Kreu i PD-së Lulzim Basha i ftuar sonte te emisioni “Tonight” i Ilva Tares në TV “Ora Neës”, zbuloi qëllimin dhe garancitë që ai ka marrë nga vizita në SHBA.
Sipas Bashës, “Garancia që mora është vija e re e kuqe e SHBA, e cila nuk do të tolerohet vjedhja e votës në Shqipëri. Mbështetja e SHBA duhet të pasohet me ngritjen e qytetarëve shqiptarë, siç u ngrit Europa”, u shpreh Basha, duke i mëshuar vazhdimit të protestave.
Pjesë e kësaj për Bashën janë edhe qëndrimet dhe veprime konkrete nga ana e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarëve
“Numërimi elektronik, monitorimi financimeve gjatë fushatës elektorale, jo në hyrje por në dalje, aksesi në media dhe liria e medias”, do të jenë disa veprime konkrete nga ana e pozitës, u shpreh Basha.
Duke u ndalur edhe te vizita e kryeministrit Edi Rama në Uashington, Basha e cilësoi atë si një vizitë ku Rama do të marrë disa mesazhe të rëndësishme …
“Ka dy çështje, e para rekordi i Edi Ramës në këto 2 vite e gjysmë si Kryeministër është që ka abuzuar në mënyrën më të turpshme me vizitat dhe fotografitë me liderët botërore dhe kjo për fat të keq nuk ka damkosur dhe dënuar vetëm Edi Ramën por dhe Shqipërinë. Mjafton të kujtojmë furtunën që ngriti për marrëdhënien e tij ekstra të privilegjuar personale me Angela Merkel dhe të shikojmë se nga procesi i Berlinit është Vuçiç ai që përfiton miliarda, është Vuçiç ai që përfiton koncesione politike dhe Shqipëria ka mbetur në vendnumëro. Propaganda mbetet në vend. Pyetja është pse nuk është ftuar Kryeministri shqiptar kur u ftua Vuçiç, Gjykanoviç, Gruevski, Jahjaga? Nëse ju besoni se Edi Rama do të shkojë në Uashington për të marrë bekimin për regjimin oligarkik që po ndërton në Shqipëri besoj që jeni fare e qartë se kjo nuk mund të ndodhë. Në Uashingon ai do të marrë të gjitha mesazhet dhe shqetësimet që i ka marrë dhe këtu nga Donald Lu, që dëgjova unë në takimet e mia në Uashington në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Shtetit, në Senatin amerikan, në Kongres. Dhe këto janë mesazhet që, citoj: Është e papranueshme që personat që duhet të jenë prapa hekurave janë sot në parlament dhe bëjnë sot ligjin në institucionet shqiptare, në doganat shqiptare, në polici. Alkaponet, është një term që u përdor këtu. Nuk më pëlqen të citoj këtu, ka folur dhe më ashpër, ka përmendur Shullazin me emër. Po kështu DASH, PE, OSBE-ODIHR ka folur qartë për vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri në 2015 dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një mesazh, një garanci e angazhimit amerikan që unë sjell sot në mënyrë transparente para qytetarëve. Kjo këngë Edi Ramës do ti këndohet fare qartë dhe pa asnjë ekuivokë. Do japë efekt apo jo, është çështje tjetër”, u shpreh Basha.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/