Nishani, takim me Lammert: Reforma në drejtësi, prioritet madhor

Nishani, takim me Lammert: Reforma në drejtësi, prioritet madhor

56
0
Shares

Presidenti Nishani pret në një takim të veçantë Presidentin e Bundestagut gjerman, Dr. Norbert Lammert

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Presidentin e Bundestagut të Gjermanisë, Dr. Norbert Lammert, i cili ndodhet për një vizitë një ditore në Shqipëri.

Presidenti Nishani, duke iu referuar takimeve pothuaj të përvitshme me Dr. Lammert në vitet e fundit, shprehu mirënjohjen për vizitën e tij të katërt në Tiranë dhe vëmendjen personale të zotit Lammert dhe strukturave të Bundestagut gjerman për zhvillimet në Shqipëri dhe ecurinë në kuadër të integrimit evropian. “Vizita juaj në Tiranë na nderon dhe na inkurajon gjithmonë e më shumë për të vijuar në rrugën e reformave të bindur se në përballimin e sfidave që kemi përpara nuk jemi vetëm, por kemi miq të mirë që na mbështesin.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen e qënësishme dhe të gjithanshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë si dhe vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer e strategjik mes dy vendeve. “Vlerësoj shumë angazhimin konkret të Gjermanisë për ruajtjen e ritmit të zhvillimit dhe të afrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, pavarësisht sfidave serioze me të cilat po përballet aktualisht si Gjermania ashtu edhe Unioni.” – theksoi Presidenti i Republikës.

Presidenti Nishani e siguroi gjithashtu Presidentin e Bundestagut se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të fokusuara në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se për vendin nuk ka projekt më madhor dhe alternativë tjetër veç asaj të integrimit evropian. Në këtë aspekt, Presidenti i Republikës e njohu mikun gjerman mbi vëmendjen personale dhe institucionale ndaj reformës në drejtësi, të cilën e konsideroi si prioritetin më madhor të vendit, por shprehu edhe nevojën e ruajtjes së vëmendjes së nevojshme ndaj standardit të të drejtave të njeriut të arritur deri më sot dhe përmirësimin e tyre të mëtejshme.

Nga ana e tij, Presidenti i Bundestagut Lammert e siguroi Presidentin Nishani se Gjermania është dhe do të mbetet një partner i besueshëm për Shqipërinë. Duke iu referuar progresit të Shqipërisë në të gjitha fushat në këto 25 vjet demokraci, zoti Lammert theksoi se për Gjermaninë dhe Vendet Anëtare të Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme që të shohim sa më shumë progres, pasi vetëm kështu do të mund të japim mbështetjen e duhur për hapjen e negociatave të aderimit.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Presidenti Nishani në mënyrë të veçantë evidentoi politikën e konsoliduar të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit e bashkëpunimit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY