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Por, kjo nuk duket shumë optimiste me situatën ekzistuese, megjithëse ekziston vullneti, pasi ne duam ta kemi Shqipërinë. Shqipëria është vend shumë i rëndësishëm në rajon dhe roli i saj me fqinjët, shihet me mjaft pozitivitet, pra, vendi luan rol pozitiv në rajon dhe dua të përsëris se shumë gjëra janë në rrezik. Dua të jap gjithashtu dhe një mesazh për njerëzit në Shqipëri që të jenë të urtë, të qetë, të ruajnë nervat për mirë, pasi në këtë situatë, gjithçka mund të ndodhë. Është një situatë tepër eksplozive/shpërthyese. Shpresoj se njerëzit nuk do të keqpërdoren politikisht, për ndonjë lloj manipulimi nga politikanët, është me rëndësi kjo dhe nënkuptoj psh; zgjedhjet lokale në Kavajë, më 7 Maj, që do të jetë dhe një test se si do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme kur të vijë dita.

Si test edhe për bojkotin e opozitës, meqë nuk marrin pjesë as në zgjedhjet lokale të Kavajës..
Eduard Kukan:
Prandaj po e përmend, sepse ne do të shohim se si do të zhvillohen rrethanat, por në këtë kuptim, them se është shumë e rëndësishme për qytetarët shqipëtarë, që të jenë gjakftohtë, të rregulltë e të tregojnë se ata janë të përgjegjshëm për vendin e tyre, mbase më shumë se ca të tjerë atje.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY