Diplomacia e Genscher, pse nuk na duhet më

Diplomacia e Genscher, pse nuk na duhet më

61
0
Shares

Trashëgimia e Hans-Dietrich Genscherit mbetet busull orientuese deri më sot. E megjithatë në shekullin e 21-të orientimet e politikës së tij kanë mbërritur në limit, mendon kryeredaktori i DW-s, Alexander Kudascheff.

Hans Dietrich Genscher nuk ishte politikani i jashtëm i lindur. Megjithatë ai u bë simboli i ministrit të Jashtëm gjerman, 18 vjet me radhë. Ai e përfaqësonte, e jetonte, ai e mishëronte politikën e jashtme të Republikës Federale. Një politikë gjithmonë e orientuar nga ekuilibrimi – ekuilibrimi i vazhdueshëm me partnerët e tjerë në Europë, në SHBA, por edhe me fqinjët lindorë, në atë kohë ende armiq, dhe me superfuqinë sovjetike. Ky kërkim i vazhdueshëm për kompromise, për linjat e kompromisit, ku shpesh rruga ishte qëllimi, ka qenë melodia kryesore e politikës së jashtme të Genscherit. Toni bazë i politikës gjermane të pasluftës.

Një ton, i cili, me që ra fjala, nuk i pëlqente gjithmonë të gjithëve, sidomos në SHBA. Në Uashington arti i ekuilibrimit politik shihej si një politikë e jashtme e përafërsisë, e paqartësisë, e pavendosshmërisë. Kështu disa homologë nga ana tjetër e Atlantikut e mbanin Genscherin për një partner të pasigurtë, të lëkundur, “compagnon de route”. Manovrueshmërinë, të cilën e ai zotëronte aq mirë dhe me virtuozitet, madje përtej hendeqeve të thellë të armiqësisë, Uashingtoni e shihte si një politikë të jashtme pa bosht.

Busull orientuese deri më sot

Politika e jashtme e Genscherit është kthyer në busull të politikës gjermane, të politikës gjermane të bashkimit. Pra politikë e jashtme gjermane, sot në Berlin si më parë në Bonn, do të thotë mundësisht të ruash marrëdhënie të mira me të gjithë, e në rastin më të keq të mos e ndërpresësh komunikimin. Një politikë e tillë e jashtme është e thellë dhe bazohet në të përbashkëtat europiane – edhe pse shpesh kritike – ajo është e rrënjosur në politikën perëndimore të aleancës. Ajo kërkon gjithmonë kompromisin, ekuilibrin, -së fundmi e tregon këtë qëndrimi ndaj Moskës në krizën e Ukrainës. Kjo politikë nuk e këputi fillin e komunikimit, duke mbajtur e xhongluar në të njëjtën kohë me shumë topa diplomatikë. Ky lloj virtuoziteti i Genscherit ëshët kthyer në model orientues për pasardhësit e tij,- deri më sot. Klaus Kinkel, Joschka Fischer, Guido Westerwelle apo Steinmeier – të gjithë kërkonin dhe kërkojnë shtendosjen e konflikteve apo rrezikut të luftës me mjetet e diplomacisë.

Politika e jashtme gjermane është për këtë arsye gjithmonë një diplomaci e qëndrimit të rezervuar në pikëpamjen ushtarake, qoftë në misionin në Ballkan apo Afganistan. Në sytë e krerëve të diplomacisë gjermane, lufta jo vetëm që është alternativa më e fundit, por ajo nuk është alternativë në vetvete. Politika e jashtme gjermane, tek e cila ka lënë gjurmën e pashlyeshme Hans Dietrich Genscher, është diplomacia pa armë, pa ushtri. Politika e jashtme gjermane përdor në vend të kësaj „soft skills“, mjetet e buta, forcën e bindjes në vend të topave. Natyrisht ky është mësim nga Lufta e Dytë Botërore, por ai vepron ende, edhe 70 vjet pas luftës në politikën e jashtme gjermane.

Koha e vetëpërmbajtjes ka marrë fund

Po t’i pyesësh gjermanët, ata e shohin veten me dëshirë si „Zvicra e gjelbër“: të rehatuar mirë brenda mirëqenies së tyre, të preokupuar me veten dhe mundësisht larg botës. Por ky është iluzion. Gjermania është një fuqi mesatare e vërtetë, në Europë madje një superfuqi. Në krizën e euros, por edhe në atë të refugjatëve, europianët e tjerë i drejtuan sytë, pjesërisht me habi drejt gjermanëve të vetësigurtë. Një qeveri gjermane që u dikton partnerëve të saj kushte, dhe që nuk është më e preokupuar vetëm të ruajë konsesusin harmonik mes të gjithëve – së paku jo në kurrizin gjerman.

Këtu bëhet e qartë se politika e jashtme e Genscherit, sa racionale dhe e mençur në mosmbivlerësimin e ndikimit të saj, ka mbërritur në limite në shekullin e globalizimit. Sigurisht Gjermania nuk do zbulojë papritur me arrogancë dhe në mënyrë të paarsyeshme mjetet luftarake – por ajo është më e kërkuar se kurrë. Koha e vetëpërmbajtjes ka marrë fund. Politika e jashtme gjermane, sigurisht duke ndjekur gjurmët shpirtërore të Hans-Dietrich Genscherit, do duhet të përgatitet për këtë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY