Telefonatat e disa personave të dyshuar si autorë apo urdhërues të vrasjes së ish – Drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, janë në proces verifikimi nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes.
Burime të rezervuara thanë se bëhet fjalë për thirrje të kryera mes disa personave, që në kohën e vrasjes kanë qenë jashtë Tiranës.
Të dhënat nga antenat celulare tregojnë se, ata kanë komunikuar me persona që kanë qenë në rrezen që mbulon antena e zonës, ku u vra 42 – vjeçari.
Njëri nga atentatorët, sipas dëshmive të dhëna në polici nga administratorja e pallatit ku ndodhi krimi, komunikonte vazhdimisht në pritje të ardhjes së ish-Drejtorit të Policisë së Vlorës.
Grupi hetimor po verifikon edhe komunikimet në dy aparatet telefonike smartphone të gjetura në vendin e ngjarjes, që i përkasin të ndjerit.
Këta dy telefonë mësohet se janë pjesë e një grupi prej 13 objektesh, të sekuestruara në vendngjarje.
Ata pritet të ekzaminohen nga ekspertët e teknologjisë së informacionit për të parë nëse ka komunikime apo mesazhe kërcënuese, apo komunikime të dyshimta mes Cukut e personave të tjerë.
Hetuesit pritet të kërkojnë edhe tabulatet e komunikimeve telefonike të Cukut.
Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka regjistruar krimin si vrasje për shkak të detyrës. Hetimet kanë çuar edhe hapjen e dosjeve të disa grupeve kriminale të goditura nga policia e Vlorës, në kohën kur Artan Cuku ishte drejtues i saj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/