Nga Astrit Patozi
Ashtu sic pritej, kongresi i socialistëve e legjitimoi marrëzinë e fundit të kryeministrit. Lajmi është se zyrtarisht Edi Rama i ka eleminuar zgjedhjet në Partinë Socialiste, duke shpikur një normë të cuditshme statutore, sipas së cilës kryetari i partisë, që fiton zgjedhjet, nuk mund të votohet. Deri këtu, asgjë e papritur, gjithcka sipas parashikimeve.
Nuk po i hyjmë këtu faktit që ky është një standart i papranueshëm, i pambrojtshëm, pa sens dhe që nuk ekziston gjëkundi në botë. Por vini re. Edi Rama nuk është një kryetar partie, që është mësuar vetëm të fitojë. Ai e ka provuar edhe shijen e hidhur të humbjes. Jo më larg se 7 vjet më parë. Jo kujtohet besoj. Por cfarë bëri atëherë? Sërish nuk iku.
Dhe pyetja është se në cfarë rasti mund të largohet ky njeri nga karrigia e kryetarit të Partisë Socialiste? Sepse ai nuk pranon të ikë kur humbet zgjedhjet, por, po ashtu, nuk pranon të zgjidhet kur fiton. Unë nuk di që të ketë rezultat tjetër, që dikush të presë një ditë që Edi Rama, të ikë vetë apo ta zbojnë nga timoni i Partisë Socialiste. Sepse barazimi ekziston vetëm në futboll, por jo në zgjedhje, politike apo administrative qofshin ato.
Mirëpo këto cështjet e marrëzisë, nganjëherë janë sëmundje ngjitëse. Uroj shumë që kjo flamë e shpifur, e cila ka gjunjëzuar sot partinë kryesore qeverisëse, të mos përhapet më tej, por të karantinizohet tek Partia Socialiste. Dhe meqë nuk jam qytetar amerikan, më lejohet të them se kjo gjë do të ishte po aq e rrezikshme për ne, sa fjala vjen, zgjedhja e Trampit si president i Shteteve të Bashkuara.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/