PSE IKIN SHQIPTARËT/Korrupsioni, shkaktar kryesor i emigracionit

PSE IKIN SHQIPTARËT/Korrupsioni, shkaktar kryesor i emigracionit

71
0
Shares

Bashkimi Evropian ka filluar ta trajtojë fenomenin e korrupsionit vetëm në vitet e fundit me më shumë vëmendje, pasi po kuptohen gjithnjë e më shumë përmasat e dëmit që i shkakton shoqërisë.

Znj. Alina Mungiu-Pippidi, eksperte e mirëqeverisjes për institucionet e Bashkimit Evropian, e radhit korrupsionin si një nga shkaktarët kryesorë të emigracionit:

“Një arsye kryesore pse njerëzit largohen nga vendi i tyre, me përjashtim të një lufte civile, është korrupsioni. Njerëzit e braktisin shoqërinë, kur ajo nuk është një shoqëri e bazuar mbi meritat.”

Fenomeni i korrupsionit është i gjithëpranishëm, shpesh i shndërruar edhe në normë, në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Znj. Mungiu vë në dukje se besimi i popullsisë tek institucionet publike është tashmë në rënie të vazhdueshme në veçanti në vendet e Mesdheut, madje edhe ndër disa vende anëtare të BE-së, si Italia, Greqia, apo Spanja. Në vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE, popullsia ka më shumë besim tek institucionet e BE-së, duke qënë e zhgënjyer nga klasa politike e vendit të tyre.

“Supozohet që mënyra e qeverisjes së vendit do të duhet të ndryshojë për arsyen e thjeshtë se je duke iu bashkuar një klubi ku ka disa rregulla.”

Sipas znj. Mungiu ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet nivelit të korrupsionit dhe largimit të popullsisë, në veçanti intelektualëve, drejt emigrimit. Sipas “Transparency International”, Shqipëria renditet në fund të listës së vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin në BE, për sa i përket nivelit të lartë të korrupsionit. Dhe vitin e kaluar shqiptarët shënuan një numër rekord kërkesash për azil në vendet e BE-së. Sa më i lartë indeksi i korrupsionit në një vend, aq më e lartë është edhe përqindja e largimit të trurit, thotë ekspertja:

“Njerëzit që kanë kapacitet novator realisht largohen nga vendi i tyre pasi konkurenca atje nuk është e ndershme.”

Problemi kryesor me të cilin ndeshen ata, është mungesa e përpjekjeve dhe vullnetit të klasës politike për të fuqizuar konkurencën e lirë:

“Njerëzit që drejtojnë janë ata që nxjerrin përfitimin më të madh dhe nuk është realisht në avantazhin e tyre të nxisin progresin e vendit dhe konkurencën.”

Znj. Mungiu rikujton se “Pranvera Arabe” ishte një fenomen që shpërtheu pikërisht në vendet ku shoqëria nuk kishte ndërtuar një sistem të bazuar në merita.

Ajo e konsideron shqetësues faktin që sipas anketimeve të viteve të fundit, në vendet ku ka nivel të lartë korrupsioni, po bie përqindja e njerëzve që shprehen se u është kërkuar rryshfet, pasi tashmë kjo konsiderohet një normë që duhet ta bëjnë të gjithë edhe pa iu kërkuar:

“Politikanët në shumë nga këto vende janë shndërruar në një elitë që i shërben vetëm vetvetes… Shembulli i kundërt janë p.sh. vendet skandinave, ku politikanët e tyre shkojnë në zyrë me biçikletë ose më këmbë, pa bodigardë dhe të cilët sigurisht që kanë besimin që meritojnë nga populli i tyre.”

Znj. Mungiu përmend një tjetër paralelizëm që shfaqet në statistika: sa më i lartë të jetë indeksi i korrupsionit në një vend të caktuar, aq më shumë prokurime publike shpallen nga qeveria e atij vendi:

“Është përgjithësisht karakteristikë e vendeve të korruptuara që të bëjnë më shumë prokurime publike. Pse? Sepse ka shumë favoritizëm dhe nëpërmjet prokurimeve munden të devijojnë burimet publike drejt klientëve dhe miqve të tyre.”

Përmasat e kontratave publike që jepen në mënyra favorizues, sipas disa vlerësimeve arrin në 68% në vendet e Ballkanit, shumë më e lartë se në vendet e Evropës Perëndimore.

Ajo kritikon punën e institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare për të reformuar legjislacione, të cilat sidoqoftë nuk japin rezultatin e duhur, pasi vetë ligjet nuk kanë ndonjë rëndësi në vendet e rajonit. Profesorja mendon se demokratizimi, e ka shndërruar tashmë korrupsionin në problemin numër një me të cilin përballen shoqëritë. Është kurioz fakti që, sipas të dhënave, sa më shumë përdorues aktivë në Facebook të ketë një vend, aq më mirë veprojnë njerëzit duke ngritur zërin kolektivisht kundër korrupsionit.

“Që një shoqëri të kufizojë korrupsionin, ,krahas një gjyqësori të pavarur, është i nevojshëm edhe fuqizimi i qytetarëve, i njerëzve që i kërkojnë llogari qeverisjes, njerëzve që përdorin kompjuterat për t’u mirëinformuar, nënshkruar peticione dhe duke u angazhuar më tej.”

Znj. Mungiu mendon se asnjë vend nuk ka lindur i pastër, por shpreson se sa më shumë njerëz do ta dëshirojnë këtë gjë, aq më shumë një vend do të bëjë përparim.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY