Shqiptarëve nuk iu “dalin rrogat”, prekin overdraftet

Shqiptarëve nuk iu “dalin rrogat”, prekin overdraftet

54
0
Shares

Kredia e re për individët në formën “overdraft” u zgjerua me 2.3 miliardë lekë gjatë 2015, duke kontribuar me 74% në zgjerimin e kredisë së re për individët, referoi Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015. Kryesisht overdraft-e, përgjithësisht me dy paga, kanë të punësuarit në administratën shtetërore, ose në privat dhe ata mund ta aksesojnë automatikisht këtë formë kredie nga banka, në momentin që u kanë mbaruar paratë e rrogës.

Banka ka pohuar se për individët, kredia e re u zgjerua me 14.9% ose 3.1 miliardë lekë, e mbështetur kryesisht nga zgjerimi i kredisë “Overdraft”, pesha e së cilës u ngjit në 20% të fluksit të kredisë së re, nga 12% që shënonte në gjashtëmujorin e parë të vitit.

Megjithatë peshën kryesore në kredinë e re dhënë individëve vijon ta zërë ajo “për pasuri të paluajtshme”, ndonëse ajo është tkurrur në krahasim me dy periudhat paraardhëse. Kredia në këtë formë zë 36% të kredisë së re dhënë individëve dhe ka rënë rreth 1.8% gjatë periudhës.

Rritja e barrës së taksave dhe rënia e fondit të pagave në ekonomi duket se, ka vështirësuar përballimin e shpenzimeve mujore vetëm nga pagat. Të dhënat tregojnë se ka një tendencë në rritje të përdorimit të overdraft të individëve.

Ndërsa në anketimin që banka ka bërë në më shumë se 1200 familje për gjendjen e borxhit të tyre ka gjetur se 39% e familjeve e kanë siguruar huanë përmes “burimeve formale” (banka dhe institucione jobanka) dhe në 61% të rasteve nga “burime joformale” (persona fizikë brenda/jashtë vendit dhe hua nga dyqanet), kryesisht në cash.

Gjithsesi, struktura e shpërndarjes së tepricës së huasë orientohet nga “burimet formale” me 71% të tepricës, dhe më pak nga “burimet joformale” me 25% të tepricës. Tre qëllimet kryesore të huamarrjes rezultojnë për “blerje/ riparim prone” (24% e rasteve), “konsum” (39% e rasteve) dhe “zhvillim biznesi” (15% e rasteve).

Kjo shpërndarje vijon të zhvendoset në favor të huamarrjes për konsum. Nga ana tjetër, shpërndarja e tepricës së huasë sipas qëllimit të përdorimit paraqitet ndryshe, ku rreth 40% e kësaj teprice deklarohet për ”blerjen/riparimin e një prone”, 38% për ”zhvillimin e një biznesi” dhe vetëm 8% për qëllime ”konsumi. /Monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY