Zakoni i zhveshjes së grave nga pronat

Zakoni i zhveshjes së grave nga pronat

103
0
Shares

Në të gjithë vendin zbatohet zakoni i zhveshjes së grave nga pronat që trashëgojnë nga prindërit e tyre, në favor të anëtarëve meshkuj të familjes së origjinës. Jo rrallëherë janë përdorur deklarata noteriale për heqje dorë nga pasuria e trashëguar, ose kontrata dhurimi.

Promovimi i pjesëmarrjes së barabartë në ekonomi të femrave është një ndër çështjet që organizata të ndryshme botërore kanë pasur në fokus për të gjithë shtetet në zhvillim. Kjo pjesëmarrje e barabartë nuk përfshin vetëm qasjen e njëjtë në tregun e punës dhe biznesit, por edhe garantimin e së drejtës së pronës, trashëgimisë, pasurisë.

Në shoqëri patriarkale prej vitesh, si e jona, ku pavarësisht përparimeve, ende mund të gjenden zona që të zbatojnë ligje sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe familje që pasurinë ta ndajnë vetëm mes meshkujve.

Aurela Anastasi, eksperte e Kushtetueses dhe avokate, tregon për “Monitor” se në të gjithë vendin zbatohet zakoni i zhveshjes së grave nga pronat që trashëgojnë nga prindërit e tyre, në favor të anëtarëve meshkuj të familjes së origjinës. Ajo pohon se jo rrallëherë janë përdorur deklarata noteriale për heqje dorë nga pasuria e trashëguar, ose kontrata dhurimi.

Forumi Ekonomik Ndërkombëtar, në raportin e vitit 2015, tregon se Shqipëria gjendet e 70-a në listë globale për hendekun gjinor. Pavarësisht se, duke e krahasuar me raportin e një viti më parë, kemi përmirësuar 13 vende, përballë shteteve të rajonit, shqiptarët nuk i “trajtojnë” femrat aq mirë. Serbia është 25 shkallë mbi vendin tonë, Maqedonia e 69-a, i vetmi shtet që lëmë pas është Mali i Zi, i cili renditet 9 shkallë poshtë nesh. Ndonëse raporti tregon se ballkanaset janë të diskriminuara nga punëdhënësit dhe shpesh viktima të një kulture me stereotipe, që lejon dhunën në familje, hulumtuesit pohojnë se barazia gjinore po përmirësohet çdo ditë, pa lënë mënjanë edhe realitetet regresive.

Sipas raportit të fundit të Kombeve të Bashkuara, në programin e saj deri në vitin 2030, synohet të sigurohet se të gjithë femrat, sidomos ato të varfra dhe vulnerabël, kanë të njëjtat të drejta me meshkujt në qasjet ekonomike, aksesin në shërbimet bazë, pronësinë, kontrollin mbi tokën dhe trashëgiminë.

Ndërsa Instituti i Statistikave, në raportin e vitit 2014, tregon se femrat kanë mesatarisht rreth 1,3 vite më shumë arsim në krahasim me meshkujt, por pavarësisht kësaj, ato marrin paga mesatarisht një të pestën (20%) më të ulëta dhe hendeku gjinor i pagave duket se po rritet.
Një tjetër raport i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2014, në bashkëpunim me FAO, tregon se femrat në Shqipëri zotërojnë më pak se 25% të pronës.

Aurela Anastasi, njëkohësisht drejtuese e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, tregon se mohimet më të mëdha për të drejtat e grave në pasuri, kanë ardhur në të drejtën e trashëgimisë. Sipas saj, arsyet janë disa: duke nisur nga moskuptimi i drejtë i prezumimit ligjor, nga ngërç që haset në rastet e hapjes së trashëgimisë ligjore dhe mungesa e fuqisë ekonomike për të ndjekur seanca të gjata gjyqësore. Nga ana tjetër, ekspertja vlerëson se edhe stereotipat gjinore që ende ekzistojnë në shoqërinë tonë i privojnë këto të drejta, ose i detyrojnë femrat që të heqin dorë nga trashëgimia e tyre (apo pronësia).

Një tjetër element negativ që znj. Anastasi tregon se margjinalizon femrat në të drejtat e tyre për pronësinë, është fakti se pasuria e paluajtshme kontraktohet dhe regjistrohet kryesisht në emër të bashkëshortit, ndërkohë që bashkëshortja nuk është titullare e pronësisë. “Që në këtë moment nis barriera gjinore në pronë. Ky kufizim gjinor, ka sjellë privime të mëdha në aksesin dhe gëzimin e pronës bashkëshortore nga gratë. Duke mos pasur titull bashkëpronësie, ato e kanë pasur të pamundur të disponojnë me vullnetin e tyre një testament, si rrjedhojë asnjë pronë”,- pohon znj. Anastasi.

Një tjetër ngërç që krijohet në të gjithë strukturën e përfitimit të një prone nga femrat, tregon ekspertja, është shkaktuar gjatë marrjes së kredive bankare, ku ato nuk mund të paraqiten si huamarrëse, por vetëm si plotësuese të vullnetit të bashkëshortit të tyre në kontratat e dorëzanisë.

“Në këtë aspekt, ka pasur raste kur gruaja firmoste kontratat kredimarrëse të bashkëshortit, pa qenë ajo e ndërgjegjshme për pasojat që vijnë nga mosrespektimi i saj. Nuk kanë munguar edhe rastet kur bashkëshortja është anashkaluar, duke mos u thirrur për të firmosur”,- thotë znj. Anastasi. /monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY