Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim deputetët e parlamentit gjerman, përfaqësues të partisë së kancelares Angela Merkel, Peter Weiss, Andreas Lämmel, Peter Beyer.
Zoti Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që CDU po i jep Partisë Demokratike në hartimin e programit elektoral dhe betejën e saj për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike dhe shtetin ligjor.
Një vend të veçantë në bisedën e zotit Basha me deputetët gjerman zuri alternativa e Partisë Demokratike dhe standardet e demokracisë në funksionimin e saj.
Partia Demokratike ka shpallur alternativën e saj qeverisëse për një ekonomi që prodhon, punëson dhe pasuron shqiptarët. Në programin e Partisë Demokratike parashikohen taksat më të ulëta në rajon, përmirësimi i klimës së biznesit, investimet në infrastrukturë, mbështetja financiare për bujqësinë dhe në vecanti përmirësimi i klimës së biznesit, në mënyrë që vendi të bëhet tërheqës për investime të huaja që hapin vende pune.
Zoti Basha ka marrë vlerësimet dhe mbështetjen e deputetëve gjermanë të CDU për lidershipin e demonstruar në këtë standard të ri për demokracinë në Shqipëri, si dhe për betejën për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Deputetët e Bundestagut kanë vlerësuar vizionin e zotit Basha dhe alternativën e tij për zhvillim ekonomik dhe punësim. CDU dhe grupi parlamentar i CDU/ CSU, theksuan deputetët gjermanë do të mbështesin Partinë Demokratike si alternativë që i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve për të sotmen dhe të nesërmen e saj europiane.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/