Një vendim I Gjykatës Kushtetuese në fillim të këtij viti vendosi përfundimisht gjykimin e mandatit të deputetit nga vetë kjo gjykatë. Bëhet fjalë për vendimin nr. 7/2016 që bën interpretimin përfundimtar të nenit 70/4 të Kushtetutës lidhur me mbarimin e mandatit te deputeti.
Parlamenti para pak ditësh nuk dërgoi mandatin e deputetit Rakip Suli në Kushtetuese duke sjellë marrëdhënien e kushtëzuar të opozitës me Parlamentin. Kjo mund të cojë në miratimin me vonesë të reformës në Drejtësi. Kryetari I PD-së Basha deklaroi se opozita nuk mudn të përfshihet në ndryhsime të reja Kushtetuese nëse mazhoranca nuk e respekton Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Bazuar në precedentin parlamentar të rrëzimit të kërkesës së opozitës nga mazhoranca për dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese të deputetit Koco Kokëdhima, nga ana e opozitës u kundërshtua jo vetëm ai vendim, por u kërkua edhe interpretimi përfundimtar i nenit 70/4 të Kushtetutës.
Në këtë vendim Gjykata Kushtetuese është shprehur përfundimisht se:
“30. Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t`ia nënshtrojë atë debatit parlamentar, por vendimmarrja e tij si organ kolegjial është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t`u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të shumicës parlamentare Gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla. Vendimmarrja e Kuvendit në raste të tilla është në funksion të legjitimimit të këtij organi si një nga subjektet që mund të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues. Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese. Me fjalë të tjera, ndonëse verifikimi dhe vlerësimi i kritereve juridiko-formale të kërkesave të kësaj natyre është një çështje që i përket Kuvendit, vlerësimi i meritës së çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
32. Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese,
e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen.
Në raste të tilla hapësira e vlerësimit të Kuvendit lidhet vetëm me verifikimin e kritereve juridiko-formale, duke respektuar procedurat parlamentare të parashikuara në Rregulloren e këtij organi.”
Deputeti i PS Rakip Suli
Në përfundim të kësaj analize, Gjykata Kushtetuese ka bërë interpretimin përfundimtar të nenit 70/4 të Kushtetutës, i cili po sipas vetë vendimit ka fuqi prapravepruese, si më poshtë:
“Në rast se Kuvendi i Shqipërisë vihet në lëvizje me mocion të kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, në kuptim të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ai duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.”
Kërkesat e paraqitura nga Partia Demokratike, janë nënshkruar nga 1/10 e deputetëve të Kuvendit, sic kërkon neni 70/4 i Kushtetutës, pra plotëson kriteret juridiko-formale dhe si e tillë duhet t’i dërgohet për shqyrtim të thelluar pranë Gjykatës Kushtetuese. Kjo për faktin se deputetët Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, nëpërmjet shoqërive tregtare të fëmijëve të tyre madhor, kanë përfituar fonde dhe pasuri publike.
Ndërkaq një tjetër ai “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” përcakton personat e lidhur me zyrtarin , në rastin konkret me deputetin në katër nene të tij:
Neni 21: “Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara nga ligji, përfshirë deputetin, nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik.
Neni 24: “I njëjti ndalim, sipas nenit 21, zbatohet edhe për personat e lidhur me zyrtarin. Person i lidhur me zyrtarin është bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es dhe bashkëjetuesit/es.”.
Neni 35: “Në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur (bashkëshorti/ja dhe fëmijët madhor), ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit……”
Neni 45: “Për zyrtarët, që njësohen ose janë anëtarë të organeve kushtetuese, zbatohen masat dhe procedurat e përcaktuara nga Kushtetuta dhe dispozitat ligjore përkatëse.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/