Rreth 40 telefonata kanë mbërritur në Sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës në më pak se 24 orë pas publikimit nga policia të videos së atentatorit të dyshuar të ish- Drejtorit të Policisë së Vlorës Artan Cuku.
Telefonuesit janë persona të ndryshëm që pretendojnë se njihnin apo se kishin parë drejtimin e lëvizjes së të dyshuarit, përpara apo pas atentatit ndaj Cukut, tregojnë burime nga drejtoria e policisë së Tiranës.
Të gjitha këto telefonata janë duke u verifikuar nga grupi i hetuesve që po punojnë për zbardhjen e atentatit, ku mbeti i vrarë 42 – vjeçari Cuku, ish- drejtues i policisë në disa qarqe dhe rrethe të vendit deri para vitit 2013.
Një ditë më parë, publikoi një video në të cilën shfaqej një person me veshje sportive dhe me kapele, që lëvizte me vrap. Pamjet e të dyshuarit janë regjistruar në zonën pranë vendit ku banonte Cuku, dhe dyshohet se i përkasin kohës pas realizimit të atentatit. Nëpërmjet videos policia kërkonte ndihmë për identifikimin e të dyshuarve, ndërsa vinte edhe numrin 0694110299 në dispozicion.
Për zbulimin e autorëve të vrasjes, policia e Tiranës ka angazhuar një grup hetuesish të cilët po punojnë në disa pista për zbardhjen e ngjarjes.
Po ashtu një shpërblim prej 3 milionë lekësh është vënë nga policia në dispozicion të personave që kanë dijeni mbi autorët e mundshëm të vrasjes. Cuku u qëllua mbrëmjen e të shtunës së kaluar me 8 prill, ndërsa po hynte në shtëpinë e tij në rrugën e Kosovarëve në kryeqytet. tvklan
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/