Vajza që e fejoi familja me burrin 27 vjet më të madh ka rrëfyer netët e tmerrit në shtëpinë e tij, përdhunimet dhe kërcënimet me jetë.
“Martin Haxhiaj erdhi e kërkoi dorën time në shtëpi. Prindërit, pa marrë fare parasysh faktin se ishte 27 vjet më i madh, pranuan të më fejonin. Unë nuk doja, se isha në shkollë ende dhe ai shumë i madh për mua, por familja më detyroi të fejohesha me të. Edhe pse këmbëngula për shumë kohë se nuk dëshiroja të lidhesha me atë person, familja insistoi shumë dhe më detyroi të pranoja fejesën me Martinin” ka treguar vajza. Ajo ka shtuar më tej se në fund të marsit u fejuan dhe pas pak ditësh ai erdhi e mori që të rrinte ca ditë në shtëpinë e tij në Durrës, ku jetonte me familjen.
“Këtu nisi gjithçka. Qëndrova për një javë aty dhe i fejuari më detyronte të kryeja marrëdhënie seksuale pa dëshirë. Ai më përdhunonte çdo natë dhe më kërcënonte se do më vriste nëse do të largohesha prej tij. Kur u ktheva në shtëpi, u tregova prindërve se çfarë më kishte ndodhur dhe iu betova se nuk doja të vazhdoja lidhjen me Martinin”, mësohet të jetë shprehur 15 vjeçarja në Polici.
Martesa e frikshme
Martin Haxhiaj mësohet se ka mbërritur në familjen e vajzës së mitur diku nga fillimi i muajit mars dhe më pas edhe ka kërkuar dorën e saj për nuse. I ati i saj, ndonëse ende nuk dihet se cila ka qenë arsyeja e një pakti të tillë me veten, ka vendosur të pranojë kërkesën e djalit që ishte në moshë të pjekur, pse jo, në dukje edhe i pasur, ndërsa në fakt vajza e tij nuk ishte te shtëpia e saj, pasi ajo e bënte shkollën në një fshat tjetër të Mirditës, ku qëndronte në familjen e tezes. Vajza ka mësuar për kërkesën dhe pasi është njohur me kandidatin për bashkëshort, mësohet se i është thënë të ndërpriste shkollën dhe të kthehej në familjen e saj, ku edhe do të bëhej gati për martesën.
Martin Haxhija, i sapodalë nga burgu, pasi ka qenë i dënuar me 6 vite në qeli për një tentativë vrasjeje, ngjarje e ndodhur në shkurtin e vitit 2010 në Durrës, i ka kërkuar të atit të vajzës ta merrte gruan e tij pa dasmë. Shkak për këtë është bërë fakti që ajo ishte nën moshë dhe e kishin të pamundur të realizonin celebrim, po ashtu edhe fakti se familja e vajzës ishte në kushte tejet të vështira ekonomike, si thuajse pjesa më e madhe e familjeve të asaj zone. Nga të dhënat e marra në rrugë operative mësohet se vajza ka shkuar në shtëpinë e Martinit prej më shumë se një muaji. Është mbajtur në shtëpi një javë dhe më pas, siç edhe e do zakoni, është kthyer në familje.
Sërish, sipas të njëjtave të dhëna mësohet se me të miturën është abuzuar seksualisht përgjatë gjithë javës nga ana e 40-vjeçarit, ndërsa në momentin që vajza është sjellë në familje i ka thënë të atit që refuzonte të shkonte më në familjen e Martinit. I ati, Gj. Gj., i cili mësohet se është i moshës 56-vjeçare, i ka kërkuar vajzës të kthehej në familjen e bashkëshortit të saj dhe të mos bënte atë veprim se do të ishte turp. Mirëpo, përgjatë asaj kohe, kur vajza ka qëndruar një javë në familjen e saj, lajmi i martesës së saj me një burrë shumë herë më të madh në moshë ka tronditur jo pak opinionin publik në Mirditë. Në fakt kanë qenë edhe njerëz të afërt të Martinit, të cilët kanë kërkuar të kontaktojnë me polici emedia që rasti të bëhej publik, ndërsa ekzistonte edhe frika e ndonjë trafikimi të së miturës. Burimet thonë se vajza kishte aplikuar edhe për pasaportë.
Rrëfimi i G….“Jam abuzuar nga burri im. Unë nuk e dua atë dhe as nuk dua të qëndroj më në familjen e tij. Nuk dua të kthehem më atje, pasi babai im më ka dhënë atje kundër dëshirës sime. Unë nuk e dua Martinin. Kam qëndruar me të se më ka bërë presion, më ka kërcënuar me jetën e tim vëllai, që e kam binjak. Nuk dua të kthehem më atje. Më mbroni ju”. Ky është rrëfimi që vajza ka lënë në komisariatin e Rrëshenit, ndërsa ajo nuk është lejuar nga ana e policisë të kthehet në familjen e saj. Sipas të dhënave bëhet me dije se ajo qëndron në banesën e një prej tezeve të saj, ndërsa është vënë në dispozicion të saj prokuroria e Lezhës për të vijuar hetimin e ngjarjes. Sipas burimeve, Martin Haxhija është ndaluar mëngjesin e djeshëm në banesën e tij në zonën e ish- Kënetës dhe më pas është transferuar në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Lezhës.
Në Durrës, Martini iu ka bërë me dije policisë se ai nuk ka abuzuar me asnjë person, por se ai e ka dashur vajzën dhe se ajo ka bashkëjetuar me të me dëshirë. Ai nuk ka pranuar për asnjë moment të ketë ushtruar dhunë fizike apo seksuale mbi vajzën, ndërsa në momentin që i kanë thënë se ajo ka kërkuar urdhër mbrojtjeje pasi ka frikë prej tij, i prangosuri i ka bërë me dije policisë se ai nuk e kuptonte se kush e kishte sajuar atë histori, pasi G. e donte dhe kishte qëndruar me dëshirën e saj në familjen e tij.
Abuzuesi i sapoliruar nga burgu,u gjet pas 10 ditësh nga policia
Martin Haxhija është arrestuar në fundin e shkurtit të 6 viteve më parë, pasi mori kallashnikovin dhe shkoi në oborrin e një familjeje dhe shtiu mbi ta. Një plumb mori kryefamiljarin, ndërsa shkak i atij sulmi me armë ishte bërë zënka që Martini kishte bërë me të birin e personit që plagosi. Për fatin e tyre, familja e GJ. N, në “Shën Vlash” shpëtuan mirë, ndërsa agresori u vu në pranga. Që prej asaj kohe e deri pak muaj më parë, Martini ka qëndruar në burg, ndërsa në momentin që ka dalë përjashta ka nisur edhe aventurën për të gjetur vajzë për martesë. Policia e Durrësit ka pranuar ditën e djeshme se nga materialet që iu kanë referuar nga kolegët e tyre të Lezhës, denoncimi për Martin Haxhijajn është bërë që më 5 prill, pra 10 ditë më parë, ndërsa është bërë e mundur gjetja e tij vetëm ditën e djeshme. Çudia më e madhe lidhet me faktin se denoncimin për vajzën e kanë bërë familjarët e të miturës, të cilët i kanë treguar policisë me detaje të gjitha të dhënat për personin që duhet të gjenin, por policia zyrtarisht ka bërë me dije ditën e djeshme se vetëm në këtë moment u bë e mundur gjetja e tij!
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/