Bizneset kanë ulur më tej normën e shfrytëzimit të kapaciteteve gjatë tremujorit të parë të vitit. Në një anketim të fundit, Banka e Shqipërisë referon se normat e shfrytëzimit në katër sektorët kryesorë të ekonomisë kanë rënë shumë poshtë mesatares historike, duke lajmëruar kështu një situatë jo të mbarë në rritjen afatmesme ekonomike dhe në eksportet e këtij viti.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Banka e Shqipërisë tregon se, bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 (me 4.6 pikë përqindje).
Kjo ecuri në sektorin e industrisë është shkak i çmimeve te ulta të naftës në tregun ndërkombëtar, çka ka nxitur kompanitë Bankers Petroleum, Albpetrol dhe koncensionarët e tjerë të naftës te mbajnë prodhimin në nivele të ulëta.
Por situata duket se nuk është aspak optimiste as për sektorin e ndërtimit . Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor gjatë tremujorit në analizë, vijoi rënien. Aktualisht kjo normë shënon nivelin 54.7% ose 9.5 pikë përqindje më pak se mesatarja historike e saj. Në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë kjo normë është 2.5 pikë përqindje më e ulët. Ekspertët e tregut, pohojnë se pas një përmirësimi në gjashtëmujorin e dytë të vitit, rritja e taksave në sektorin e ndërtimin ( dyfishimi i taksës se ndikimit në infrastrukture nga 4 ne 8% për qind, e cila vilet jo më mbi koston po mbi shitjen) ka përkeqësuar klimën e biznesit në sektor. Shumë objekte të nisura vitin që shkoi kanë pezulluar punimet për shkak të taksave të reja.
Gjithashtu norma e shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve rezultoi 68.0% në tremujorin e parë, duke shënuar një rënie të fortë prej 7.2 pikësh përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe prej 4.9 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi rënie me 5.7 pikë përqindje, duke qëndruar në nivelin 73.5% në tremujorin e parë të vitit 2016. Bizneset rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 5.2 pikë përqindje më të ulët se norma mesatare historike dhe 2.3 pikë përqindje më të ulët se norma e të njëjtës periudhë një vit më parë.
Tregtia dhe shërbimet janë vënë në presionin e konsumit të dobët. Treguesi për herë të parë pas dy dekadash ra në nivele negative më 2015.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/