Ilda Dervishi, 28-vjeçarja e cila mbeti e vrarë mëngjesin e së mërkurës nga bashkëshorti i saj, Gardisti Admir Dervishi, kishte kërkuar urdhër – mbrojtje ndaj tij që në vitin 2013, raporton TV “Klan”. Ajo e kishte denoncuar dhunën dhe torturën e ushtruar prej tij në Gjykatën e Tiranës.
Kërkesa Gjykatës së Tiranës
Në përfundim të gjykimit, Gjykata pasi administroi provat, shqyrtoi e bisedoi çështjen në tërësi dhe dëgjoi paditësen e cila kërkoi pranimin e kërkesë-padisë dhe të paditurin i cili deklaroi se është dakort,
VËREN:
Se paditësja Ida Dervishi ka paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesë-padinë me objektin e sipërpërmendur.
Gjykata, në bazë të nenit 18/1/b të Ligjit Nr. 9669, dt. 18. 12. 2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar, brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesë-padisë, shqyrtoi këtë çështje në seancë gjyqësore në prani të paditëses dhe të të paditurit.
Gjykata pasi studioi materialet e çështjes civile të paraqitur për gjykim, në bazë të nenit 36 të K. Pr. Civile në të cilin parashikohet shprehimisht se: “Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile e mosmarrëveshje të tjera të parashikuara në këtë kod e në ligje të veçanta”, duke qenë se ndodhemi përpara një mosmarrëveshjeje civile, çmoi kryesisht se çështja e paraqitur është në juridiksionin gjyqësor.
Lidhur me kompetencën tokësore, Gjykata vëren se në nenin 41 të K. Pr. C. parashikohet se: “Paditë që rrjedhin nga marrëdhënie civile, mund të ngrihen si në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri, ashtu edhe në gjykatën e vendit ku ka banimin paditësi”. Gjithashtu, në bazë të nenit 42 të K. Pr. C.: “Padia ngrihet edhe në vendin ku i padituri ka vendbanimin ose vendqëndrimin e tij”. Duke qenë se i padituri Admir Dervishi e ka vendbanimin në Tiranë, kjo Gjykatë është kompetente nga pikëpamja tokësore për të gjykuar këtë çështje.
Gjithashtu Gjykata, në vështrim të neneve 71, 72 dhe 73 të K. Pr. C, konkludoi se nuk ekzistojnë për të shkaqe papajtueshmërie ose përjashtimi nga ky gjykim.
Në bazë të nenit 13/1/a të Ligjit Nr. 9669, dt. 18. 12. 2006 në të cilin thuhet se: “Kërkesën për urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes mund ta paraqesin: a) vetë viktima ….”, paditësja Ida Dervishi legjitimohet për të ngritur këtë kërkesë përpara kësaj Gjykate.
Gjatë këtij hetimi gjyqësor, paditësja Ida Dervishi parashtroi se me të paditurin Admir Dervishi kanë lidhur martesë ligjore dhe bashkëjetojnë prej 6 vjetësh. Nga kjo bashkëjetesë ata kanë lindur një fëmijë: djalin Kledion Dervishi me dtl. 23. 08. 2010.
Paditësja deklaroi në seancë gjyqësore se: “Marrëdhëniet me të paditurin kanë qenë shumë të këqija që në fillim duke më sharë dhe duke më rrahur. Ka filluar t’i fusë stres dhe djalit, pasi i thotë gjëra të këqija për mua. Ai nuk më le të bëj asgjë, as të dal, as të shkoj tek nëna ime e cila është e paralizuar dhe unë i bëj shërbim të shtunën dhe të dielën, duke e larë, pasi ajo nuk ka njeri. I padituri nuk më lejon dhe më bërtet. Ai më ka qëlluar dhe me grushte , më ka ngritur lart e më ka hedhur poshtë në tokë. Ngjarja e fundit ka ndodhur pardje kur pasi erdhi nga puna ku punon si gardist, më qëlloi me grushte në fytyrë. Ai më ka kërcënuar dhe me pistoletë se do të më vrasë. Ai i thotë djalit gjëra të këqija për mua dhe pastaj djali më merr inat dhe më gjuan. Unë e kam kërkuar dhe një herë tjetër urdhrin e mbrojtjes, por nuk e mora letrën pasi e fala të paditurin për hir të djalit”.
Paditësja tregoi në seancë gjyqësore disa shenja të nxira në trup në pjesën e kurrizit, qafës dhe fytyrës dhe deklaroi se janë bërë nga dhuna që ka ushtruar i padituri mbi të. Në materialet e ardhura nga Komisariati i Policisë Nr. 4 Tiranë rezulton se nga oficerët e policisë gjyqësore është marrë me dt. 02. 05. 2013 vendim për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor lidhur me dëmtimet që vihen re në trupin e paditëses Ida Dervishi. Ky fakt u provua me Akt Dëshmi Mjeko-ligjore Nr. 519, dt. 04. 05. 2013 të Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili u paraqit si provë në seancën gjyqësore të dt. 24. 05. 2013.
Gjatë shpjegimeve të saj, rezultoi se e ndodhur në këtë situatë paditësja ndjehet shumë e kërcënuar dhe e frikësuar për jetën e saj nga veprimet e dhunshme të të paditurit.
Ndërsa i padituri Admir Dervishi deklaroi se: “Sa deklaroi paditësja nuk janë të vërteta. Problemi ynë i vetëm është nëna e paditëses, e cila është e paralizuar dhe ajo do që ta marrë në shtëpinë tonë dhe më ka thënë se do të ndahet nëse nuk e marrim. Unë i kam thënë se po qe për mamanë unë nuk e dua në shtëpi dhe le të ndahemi. Unë jam mbrojtur nga paditësja, por nuk kam ushtruar dhunë. Pardje ajo më kishte zënë derën me thikë dhe unë i futa vetëm një pëllëmbë. Pastaj ajo iku tek komshia”.
Paditësja deklaroi se: “Nuk është e vërtetë se dua të marr nënën në shtëpi, por dua vetëm t’i shërbej. I padituri nuk do që të shkoj tek nëna, pasi më thotë se nëna do të më gjejë burrë dhe të më ndajë prej tij. Unë e heq bukën nga goja ime për t’ja dhënë tim biri, ndërsa ai shpenzon nëpër lokale. Ai e mëson djalin të më thotë fjalë të këqija, qelbësirë, budallaqe, debile dhe më qëllon me çfarë të ketë në dorë.”
Lidhur me sa shpjegoi dhe pretendoi paditësja Gjykata vëren se në kuptim të nenit 3/4 të Ligjit Nr. 9669, dt. 18. 12. 2006, në të cilin thuhet se: “Viktimë është personi mbi të cilin është ushtruar dhunë”, Gjykata krijon dyshimin e arsyeshëm se paditësja është një viktimë në kuptim të këtij neni, pasi siç u deklarua prej saj, ndaj saj është ushtruar dhunë psikike, morale dhe fizike nga bashkëshorti i saj, i padituri Admir Dervishi.
Në kuptim të nenit 3, pika 1 të Ligjit Nr. 9669, dt. 18. 12. 2006, në të cilin thuhet se: “Me dhunë kuptohet çdo veprim apo mosveprim të një personi nga një person tjetër, që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social-ekonomik”, Gjykata krijon dyshimin e arsyeshëm se i padituri Admir Dervishi ka ushtruar dhunë psikike dhe morale e fizike ndaj paditëses Ida Dervishi.
Për këtë arsye paditësja me të drejtë ka kërkuar lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes duke kërkuar mbrojtje ligjore për veten e saj në bazë të Ligjit Nr. 9669, dt. 18. 12. 2006, i ndryshuar.
Duke u mbështetur në këtë konkluzion, me Vendimin Nr. 12883 Akti, dt. 04. 05. 2013 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndër të tjera, vendosi:
“Pranimin e kërkesës për lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes për paditësen Ida Dervishi që konsiston në marrjen e masave si më poshtë:
Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër tjetër dhune në familje ndaj paditëses Ida Dervishi.
Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo komunikojë drejtpërdrejtë ose tërthorazi me paditësen Ida Dervishi.
Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të mos i afrohet paditëses Ida Dervishi përtej një distance prej 500 m.
Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të largohet dhe të mos i afrohet banesës ku jeton aktualisht paditësja Ida Dervishi përtej një distance prej 500 m.
Ky urdhër i menjëhershëm mbrojtje i fillon efektet që nga dt. 04. 05. 2013.
Data e gjykimit për vërtetimin e këtij urdhri në Gjykatë do të jetë dt. 24. 05. 2013, ora 14.00.”
Gjatë seancës gjyqësore për vërtetimin e këtij urdhri në dt. 24. 05. 2013, paditësja deklaroi se i qëndron pretendimeve të dhëna më parë në seancën e kaluar. Ajo deklaroi gjithashtu, se gjatë periudhës kohore ndërmjet dy seancave gjyqësore, i padituri nuk e ka respektuar tërësisht vendimin e Gjykatës, pasi ajo nuk ka mundur të shkojë në shtëpi nga frika se aty mund të shkojë edhe i padituri. Paditësja deklaroi se nuk heq dorë nga kërkesa për urdhrin e mbrojtjes dhe kërkoi që urdhri i mbrojtjes të shtrihet për një periudhë 12 mujore.
I padituri Admir Dervishi, deklaroi në seancë gjyqësore se: “Unë që ditën që ka dhënë urdhrin Gjykata, kam marrë gjërat e mia dhe jam larguar nga shtëpia. Unë pagova qiranë e shtëpisë për muajin maj dhe dritat e ujin dhe ia dorëzova kopjen time të çelësave zonjës së shtëpisë. Unë mora disa rroba, e të tjerat i kam lënë aty.
…Nuk kam kontaktuar fare me paditësen që nga ajo ditë dhe as e kam shqetësuar fare.
…Në telefon më ka marrë paditësja me numër të fshehur dhe më ka nxjerrë djalin për të folur. Pastaj më ka folur vetë dhe nëna e saj e cila më ka thënë se djalin nuk do ta marr sa të jetë ajo gjallë. Kur më ka dalë paditësja në telefon i kam thënë se nuk doja të flisja me të. Hera e fundit kur kam folur me djalin mund të ketë qenë ditën e hënë në darkë.” Në përfundim të gjykimit i padituri deklaroi se është dakord me kërkesat e paditëses.
Këto thënie të të paditurit u konfirmuan dhe nga paditësja në gjykim.
Lidhur me pretendimin e paditëses se ajo nuk ka mundur të shkojë në shtëpi për shkak të të paditurit, Gjykata vëren se përveçse konstatohet fakti që paditësja ka ende frikë nga i padituri, ky i fundit nuk rezulton që të ketë kryer ndonjë veprim tjetër dhune ndaj saj, apo që ta ketë penguar paditësen të shkojë në shtëpi, që prej datës së dhënies së urdhrit të menjëhershëm nga Gjykata. Ndaj ky pretendim i paditëses është i pabazuar.
Në përfundim, në bazë të nenit 20 të Ligjit Nr. 9669, dt. 18. 12. 2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar, Gjykata pasi verifikoi urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes të lëshuar me Vendimin e saj Nr. 12883 Akti, dt. 04.05.2013, konkludon se kërkesë-padia duhet pranuar si e bazuar në prova e në ligj, sipas kërkimeve të bëra nga paditësja sa sipër.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/