EMIN BARCI/PS, Kongres mbi suksese imagjinare

EMIN BARCI/PS, Kongres mbi suksese imagjinare

527
0
Shares

Kongresi i socialistëve mblidhet në një realitet të mjegulluar prej tymit të zi që po nxjerr makina defektoze e qeverisjes së tyre.

Pas 30 muajsh qeverisje dhe 5 vjet nga Kongresi i fundit, bilanci shënon rënie të mirëqenies, rritje të papunësisë, tendencë deflacioniste, braktisje masive të vendit dhe mbi të gjitha, pak shpresë për një të ardhme më të mirë.

Të shtunën në Kongres të gjitha këto do të shiten për të kundërtën dhe nënteksti do të jetë; shqiptarët janë miopë që nuk po e shohin suksesin.

Vendimet do të jenë gati unanime ose grusht bashkuar rreth udhëheqjes ekzekutive. Dhe pastaj do të dëgjojmë sërish për PS­në kur të nisë fushata për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, kur socialistëve do t’u kërkohet të mbushin shportat e votave.

Ky ndoshta do të jetë Kongresi i parë i socialistëve në 25 vjet jetë që shqiptarëve, idealeve dhe interesave të tyre nuk u thotë asgjë.

Në Kongresin e 1999­s, socialistët i dhanë një leksion demokracie gjithë klasës politike të vendit me konkurrimin Nano – Majko.

Në Kongresin e 2003­shit, socialistët u shpallën Parti e Sipërmarrjes, duke hequr dorë nga dogmat programore kundër pronës dhe ekonomisë së tregut të trashëguara nga mendësia komuniste e trashëguar nga Partia e Punës.

Ai Kongres mbahet mend edhe se Rama –vetë, pas pak javësh si anëtar i PS – kandidoi për kryetar, në kundërshtim me statutin e atëhershëm.

Kongresi elektoral i 5 majit 2005 do të mbahet mend për ndryshimet në statut, sipas kërkesave të Ramës dhe thirrjeve të tij për dorëheqje (në shembullin e Bardhyl Agasit) të kryetarit dhe Kryeministrit Fatos Nano si dhe të kontestimit të 2/3 e qeverisë.

Dhe kjo, vetëm 6 javë para zgjedhjeve që u humbën me sukses. Në atë Kongres, Rama mbahet mend se u kujtoi socialistëve në fushatë se “shqiptarët kanë nevojë ta dëgjojnë, kuptojnë dhe dinë se kjo parti i dëgjon, kupton dhe di pakënaqësitë e tyre për si funksionon shteti ynë, duke filluar nga korrupsioni që u zë atyre rrugën”.

I vënë në presion nga “kongresmenët”, ai bëri thirrje se “socialistët duhet të jenë të bashkuar rreth një ideje dhe jo në rresht si ushtarë pas një individi të vetëm”, duke nënkuptuar haptazi Fatos Nanon.

Ai u mundua të bëjë në fjalim edhe një profeci: – Dua t’u them kongresmenëve se kur më mbyllnin derën para dy vjetësh (2003) mendoja: Sa më shumë rezistencë sot, aq më shumë dashuri nesër. Këshillë e mirë për Blushin.

Në Kongresin e jashtëzakonshëm të vjeshtës 2005, për shkak të dorëheqjes së Fatos Nanos, socialistët bënë një çudi; zgjodhën Ramën kryetar pasi i kishin rrëzuar me 2/3­ tat e votave platformën për reformimin e PS-së.

Ajo platformë u zbatua në vitet në vijim, duke u kushtuar socialistëve 8 vite opozitë të gjatë dhe vartësi përfundimtare nga oreksi i LSI­së.

Në Kongresin e 2007­s Rama shkoi si kryetar i zgjedhur me parimin një anëtar­një votë, për të nisur procesin e MJAFT­izimit të PS­së dhe zëvendësimit të parimit të vlerave e meritokracisë me ato të servilizmit, klanizmit dhe sejmenizmit.

Shumëkush mund të vlerësojë faktin që Rama futi parimin “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e kryetarit, unë jo. Së pari, sepse Rama e dinte që në vitin 2005 se nuk kishte rival.

Pas humbjes së zgjedhjeve në 2005­n, Fatos Nano dha dorëheqjen dhe i kërkoi Rexhep Mejdanit, Pandeli Majkos, Ben Blushit dhe Arben Malajt ­veç e veç dhe së bashku – që të merrnin përgjegjësi politike dhe të drejtonin partinë në atë moment të vështirë shoku.

Nano, duke e ditur që Edi aspironte që në vitin 2003 për kryetar, i paralajmëroi “të preferuarit” e tij për ta zëvendësuar, se Rama ishte problemi dhe jo zgjidhja e PS­së.

Asnjë nga emrat e mësipërm nuk e pranoi përgjegjësinë dhe mbështetjen e Nanos, ndaj Rama e dinte shumë mirë dhe e përdori pa frikë dhe merak parimin “një anëtar, një votë” në vitin 2007.

Së dyti, parimi është vetëm një slogan dhe për këtë nuk ka nevojë për analiza; mjafton të shohim se çfarë po i ndodh Blushit këto muaj, javë e ditë.

Kongresi i 2011­s gjithashtu ka vlera, sepse në fakt është autori i shtyllave të programit me të cilin PS­ja i fitoi zgjedhjet e 2013­s dhe pretendon se po qeveris vendin. Ndërsa Kongresi i së shtunës, mesa duket edhe nga axhenda e publikuar, do të jetë një paradë e fitoreve imagjinare politiko­ qeverisëse të socialistëve.

Ky Kongres vjen pas një atrofizimi pa precedent të jetës politike të PS­së në historinë e saj dhe një qeverisje që nuk po prodhon mirëqenien, punësimin, drejtësinë dhe prosperitetin e premtuar.

Sipas Ramës, atrofizimi i partisë ka ardhur për shkak të angazhimit mbinjerëzor të tij dhe udhëheqjes ekzekutive në përballimin e efekteve të krizës që Berisha i la në trashëgim.

Meqenëse jemi rreth një vit larg nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, duhet analizuar nëse atrofizimi i partisë jep efekt në rezultatin elektoral.

Meqenëse në PS është bërë e modës që shembujt të merren nga Anglia, po kujtoj Churchill­in e famshëm dhe zgjedhjet e humbura parlamentare menjëherë pas Luftës.

Politologët janë marrë gjerësisht me këtë “çudi” angleze ndër vite. Konkluzioni i parë dhe më i mbështetur është se për shkak të angazhimeve në luftë, Churchill atrofizoi partinë duke mbledhur në 5 vjet vetëm një herë Konferencën Kombëtare.

Zgjedhjet e fundit vendore, ku PS ra nga 700 mijë në 400 mijë vota janë një provë se të zgjedhësh një ndeshje NBA në Majamin e largët, në vend të organizatave socialiste në derën e shtëpisë – siç bëri Rama këto kohë – jep efekt anglez edhe në Shqipërinë e përhumbur.

Për 5 vjet socialistët e thjeshtë janë trajtuar si makina elektorale, që herë pas here duhet të mbushin koshat e votave për një pakicë të vetëquajtur “elitë” që mandatin politik po e përdor si letër me vlerë për të tregtuar influenca personale me para dhe pasuri publike në tenderë e koncesione, vende pune dhe vendime gjykatash.

Në shumë raste, socialistët e thjeshtë u drejtuan në betejat elektorale nga njerëz me para apo pistoletë në dorë si një model i ri i përçudnimit të idealeve dhe vlerave të socialdemokracisë moderne.

Sipërmarrësve të vegjël socialistë (dhe jo vetëm) u vihen gjoba për kuponin tatimor, ndërsa sponsorët financues të kapardisjes së “elitës” socialiste kanë marrë vetëm në 2015 60% të tenderëve pa konkurrim, kanë marrë leje ndërtimi në vende të paimagjinueshme pronë e publikut, kanë marrë koncesione për të përfituar qyl nga paratë publike qindra miliona euro për të paktën 10 vjet.

Nëse një socialist kërkon punë në shtet, i tregohet ligji për administratën publike, ndërsa për servilët e senatorëve të rinj socialistë bëhet “lobing”.

Pa folur këtu që ligji nuk përfillet fare kur bëhet fjalë për të ndarë vendet e punës me LSI­në dhe parti të tjera të koalicionit transversal.

Kjo dyfytyrësi dhe standarde denigruese për socialistët e thjeshtë janë një element më shumë në atë që quhet atrofizim i partisë dhe që, pa dyshim, do të vazhdojë ta gërryejë palcën kurrizore të socialistëve në zgjedhjet e ardhshme, duke e rritur vartësinë e saj nga LSI­ja dhe aleatët.

Lidhur me qeverisjen, udhëheqja socialiste flet për rezultate historike, sidomos kur bëhet fjalë për shtetformim.

Fjala “reforma” është kryefjalë e çdo diskuri publik duke ngatërruar instrumentet me qëllimet. Ndoshta është e udhës të kujtojmë që Enver Hoxha bëri shtet, por bustin ia hoqën zvarrë në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë.

Me këtë nuk po them se e njëjta gjë do t’i ndodhë dhe Ramës, por se “shteti” është i pamjaftueshëm për të marrë maxhorancën e votave. Jemi vendi më i varfër në Europë.

Një shqiptar merr mesatarisht 8 herë më pak se një qytetar i Europës ose vetëm 4 mijë euro ne vit nga 31 mijë euro në vit që marrin europianët.

Ajo që të bën pesimist është fakti se me ritmet aktuale të rritjes (le të pranojmë se janë 3%) na duhen edhe 70 vjet që të arrijmë të marrim dy herë më pak se europianët që rriten me 1,3% në vit.

Edhe brenda vendit pabarazia është e frikshme; një fermer fiton 5 herë më pak se punonjësit e sektorit jobujqësor. Atëherë me këto rezultate politiko­qeverisëse për çfarë do të mbahet mend Kongresi i lodhur prej shtyrjeve i 19 marsit 2016?

Ndoshta vetëm për faktin se tashmë që të konkurrosh Ramën nuk mund të jesh si Rama. Sepse statuti i ri parashikon që për kryetar mund të konkurrojë vetëm një anëtar që ka 5 vjet jetë partie dhe jo si Rama që kishte vetëm 5 javë kur konkurroi në 2003.

Kongresi do të mbahet mend se humbi mundësinë për të dekriminalizuar partinë dhe për të rikthyer parime dhe vlera si meritokracia, barazia e shanseve, drejtësia

etj. Pas mbarimit të Kongresit, epiqendra e pushtetit dhe politikëbërjes, e arritjeve dhe dështimeve, e promovimeve dhe sulmeve kthehet në bulevard te zyra e Kryeministrit të vetëkënaqur Rama. Panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY