RETRO/ “Thënie lapidar” të Elisa Spiropalit, për të cilat do ta kishte...

RETRO/ “Thënie lapidar” të Elisa Spiropalit, për të cilat do ta kishte zili edhe Joleza Koka

215
0
Shares

Është e njohur fuqia e televizionit. Për këtë arsye edhe Joleza Koka, kryetare e FRESSH, arriti që për disa ditë të ishte objekt mediatik, për shkak të deklaratës së saj, “të bëfsha gjeneratën”, pse nuk mbante mend ku ishte ngrysur e ku ishte gdhirë…
Por, në rast se intervista e mëposhtme e Elisa Spiropalit, do të ishte me zë e me figurë dhe jo  e zeza mbi të bardhë, Joleza Koka nuk do të kishte shans të merrte për disa ditë vëmendjen mediatike…, para Elisa Spiropalit…
Nuk ju besohet…?!
Lexoni intervistën e mëposhtme të Elisa Spiropalit, dhe “thëniet lapidar” të saj, “do ju lënë pa frymë”…!



spiropaliSi e ka gjetur kjo verë Elisën?

Vera më gjeti mua si i gjeti të gjithë, duke e pritur. Nuk besoj se stinët kanë kohë të tepërt dhe as ndonjë interes specifik të më gjejnë ku jam. Nuk më gjeti dhe as nuk e gjeta verën. Vera thjesht erdhi. Madje as nuk erdhi, por e solli i dashuri i saj i përjetshëm, ndoshta burri i saj, kalendari, i cili, s’është çudi, mes tri stinëve femra të ketë preferuar më të ngrohtën.


Tashmë keni lënë pas fushatën elektorale; sa impenjative ishte për ju, mendoni se ju është shpërblyer puna e bërë?
Fushatën nuk e lamë. Fushata mbaroi sepse fushatat elektorale kanë një prag kronologjik, pas të cilit prag, nis e bekuara punë, të cilën disa mezi e presin, të tjerë nuk duan të vijë kurrë. Sa na u shpërblye lodhja e fushatës, e treguan rezultatet e zgjedhjeve. Superfituam, domethënë u supershpërblyem me një superavantazh, i cili na la pas një superproblem; superpërgjegjësitë e supërpunëve që na presin.


Hera e parë që largoheni kaq shumë nga Nalta; kush ia ndjeu më shumë mungesën njëra-tjetrës?
Nalta nalt, unë pak më poshtë, nuk ndahemi kurrë nga njëra-tjetra. Për një gjë më vjen keq: që këtë herë nuk e mora dot Naltën në tubimet elektorale në Farkë, Sauk, Selitë, Lundër, Kodrën e Diellit etj., të shihte dhe dëgjonte me sytë dhe veshët e vet me cilët do ketë të bëjë kur të rritet. Mend për tjetër herë.


Si e keni koordinuar kohën mes angazhimeve në politikë dhe mëmësisë?
Unë nuk kam kohë “në mes”. Koha “në mes”, për mua është zero. Unë nuk kam kohë të lirë, madje as nuk e di çfarë është. E gjithë koha ime është e mbushur me angazhime dhe mëmësi. Mes punës dhe mëmësisë sime ndodhet megjithatë një kohë e shkurtër e ndërmjetme, koha që përshkoj distancën nga punët te shtëpia, nga angazhimet te mëmësia. E përshkoj shpejt këtë distancë për të vajtur sa më parë te Nalta, të cilën pothuaj gjithmonë e gjej duke luajtur një muzikë të çuditshme, duke kënduar me të qara disa ‘allegro molto apasionato’ të padeshifrueshme, shoqëruar nga tingujt e violinave të erës që vijnë nga dritarja. Lëre mos e pyet, Paganin shkuar Paganinit.


Sa e ka ndryshuar Elisën ardhja në jetë e Naltës?
Nalta nuk erdhi vetë në jetë. Nalta nuk ra nga qielli dhe as nuk doli nga sqetulla ime. Naltën në jetë e sollëm unë me Salarjonin, sipas një procedure të cilën e zbatuam me rigorozitet të lartë pa i lënë asgjë mangët. Megjithatë, pavarësisht nga rënia apo ardhja, Nalta më ka bërë më të fortë, më të shëndetshme, dhe, me sa thonë, më të bukur, por kjo e fundit, sigurisht, u thuhet të gjitha mamave të reja në formën e një ngushëllimi të këndshëm të padëmshëm (qesh). Ka ndryshuar marrëdhënia me bashkëshortin tuaj pas ardhjes në jetë të vajzës? Ka ndryshuar shumë. Nëse më parë Salarjoni të gjithë kohën ma dedikonte mua, tani koha e tij është e pjesëtuar mes meje dhe Naltës. Të presim të shohim si do ta pjesëtojë Nalta kohën mes meje dhe Salarjonit.


Shumë hermetike keni qenë me jetën tuaj private deri në momentin e dasmës; përse kjo zgjedhje?
Se ashtu më tha mendja. Unë nuk jam aktore kinemaje apo stiliste apo pasareliste që t’i komunikoj publikut jetën time private. Publiku nga unë pret të mësojë çfarë mendoj për ekonominë, politikën, qeverisjen, dhe të tjera të tilla, çka edhe sa kam mundur e kam bërë, duke u kujdesur të mos përhapem si vaji në lakra për të kënaqur kuriozitete të sëmura.


Si jeni njohur me bashkëshortin tuaj, a ka qenë një dashuri me shikim të parë?
Me shikimin e parë, me dëgjimin e dytë, me prekjen e tretë, me nuhatjen e katërt, unë nuk di nga këto. U pëlqyem dhe kaq.


Një femër në karrierë, por edhe një nënë, çfarë ju mungon për të qenë tërësisht e realizuar?
“Tërësisht e realizuar” është fjalë e madhe me kuptim të papërcaktuar. Preferoj të vazhdoj të jetoj krahas ndjesisë nxitëse se të gjitha i kam dhe të gjitha më mungojnë. “Realizimi” integral tentohet, por kurrë nuk arrihet, kurrë nuk është i plotë, sado i suksesshëm të jesh. Më duket dhe herët të mendoj që tani për “realizimin”.


Në ekran transmeton idenë e një femre të “hekurt”; a jeni e tillë edhe kur “zhvishni” kostumin e politikanes?
Në televizor preokupohem më tepër “të dëgjohem mirë” sesa “të dukem mirë”. Gjithsesi, nuk jam e hekurt, e florinjtë apo e bakërt. Jam kështu si jam, si çdo njeri, me 206 kocka, 2 sy, 2 veshë, 1 zemër, 2 veshka, gjithsej 53 kilogramë. “Kostumin e politikanes” nuk e heq kurrë edhe po të dua. Me atë kostum kam lindur.


A është një botë e egër politika për femrat shqiptare?
Sigurisht! Jo vetëm për femrat, edhe për femrat edhe për meshkujt, pra për të gjithë. Me gjithë përpjekjet për të ndryshuar, në disa nivele ende vendosin njerëzit me muskuj.


Keni bërë kompromise në jetën tuaj për t’iu përkushtuar më shumë karrierës? Nga çfarë ju është dashur të hiqni dorë?
Nuk kam bërë dhe nuk do bëj asnjë kompromis të tillë. Nuk kam hequr dorë nga asgjë. Ajo që ju e quani “karrierë”, për mua është thjesht “punë”. Mendoni se femrat janë më të suksesshme se meshkujt në poste drejtuese? Në poste drejtuese nuk janë më të suksesshme as femrat, as meshkujt, por të përkushtuarit, femra apo meshkuj qofshin.


Për shumë kohë keni drejtuar FRESSH-in. Si e shikoni sot rininë shqiptare, çfarë mangësish kanë?
Është rinia më e fuqishme dhe më e bukur e planetit. Rinisë shqiptare nuk i mungon asgjë. Të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë kanë qenë, janë dhe gjithmonë do jenë, të gjithë dhe të gjitha, tigra dhe luanesha që i ka zili bota.


Cila është pika e dobët e Elisës?
Unë kam vetëm një pikë të dobët: si ta bëjmë Shqipërinë si Zvicra, ose të paktën si Holanda (qesh).


Keni bërë plane për verën, ku do të pushoni këtë vit?
Nuk kemi bërë plane ku do pushojmë. Unë dhe Salarjoni e vendosim brenda ditës ku do vemi të nxihemi. Meqë ra fjala, pse duhet t’i dinë këto gjëra lexuesit e gazetës?!


Si janë përgjithësisht pushimet tuaja, të zhurmshme dhe me aktivitete të shumta, apo të qeta dhe sa më pranë natyrës?
Sa më pranë natyrës, sa më të qeta. Në jug, në ndonjë zgëq të Jonit. Sivjet jemi përgatitur që qetësinë të na e prishë “Paganini i Naltës”.

elisa spiropali
Marrë nga suplementi “Summer Pages”, “Gazeta Shqiptare”, 13. 07. 2015.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY