Eduart Budini, efektivi i FNSH-së i prangosur dje për grabitjen me armë të një taksisti, jeton në Këlcyrë dhe gjendja e tij ekonomike është e vështirë, përfshirë edhe problemet familjare që ai ka, pasi ishte në proces ndarjeje me gruan.
Për gjendjen e policit, flet babai i tij, Feti Budini, i cili për gazetën “Panorama” tha se ai kishte aplikuar edhe për t’u bërë pjesë e repartit RENEA, por nuk kishte arritur.
I ati tregon se ai është i ardhur në Këlcyrë nga fshatrat e thella të Përmetit dhe jeton aty prej disa vitesh së bashku me familjarët e tjerë.
Feti Budini, i ati i Eduartit, tregon se djali i tij ka qenë korrekt me shtetin dhe kurrsesi nuk do ta ndërmerrte një hap të tillë të dënueshëm. Ai nuk përjashton asgjë, ndonëse i vjen keq që i biri i tij është shndërruar në një person të rrezikshëm.
Eduart Budini, 30-vjeçari që u ndalua dje në Gjirokastër për llogari të Policisë së Tiranës, pasi dyshohet të jetë autor i grabitjes së taksistit H. H., është punonjës i repartit FNSH të Fierit.
Ai është i martuar dhe baba i një vajze të mitur. Punonjësi i Policisë në Repartin e Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit, ishte i emëruar me detyrë në Dragot të Tepelenës. Budini, nga qyteti i Këlcyrës, pjesë e Policisë së Shtetit, ka shërbyer si pjesë e Sektorit të Komandove në Forcat e Armatosura i rekrutuar në Policinë e Shtetit dy vite më parë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/