Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për skemën mashtruese me ilaçet, të njohur si “Farmacitë 2”, për të cilën janë marrë të pandehur administratori i “Omega Pharma”, Nadir Çausholli, si edhe tre punonjës të kësaj kompanie, pasi akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme më shumë se 2 milion euro, nëpërmjet faturave fiktive. Gjithashtu, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur edhe vetë subjektin “Omega Pharma”.
Në bazë të veprimeve proceduriale, Prokuroria e Tiranës ka krijuar bindjen e bazuar në prova se
Nadir Çausholli, në cilësinë e administratorit të kompanisë farmaceutike, si edhe punonjëset e kësaj shoqërie,
Arjola Piperaj,
Laureta Kushova dhe
Blerina Qatja, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Fallsifikimit të dokumentave” dhe “Mashtrimit”.
Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimeve, ka urdhëruar edhe ekspertizën e specializuar, nga e cila është arritur në përfundimin se, nga kjo skemë mashtruese, vlera e dëmit ekonomik ndaj shtetit per periudhën Janar 2013- Tetor 2015 arrin në vlerën e rreth 2.2 milionë euro. Kjo shifër është për skemën e dyshuar mashtruese vetëm për dy lloje ilaçesh (insulinë dhe ketosteril), pasi në hetim është edhe përfshirja në rimbursim në mënyrë të paligjshme e disa llojeve të tjera barnash.
Sipas hetimit të Prokurorisë Tiranë, rezulton se “Omega Pharma” ka shpërndarë receta të fallsifikuara tek farmaci të ndryshme dhe këto të fundit i kanë paraqitur recetat për rimbursim tek Fondi Rajonal i Kujdesit Shëndetësor Tiranë, duke tërhequr në total shumën e sipërcituar për dy llojet e ilaçeve.
Skema mashtruese me rimbursimin e ilaçeve, e njohur ndryshe edhe si “Omega”, është pjesa e dytë e një hetimit të gjerë, të nisur nga Prokuroria e Tiranës lidhur me faturat fiktive të barnave. Pak ditë më parë, prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin për 7 persona, disa prej të cilëve zyrtarë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, përfshirë edhe ish-drejtorin Pjerin Xhuvani, si edhe disa drejtues teknik farmacish, të cilët akuzohen të gjithë së bashku për një skemë mashtruese, “Farmacia 1”, me një dëm ekonomik ndaj shtetit në vlerën e 56 milionë lekëve të reja.
Për këtë skemë, pra për “Farmacia 1”, në fundjavë janë dërguar për gjykim edhe 3 persona të tjerë, dy prej të cilëve zyrtarë të Fondit Rajonal të Tiranës dhe një tjetër drejtues farmacie. Të pandehurit e radhës së skemës mashtruese “Farmacia 1” janë
Ferdinand Hoxha,
Tasim Toçi dhe
Violeta Bejko
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/