Shërbimet e Policisë Kufitare të Pikës së Kontrollit të Kufirit në Kakavijë, gjatë kontrollit në vijën e dytë të ushtruar në automjetin tip “Benz” me targa AA 848 AL, që drejtohej nga shtetasi Agron Allkaj, 56 vjeç, banues Fier, kanë evidentuar disa pako të dyshimta të mbështjella me natriban të cilat ishin të fshehura në brendësi të mbështetëseve të sediljeve të shoferit dhe të pasagjerit.
Menjëherë u bë bllokimi i mjetit dhe njoftua grupi hetimor si dhe specialistët për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Gjatë kontrollit të imtësishëm nga grupi hetimor, iu gjetën të fshehura pas sediljeve të shoferit dhe pasagjerit 14 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave dyshohet të kenë lëndë narkotike e llojit heroinë, në peshën totale rreth 5 kg.
Këto pako u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin ku u gjet lënda narkotike.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë.
Së bashku me drejtuesin e automjetit udhëtonin dhe 2 shtetas të tjerë, të cilët u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër për verifikim nëse kanë ose jo lidhje me këtë trafikim.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/