Tregu i drogës në Europë gjeneron 24 miliardë euro në vit. Kjo është gjetja e raportit të Komisionerit për Çështjet e Brendshme në BE. Ai gjithashtu thekson se nuk është i vetmi aktivitet i paligjshëm që sjell përfitime për krimin e organizuar, duke shtuar edhe terrorizmin dhe trafikimin e qenieve njerëzore në to.
Raporti u publikua nga Komisioneri Dimitris Avramopulos. Raporti është publikuar si një udhërrëfyes për Europolin dhe policitë e tjera të BE-së.
Në të vlerësohet se aktivitetet e paligjshme sjellin mbi 30 miliardë euro në vit për organizatat kriminale, ku pjesën më të madhe e zë droga.
Në këtë raport shkruhet se droga mbetet problemi kryesor që kërcënon ligjin në vendet e BE-së dhe më pas terrori me trafikimin e qenieve njerëzore.
Sipas këtij raporti, 38 % të tregut të drogës e zënë bimët narkotike, pra kanabisi që gjeneron 9.3 miliardë euro çdo vit fitime për trafikantët dhe prodhuesit.
Po kështu, me gjithë operacionin policor në Lazarat, Shqipëria zë sërish vendin e parë ndër Europë për prodhim kanabisi dhe shitjen e tij në tregjet e paligjshme europiane. Pas saj vjen Holanda, ku ky mall distribuohet, duke shkelur shumë herë edhe ligjet për konsumin e tij.
Edhe Çekia zë një pjesë të rëndësishme të këtij tregu së bashku me Marokun, Spanjën dhe Afganistanin.
Në vend të dytë, droga që sjell më shumë të ardhura del të jetë heroina. Ajo zë 28 % të këtij tregu duke gjeneruar 5.8 miliardë euro në vit.
Me gjithë operacionet e mëdha që janë bërë përgjatë vitit 2015, ku u sekuestruan më shumë se 3300 tonë heroinë anembanë Europës, trafikantët e saj kanë gjetur shtigje të reja.
Heroina, që rrjedh prej opiumit, vjen nga vendet e Kaukazit përmes Turqisë, Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sa i përket vendit të tretë, atë e zë kokaina, e cila ka 24 % të tregut me 5.7 miliardë euro çdo vit. Më pas vijnë afetamina dhe metamfetamina me 8 % dhe 1.8 miliardë euro në vit.
Pas tyre renditet ekstazi me 2 % dhe disa substanca të tjera psikoaktive.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/