Taksat e larta, papunësia, rënia e fuqisë blerëse, mungesa e investimeve kanë qenë shqetësimet që tregtarët e Sarandës i kanë shprehur kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë bashkëbisedimit me ta në tregjet e qytetit. Një nga tregtarët i tha zotit Basha se në katër muaj kishte bërë vetëm 50 mijë lekë xhiro, ndërsa të tjerë ankohen për dhunë që policia ushtron ndaj tyre kur shesin prodhimet e shtëpisë, për të mbajtur frymën gjallë. Për më të varfrit nuk ka asnjë vëmendje nga qeveria apo bashkia, të cilët detyrohen që dhe ilaçet t’i marrin me listë.
Banore: Pensioni më shkon i gjithi për ilaçe dhe drita. I marr ilaçet borxh tek Gëzimi (farmacisti), 70 andej, 70 korenti. Gjithë pensioni mua më ik.
Basha: Korent dhe ilaçe gjithë pensioni ?
Banore: Korenti dhe ilaçet gjithë pensioni edhe shiringat i blej me lekë. Shiko se çdo hajë burri tashi?! Dy domate kam t’i bëj një sallatë, bën tre herë në ditë antibiotikë.
Basha: Për të gjitha familjet në asistencë ekonomike, familjet me pension invaliditeti, familjet në ndihmë ekonomike, energjinë (deri 200 kë), ilaçet dhe ujin do t’i paguajë shteti.
Banorë: Kam marrë tre herë në telefon bashkinë dhe nuk më është përgjigjur asnjëherë. Çfarë po bëhet? Kanë vënë një kukull në bashki?! Ka mbi një vit që është zgjedhur dhe nuk e njohim se kush është. Rrugë, ujë, drita asgjë më tepër nuk kërkojmë.
Tregtar: Qytet turistik, shiko ku punojmë ne, shiko ku punojmë ne, shiko. Këtu është si stallë kuajsh.
Basha: Rrugë tjetër përveç taksave të ulëta për ekonominë shqiptare nuk ka. Rruga tjetër është kjo që po shikoni, po futet në gropë sepse taksat e larta ia marrin paranë nga xhepi konsumatorit, mbyllin biznesin, mbyllin vendet e punës.
Tregtare: Ne vijmë këtu shesim vetëm aty te dera. Sa dalim një çikë te dera na vjen policia, i themi ne “si ujqërit, si bishë”. Na i merr nga dora, na i hedh poshtë, na ofendon.
Tregtare: Kam që në janar e deri më sot unë s’kam bërë 50 mijë lekë.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte dhe në familjen e Tahire Izetit, 77- vjeç. Ajo ka muaj që përplaset në dyert e OSHEE-së, për shkak se i kanë dërguar një faturë, detyrim të prapambetur të 2011-ës prej 380 mijë lekësh. Zonja Izeti tregon librezën, ku të gjitha detyrimet rezultojnë të paguara.
Basha: Tetor –nëntor 2011?
Banore: Po!
Basha: Po këto janë amnistuar. Janë amnistuar sepse i gjetëm të parregullta ne dhe CEZ-i i pranoi që ishin të parregullta. Kush ua kërkon ju këto?!
Në bashkëbisedim me banorët e Sarandës lideri i opozitës ka theksuar se korrupsioni është plaga më e madhe e shoqërisë e cila i merr 2 milionë lekë cdo familje
Duke shpalosur platformën, zoti Basha shprehu bindjen se me ofertën e Partisë Demokratike vendi do të dalë nga kriza: “Do ta bëjmë këtë me taksat më të ulëta në histori, me 9% taksë të sheshtë, 15% TVSH. Dhe taksat që mblidhen nuk do të shkojnë për palma. Taksat që mblidhen nuk do të shkojnë për Vilma Nushin, për Koço Kokëdhimën, për Ilir Beqën. Taksat do të kthehen në investime publike dhe investime publike që hapin vende pune, që hapin fronte pune.”
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/