SKEMA/ Si i pastrojnë paratë në Shqipëri “politikanët” e huaj

SKEMA/ Si i pastrojnë paratë në Shqipëri “politikanët” e huaj

142
0
Shares

Ashtu si edhe në rastin e trafikut të narkotikëve, shteti raporton kapje të shumta edhe të aktivitetit të pastrimit të parave me origjinë të dyshimtë. Kjo tregon se institucionet kanë punuar, por edhe se vendi është tashmë në fokusin e kriminalitetit të organizuar botëror, që synon të shfrytëzojë dobësitë e organeve shtetërore.

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka përgatitur raportin për aktivitetin e kryer vitin e kaluar. Të bëjnë përshtypje në këtë raport disa raste, të servirura si tipologji, ku persona të caktuar synojnë të përdorin Shqipërinë si lavatriçe për të filtruar paratë e fituara me aktivitete kriminale, ose të përfituara nga evazionet fiskale. Jo rastësisht, këta janë të huaj, ndonëse kanë bashkëpunim me shtetas shqiptarë.

221695

Metalet e çmuara
Rasti i parë ka të bëjë me një shtetasi i huaj jorezident në Shqipëri “T”, i cili në shkurt të vitit 2015 ka hapur një llogari personale bankare në vendin tonë sëbashku me shtetasen shqiptare “B”. Menjëherë më pas, në këtë llogari ka ardhur një transfertë parash në shumën 150 mijë euro nga një shtet i cilësuar si “parajsë fiskale”, dërguesja e së cilës ishte shtetësja e huaj “A”, pa lidhje të qartë me asnjë nga dy përfituesit. Shuma ishte dërguar në bazë të një kontrate huaje, sipas së cilës shtetasi “T” i kishte marrë hua shtetases “A” një shumë të caktuar për ta shlyer brenda një afati dyvjeçar.

Pas ardhjes në Shqipëri të kësaj shume, shtetasi i huaj “T” u paraqit në bankë dhe ka tërhequr prej andej 50 mijë euro me arsyetimin se donte të investonte në pasuri të paluajtshme në vendin tonë. Po në të njejtën ditë, po ky shtetas është paraqitur edhe pranë sporteleve të një dege tjetër të kësaj banke dhe ka kërkuar që pjesën tjetër të fondeve ta rikthejë te ajo që e kishte dërguar, me përshkrimin “kthim fondi”.

Disa muaj më pas, shtetasi “T” sëbashku me një tjetër shtetas të huaj “D” regjistroi një biznes në vendin tonë, ku secili zotëronte nga 50%. Shoqëria “X” e regjistruar prej tyre kishte si objekt të veprimtarisë së saj tregtimin dhe përpunimin e metaleve të çmuara. Si administrator figuronte shtetasja shqiptare “B”, me të cilën shtetasi i huaj “T” kishte një llogari të përbashkët bankare. Një muaj pas regjistrimit, në këtë shoqëri përfshihet si ortak edhe shtetas tjetër, nga i njejti vend origjine si “T” dhe “D”, ne inicialin “M”, i cili blen 30 për qind të aksioneve të shoqërisë në fjalë.

Shoqëria “X” hapi llogarinë në një nga bankat tregtare në vendin tonë dhe disa ditë nga hapja e kësaj llogarie aty kanë ardhur disa transferta nga jashtë në vlera të konsiderueshme parash, nga shoqëria “Y” me seli jashtë Shqipërisë. Për justifikimin e këtyre transfertave janë paraqitur fatura shitjeje. Sipas tyre, shoqëria “X”, që ishte përfituese e fondeve, i kishte shitur shoqërisë dërguese metale të çmuara në një vlerë sa ajo, që ishte pasqyruar në transfertat e dërguara. Gjithashtu, u paraqitën edhe fatura blerjeje, sipas së cilës shoqëria “X” kishte blerë nga individë të shtetit nga kishin ardhur transfertat sasi të konsiderueshme ari.

Pasi fondet hynë në llogarinë bankare të shoqërisë “X” në vendin tonë, pjesa më e madhe e tyre u tërhoq nga administratorja dhe njeri prej ortakëve, duke deklaruar se do të përdoreshin për blerje të metaleve të çmuara në vendin tonë. Nga verifikimet e kryera, rezultoi më pas se shtetasit, të cilët kishin tërhequr këto fonde, kishin deklaruar në kufirin shqiptar fonde me të njejtat vlera me ato të tërhequra, me destinacion jashtë vendit.
Në vijim, rezultoi se:Njeri nga ortakët, shtetasi “M”, ishte përfshirë në një organizatë kriminale tepër të njohur në vendin e tij
Fondet që vinin nga jashtë tërhiqeshin nga administratorja apo ortakët e kompanisë dhe transportoheshin sërish në vendin nga ishin nisur
Nuk rezultonin zhdoganime të kryera në emër të kompanisë “X”
Edhe pse kompania ishte e regjistruar në vendin tonë, nisur nga faturat e paraqitura, aktiviteti i saj zhvillohej jashtë vendit, ndërkohë që fondet vinin në Shqipëri, tërhiqeshin dhe transportoheshin drejt vendit, nga i cili kishin ardhur fillimishtRasti në fjalë është dërguar tek organet e hetimit për ndjekje të mëtejshme.

Një kompani e ngjashme fiktive u regjistrua në Kavajë
DPPP raporton rastet, duke ruajtur privatësinë e të hetuarve prej saj, në përputhje me ligjin përkatës. Por një rast i ngjashëm me këtë të raportuar këtu është raportuar nga Prokuroria shqiptare.Ka qenë Simonetta Coniglio, italiane e akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se ka tentuar të pastrojë një shumë financiare prej 2 milionë euro, që ka hapur një kompani të quajtur “Alenfra”.

Fjala ishte për një kompani fiktive, objektivi i së cilës ka qënë tregtimi i gurëve të çmuar, diamanteve. Coniglio, ka zgjedhur qytetin e Kavajës për të bërë qëndrën e biznesit të saj, duke marrë një ambjent me qira. Panamaja, ishujt Bahamas, Shqipëria dhe Tanzania janë katër shtetet e përdorura nga “Alenfra Shpk” për të pastruar 2 milionë euro. Në këtë skemë pastrimi parash, thotë raporti i prokurorisë, janë përdorur tri shoqëri, njëra prej tyre ishte “Alenfra shpk”. Transferta mbërriti në bankë nga shoqëria e huaj “Zebra Investment” me seli në Panama, nëpërmjet një llogarie bankare në Bahamas. Ajo ka transferuar 716.930 dollarë në Tanzani me përshkrimin “blerje 716.93 karat diamante”.

Pas nisjes së hetimeve prokuroria ka faktuar se selia e “Alenfra shpk” në Kavajë ishte fiktive pasi poseduesi i asaj adrese ka deklaruar se nuk e ka dhënë asnjëherë me qira objektin, si dhe nuk ka asnjë njohje me shtetasen italiane.Kompanitë në fushën e metaleve të çmuara janë kaq të rralla në vendin tonë, sa dyshimi bie pikërisht mbi këtë, nisur nga të dhënat e paraqitura nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY