Kreu i PD-së Lulzim Basha ka mohuar sonte që grupi parlamentar i PD-së të ketë qenë shkaktar i shtyrjes së takimit me ambasadorin amerikan Donald Lu.
Sipas Bashës, shkak kanë qenë deputetët socialistë, të cilët duhet të zhvillonin të parët takimin, nesër në orën 14.00, por që nuk e konfirmuan.
“Nuk është e vërtetë që grupi parlamentar i PD-së është shkaktari i shtyrjes së takimeve të tre grupeve parlamentare me ambasadorin Lu. Nuk ka vend për spekulim, por në radhën e takimeve, të parët ishin deputetët e grupit parlamentar të PS-së, për nesër në orën 14.00. Por nga ana e tyre nuk u konfirmua ky takim, ndaj edhe ambasadori shtyu takimet për javën e ardhshme. PD e mirëpret takimin me ambasadorin Lu, po të jetë e nevojshme edhe me praninë e medias. PD nuk ka asnjë kompleks”, u shpreh Basha.





