FOTO/ Gjirokastra në “luftë” me Sarandën…, po “i rrëmbejnë” aeroportin

FOTO/ Gjirokastra në “luftë” me Sarandën…, po “i rrëmbejnë” aeroportin

139
0
Shares

Maketi i projektit për aeroportin e Gjirokastrës

Frika se mos aeroporti i planifikuar për në jug të Shqipërisë do ndërtohet në Sarandë, ka bërë që Gjirokastra, qytetarët e saj, të krijojnë një forum me efekt lobues me qëllim që kjo mos ndodh, pra jo në Sarandë, por të ndodhë tek ata, në Gjirokastër, me rijetëzimin e aeroportit ekzistues.
Ky reagim vjen pas vendimit të qeverisë për liberalizmin e fluturimeve ajrore, ku ndërtimi i aeroportit të jugut bëhet dhe më i afërt.
Kështu pra, faktorë të ndryshëm në qytetin muze, po lobojnë për rikthimin e fluturimeve në aeroportin  një shekullor të qytetit, që ka gjetur vend dhe në disa vepra të Kadaresë, shkrimtarit të madh gjirokastrit.
Ditët e fundit është iniciuar edhe krijimi i Forumit Qytetar për Rijetëzimin e Aeroportit të Gjirokastrës. Pjesë e tij janë intelektualë dhe  specialistë të fushave të ndryshme,  të cilët kanë si synim mbështetjen e nismave për rivitalizmin e aeroportit.
“Fillimisht ky forum ka qenë një iniciativë në rrjetet sociale e cila është mbështetur nga rreth tre mijë persona ndërkohë që ne vazhdojmë të mbështesim nismat e ndërmarra së fundi nga faktorët e ndryshëm lokalë dhe qendrorë për rikthimin e fluturimeve në aeroportin e qytetit”, shprehen përfaqësuesit e forumit.
Sipas tyre, ky organizim është zëri i komunitetit në përpjekjet për rikthimin e fluturimeve në aeroportin e Gjirokastrës. Ditët e fundit, përfaqësues të këtij forumi zhvilluan edhe takime me pilotë me përvojë të cilët i janë bashkuar nismës për rivitalizmin e aeroportit të Gjirokastrës. Madje ata i kanë dërguar edhe një letër interesi kryeministrit Edi Rama për rikthimin e fluturimeve në këtë aeroport si një mundësi e mirë për nxirjen e zhvillimit ekonomik të rajonit të Gjirokastrës dhe Jugut të vendit në përgjithësi. “
Edhe në të ardhmen ne do të vazhdojmë nismat qytetare në mbështetje te nismës për rivitalizimin e aeroportit të Gjirokastrës”, shprehen përfaqësuesit e forumit.

Historiku i aeroportit njëshekullor

mjediset-aktuale-te-aeroportit-te-gjirokastresMjediset aktuale të aeroportit të Gjirokastrës

Ishte shtatori i vitit 1924, kur autoritetet shqiptare pranuan kontratën me shoqërinë “Adria -Aero-Llojd” dhe nxitën daljen e një projekt-ligji, i cili do të çelte siparin e historikut të aviacionit civil në vendin tonë. Ky projekt ligj bënte fjalë për vendosjen e linjave të rregullta të trafikut të aviacionit civil në linjat Tiranë-Shkodër-Durrës-Berat-Vlorë-Gjirokastër. Më vonë hartës së udhëtimeve civile nëpërmjet ajrit iu shtuan edhe Korça, Kukësi dhe Peshkopia.
Në një studim të Shoqatës Italiane për Zhvillim (V. S. P.) (Volontari Senior Profesionali), të hartuar vitet e fundit dhe që ka në qendër aeroportin e Gjirokastrës, përmendet fakti se: “Linja ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë u inaugurua në 11 gusht 1929”. Këto fluturime bënë të mundur lidhjen e qendrës së Jugut të Shqipërisë me kryeqytetin në një kohe të shkurtër. Megjithatë fluturimet e avionëve të vegjël që përdoreshin në këtë linjë realizoheshin vetëm në kushte atmosferike normale. Vështirësive të motit për kryerjen e fluturimeve i shtoheshin edhe gjetja e ekuipazhit që do të kryente shërbimin. Fillimisht në këtë linjë fluturimesh ka operuar një ekuipazh i reduktuar gjerman dhe më pas një ekuipazh i përbërë nga pilotë italianë.
Krahas pasagjerëve në linjën Gjirokastër-Tiranë dhe anasjelltas avionët realizonin edhe transportimin e postës. Për këtë linjë fluturimesh përdoreshin dy-tre aeroplanë të lehtë të tipit “Albatros E” dhe “Albatros G”, të cilët kishin nga tre vende secili. Në vitin 1932 marrëveshja me gjermanët u abrogua dhe qeveria Mbretërore Shqiptare ia dha konçensionin për shërbimin ajror civil shoqërisë italiane “Ala -Littoria”. Kësaj periudhe i përket edhe ndërtimi dhe sistemimi i aeroportit të Gjirokastrës në përputhje me kushtet teknike të fluturimeve të asaj kohe.
Në vitet ’30-’40 të shekullit të kaluar ky aeroport do të kishte një funksion të dyfishtë, atë civil dhe ushtarak. Në këtë kohë në pistën e aeroportit të Gjirokastrës u vendosën rreth 30 aeroplanë transporti, bombardues, civilë, etj. Krahas pistës së modernizuar edhe shërbimi në fluturimet civile erdhi në rritje. Gjatë kësaj kohe për fluturimet civile përdoren aeroplanë të tipit “Breda 44″. Linjat kryesore të fluturimeve të kësaj periudhe që kishin si stacion aeroportin e Gjirokastrës do të ishin : Tiranë-Vlorë-Gjirokastër-Tiranë dhe Tiranë-Korçë-Gjirokastër-Tiranë. Ky lloj transporti do ti vinte ndjeshëm në ndihmë lëvizjes së pasagjerëve nga Jugu i vendit në drejtim të zonave të tjera. Grupet e pasagjerëve që udhëtonin me avion në linjat e aeroportit të Gjirokastrës ishin nga më të ndryshmet, tregtarë, administratorë, punonjës të administratës shtetërore, etj. Për tu përmendur është fakti se krahas fluturimeve në linja të rregullta shpesh nga aeroporti i Gjirokastrës niseshin edhe çartera me destinacion të përcaktuar nga klientët e interesuar kryesisht në drejtim të Napolit dhe Brindizit.
Vitet  ’90 e gjejnë aeroportin e Gjirokastrës në gjendje pune kjo falë kujdesit dhe mirëfunksionimit të tij në vitet e mëparshme ku rregullat e forta ushtarake e mbajtën në kushte optimale. Në këto vite  aeroporti i Gjirokastrës u përdor prej ministrisë se Mbrojtjes si dhe për rastet e emergjencave shëndetësore , shërbime bujqësore   dhe për autoritet e ndryshme që vizituan Gjirokastrën  në ditë të mira dhe  problematike. Avionët e shoqërisë  amerikane MAF  në vitet ’90 përdorën këtë aeroport në funksion të riaktivizimit të linjës ajrore Tiranë – Gjirokastër – Korçë – Tiranë.  Aktivitet ky që na kujtoje vitet e shkuara kur ky aeroport ka qenë një nga më të rëndësishmit e Shqipërisë. Në  ditët e vështira të vitit ’97 pista e këtij aeroporti u përdor nga helikopterë të shumtë  vendas dhe të huaj. Mund të kujtojmë se këtu u ulën  me helikopter, ish Kryeministri Italian Romano Prodi,  ish Kancelari austriak Vranicki etj.  Pas  vitit ‘ 97 për arsye nga më të ndryshmet ky aeroport u la në abandonim total  edhe pse ai është akoma sot nën varësinë e Ministrisë se Mbrojtjes dhe konkretisht të Forcave Ajrore. Pushteti vendor i Gjirokastrës( Qarku  dhe  Bashkia)  gjithmonë kanë shprehur interesim për rehabilitimin dhe rivënien në funksion të këtij aeroporti. Ne funksion të kësaj  janë organizuar shume takime me drejtuesit e ministrie se Mbrojtjes dhe Komandës së Forcave Ajrore si dhe me Drejtorinë e Aviacionit Civil në Tiranë si dhe me faktorin e huaj.
  /tesheshi.com/

Për më shumë mund të lexoni edhe …

Gjirokastra 80 vjet më parë me aeroport, sot ia rrëmben Saranda
/web/Gjirokastra_80_vjet_me_pare_me_aeroport_sot_ia_rremben_Saranda_1713_1.php

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY