Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë votoi sot emërime të reja të gjyqtarëve për plotësimin e 2 vendeve vakant, në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe 2 vendeve vakant, në Gjykatën e Apelit Durrës. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e gjyqtarëve znj. Hajrie Muçmata dhe z. Aleks Nikolli në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe të gjyqtarëve znj. Anita Mici dhe z. Arben Vrioni në Gjykatën e Apelit Durrës.
Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli diskutoi mbi informacionin në lidhje me shqyrtimin gjyqësor për konstatimin e humbjes së efekteve të masës së sigurimit për shtetasin D.K.” të Prokurorit të Përgjithshëm, ku në përfundim të këtij diskutimi, me dakortësi edhe të ministrit të Drejtësisë, vendosi që të priten rezultatet e inspektimit të ndërmarrë për këtë çështje nga ministria e Drejtësisë.
Më tej anëtarët shqyrtuan kërkesën e ministrit të Drejtësisë për përfshirje në rendin e ditës në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të një inspektimi tematik në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, duke marrë shkas nga shqetësimi i bërë publik nga ministri i Punëve të Brendshme për vendimin e një gjyqtari pranë kësaj gjykate. Pas diskutimeve u ra dakord kryerja e inspektimit tematik të përbashkët midis Inspektoratit të KLD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me, respektimin e afateve të gjykimit, për dy vitet e fundit, të çështjeve gjyqësore që kanë të bëjnë me pronat, ashtu si dhe lidhur me masat e sigurimit personal.
Gjithashtu, në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi realizimin e një inspektimi tematik në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës në lidhje me shpejtësinë në gjykimin e çështjeve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/