ILIR NIKOLLA/ Sa të merr malli për Kanunin, kur sheh Ramën si...

ILIR NIKOLLA/ Sa të merr malli për Kanunin, kur sheh Ramën si po mundohet të manipulojë me katolikët

121
0
Shares
ilir nikolla, e vogel

Ilir Nikolla

Dje përgjatë gjithë ditës, publiku u bombardua nga shkrimet e piskamat e porositura kundër deklarimeve të Lulzim Bashës, i cili u tha se paskësh thënë në një gazetë austriake se 95 për qind e deputetëve të inkriminuar janë nga komuniteti katolik i veriut. Folën deputetë që s’e kanë parë kurrë derën e kishës, pinjoj të atyre që me kazma iu turrën kishave në 1967, por para së gjithash, vlen të thuhet se agresioni politik u dirigjua direkt nga zyra e kryetarit të partisë, e cila është vazhduese e drejtpërdrejtë e asaj partie që e shpalli Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë dhe sulmoi shtetërisht objektet e kultit, kishat katolike (të Vatikanit) mbi të gjitha, por edhe xhamitë, teqetë e kishat ortodokse.
Në fakt, e vërteta është krejt e thjeshtë. Me deklaratën e Bashës, edhe njëherë ka dalë gafil taktika e Edi Ramës për të vënë nën zap veriun e kryesisht zonat katolike, me dhunë e me të inkriminuar, si dikur në 45, si në 67-n, edhe tani në 2013 e 2017-n. Është fakt se lista e deputetëve socialistë që fituan në zonat e veriut është e mbushur me persona me precedentë penalë dhe sadopak që u zbatua ligji i dekriminalizimit, “sopata” ra pikërisht mbi ta.
Por tani në terren, të njëjtët njerëz e nga e njëjta listë, po synojnë të kryejnë të njëjtën punë, por tani jo krejt në publik, por si qehajallarë të një liste-mushkë të Edi Ramës. Dy protestat e fundit kanë treguar se deputetët-mushka të komunitetit katolik (pra një martesë shterpë mes dhunës së 2013-s dhe dirigjimit në prapaskenë prej të inkriminuarve në 2017-n) s’po ngjisin, po shpallen si të padëshirueshëm, prandaj nevoja urgjente është të shpallet Lulzim Basha si armiku i katolikëve dhe i veriut në përgjithësi. Për këtë, ai duhet sulmuar pse u tha ndërkombëtarëve se 95 për qind e deputetëve me rekorde kriminale janë me prejardhje katolike nga veriu.
Ashtu janë. Çka për t’u turpëruar kjo deklaratë?
Këtë fakt, Partia Demokratike duhet ta përmendë ditë për ditë në çdo ditë të fushatës së ardhshme zgjedhore. Edi Rama e grabiti përfaqësimin politik në veri të vendit me kriminelë e tani po kërkon që kjo përdhosje të mos i kujtohet, të mos i përmendet e të mos i merret për të keq. Bile, po synon të nxjerrë përfitim nga kjo sjellje, duke tentuar të përdorë sedrën e opinionit publik, jo aq të emancipuar, i cili s’ka dëshirë t’i kujtohet as turpi, as vakia që i ka ndodhur. Megjithëse s’çalon shumë krahasimi, është disi si rasti i viktimave të përdhunimit, të cilat kanë turp të denoncojnë dhe heshtin për të ruajtur fytyrën. Fatkeqësisht, kjo strategji pati impakt ditën e djeshme dhe në rrjetet sociale pamë një lumë deklarimesh anti-Basha, që u shpall apriori fajtor se e paskësh deklaruar komunitetin katolik si të inkriminuar. Pamë edhe një demokristian, në aleancë me Ramën, që iu bashkua korit, ndoshta me urdhër të vetë atij. Gjithçka për të mos e zbuluar krimin që i biri i Kristaq Ramës ka konsumuar në 2013-n dhe që po tenton ta ripërsërisë në 2017-n.
Llurba e rrjeteve sociale kundër Lulzim Bashës të krijonte ndjenjën e pafuqisë për të reaguar, për shkak se peshorja e analizës është prishur, fajtorët nuk ndëshkohen, sepse Edi Rama qeveris në pandëshkueshmëri; pranë tij kriminelët s’japin llogari, përkundrazi, marrin përgjegjësi në kundërshtim me ligjin e me kushtetutën. Edi Rama e do prapë zaptimin e përfaqësimit politik të katolikëve e të veriut në përgjithësi, e do njësoj të përçudnuar, bile mundësisht me dirigjimin e kriminele të 2013-s në prapaskenë dhe me deputetë-mushka në skenë që përfaqësojnë Shkodrën, Rrëshenin apo Lezhën, por që flasin me dialektin e “zonës së parë operative”. Disa përfaqësues spikatës të betejës për demaskimin e krimit që ka kryer Edi Rama mbi komunitetin katolik më zhgënjyen dje me heshtjen e tyre ndaj përsëritjes së sakrilegjit, thjesht për interesa politike vetjake.
Në këtë reflektim mbi pafuqinë për të reaguar ndaj krimit të politikës, edhe kur ai godet bash ashtin e shoqërisë, mendja më shkon tek Kanuni, i cili për njerëz që bënin shkanduj, e kishte dënimin e paapelueshëm e konsensual: lëçitjen. Bash ky zakon na mungon e për të na merr malli, kur shohim një shkandull të shekullit XXI të përdorë komunitetin katolik të veriut si eksperiment social për mendjen e tij të sëmurë.       

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY