Partia Demokratike, përshëndet nisjen e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP nëpërmjet nj deklarate të deputetes Jorida Tabaku.
Por në vijim Tabaku thekson se sot edhe një herë, u pa se sa qesharak bëhet Kryeministri, i cili jo vetëm nuk përmend asgjë për punën e mëparshme, por i kapur rëndë nga sindroma e vitit zero flet sikur projekti lindi ditën që ai erdhi në pushtet.
“Ekonomia shqiptare ende vazhdon të mbahet në patericat e investimeve të qeverisë së shkuar sepse vetë Edi Rama ka të tjera prioritete: pasurimin e tij dhe oligarkëve të tij përmes tenderave dhe koncesioneve korruptive me paratë e taksave të rritura të shqiptarëve.
Ekonomia sot reflekton plotësisht dështimin e zotimeve që ky kryeministër bëri 3 vjet më parë.
Edi Rama ka mbi supe damkën e rënies së investimeve të huaja me 57 mln euro më pak (5.7%) në raport me vitin zgjedhor 2013.
Sot fatkeqësisht Shqipëria nuk është më një vend atraktiv për investimet e huaja ashtu siç e kanë konfirmuar edhe investitorët gjermanë apo amerikanë. Asnjë investitor strategjik nuk ka ardhur e nuk do të vijë në qeverisjen e Edi Ramës. Shumë prej tyre janë larguar dhe të tjerë janë bërë gati të ikin.
Sepse Shqipëria vuan nga korrupsioni i përhapur gërryes siç thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, dhe është vendi me taksat më të larta në rajon siç thotë raporti i Freedom House.
Sot në Shqipëri për herë të parë në 6 vitet e fundit konsumi ka rënë në vlera negative. Shqipëria ka nivelin më të ulët të besimit ndër biznese e konsumatorë në 15 vitet e fundit, siç thotë Banka e Shqipërisë.
Shqipëria e fundit në rajon sa i takon transformimit, siç edhe Indeksi Gjerman i Transformimit (Bertelsmann Stiftung) raporton, është produkt i tre vjetëve keq-qeverisje të Edi Ramës.
Thellimi i varfërisë, papunësia që shtohet çdo ditë, taksat e larta, faturat e kripura, gjobat me dorë të rëndë, rënia e fuqisë blerëse, rënia e investimeve, konsumit dhe mirëqenies, ky është realiteti që prodhuan tre vjet mashtrime, dështime, kërbaç dhe korrupsion”, deklaroi Tabaku.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/