Bashkëpronarët e Vollgës: Nuk jemi informuar nga “Saudi Brothers” për dhurimin e...

Bashkëpronarët e Vollgës: Nuk jemi informuar nga “Saudi Brothers” për dhurimin e pronës që i bëri Shullazit

60
0
Shares

Bashkëpronarët e ish-hotel Vollgës në Durrës sqarojnë se nuk janë informuar nga kompania “Saudi Brothers” për dhurimin e një pjese të pronës. Përmes një deklarate, bashkëpronari Fejzi Kodra thekson se nuk e njeh dhe nuk e ka takuar kurrë personin e tretë, të cilit i është dhuruar prona nga “Saudi Brothers” .

Zoti Kodra thekson se në këtë proces bashkëpronarët konsiderohen palë e dëmtuar dhe po përgatisin procedurën gjyqësore ndaj kompanisë “Saudi Brothers” në lidhje me dëmin ekonomik që u ka shkaktuar.

“Unë Fejzi Kodra, me qëllim që të bëj qartësi të plotë mbi çështjen aq të përfolur të dhurimit të një pjese të hotel Vollgës, Durrës, e shoh me vend të jap sqarimet që vijojnë: Me dt 13/11/2014 kam firmosur kontratën e blerjes së një sipërfaqe trualli prej 1749 mq, (tek ish hotel Vollga Durrës), i cili ishte pronë e regjistruar e kompanisë “Saudi Brothers”. Duke qenë se i gjithë trualli i regjistruar në emër të tyre ishte 2498 mq, pjesa e mbetur prej 749 mq, e pandarë, mbetej në zotërim të tyre.

Pagesa u krye me transfertë të rregullt bankare në llogarinë e kompanisë “Saudi Brothers”. Për financimin tim kontribuoi një miku im i afërt, biznesmeni Luan Leka, me të cilin kishim një projekt investimi, mbi bazën e një kontrate legale noteriale.

Mbas këtij transaksioni, siç duket edhe nga dokumenti hipotekor i dt 17/11/2014 në pronësine time kaloi 70% e sipërfaqes dhe “Saudi Brothers” mbetej pronar i 30% të sipërfaqes në pjesë të pandara.

Për sqarim dua të theksoj që transaksioni i kryer nuk ka asnjë lidhje me kompaninë Eurocol ku unë punoj apo me ortakët e kësaj kompanie.

Ndërkohë nuk kemi pasur dijeni për veprimet e mëpasme të kompanisë “Saudi Brothers”, përfshirë aktin e dhurimit për të cilin mësuam vetëm në këto ditë nëpërmjet mediave. Siç duket në dokumentet hipotekore kjo kompani i ka dhuruar në një kohë më të vonë, pjesën e saj të pasurisë me sip 749 mq, një personi të tretë, të cilin as e njohim dhe as e kemi takuar ndonjëherë. Kjo duket qartë edhe në aktin e dhurimit që është firmosur vetëm nga administratori i kompanisë “Saudi Brothers”.

Në këtë proces ne konsiderohemi palë e dëmtuar dhe po përgatisim procedurën gjyqësore ndaj kompanisë “Saudi Brothers”, në lidhje me dëmin ekonomik që na ka shkaktuar.”- thuhet në deklaratën e bashkëpronarëve të Vollgës.

Një ditë më parë, Prokuroria e Durrësit, me lejen e gjykatës, ka vendosur sekuestro preventive ndaj objektit ish-“Vollga” në Durrës, nën dyshimin se është përfituar me kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Shpërdorimit të detyrës” e “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Prokuroria e Durrësit konstaton se janë kryer një seri veprimesh të dyshimta për tjetërsimin e pronës në favor të shtetasve të ndryshëm.

Mediat zbuluan një ditë më parë dokumentin, përmes të cilit shoqëria arabe “Saudi Brothers Commercial Company” i ka dhuruar Emiliano Shullazit ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku thuhet se “pronari ia dhuron pronën e tij Shullazit për mirënjohje”. Dhurimi i ish-hotel “Vollgës” në Durrës dhe përvetësimi i kësaj ndërtese nga Emiljano Shullazi, dyshohet se është bërë nën kërcënimin e armës dhe dhunës. Kjo është edhe një nga dyshimet kryesore, mbi të cilat Prokuroria për Krime të Rënda ka mbështetur akuzën e ngritur ndaj Emiljano Shullazit, për të cilin lëshoi edhe urdhër arresti.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY