Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, filloi sot një vizitë dyditore në Republikën e Kroacisë, ku u prit me nderimet dhe ceremonitë e rastit nga Presidentja kroate, zonja Kolinda Grabar-Kitarović. Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Presidenti Nishani dhe Presidentja kroate, Grabar-Kitaroviç zhvilluan një takim kokë më kokëdhe më pas, kryesuan takimet zyrtare mes delegacioneve të të dy vendeve, ku u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit dypalësh, si dhe për agjendën rajonale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Presidenti i Republikës vlerësoi si shumë të rëndësishme vizitën zyrtare në Kroaci, duke theksuar se ajo reflekton marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Kreu i Shtetit, duke evidentuar dëshirën dhe vullnetin e palës shqiptare për t’i pasuruar më tej këto marrëdhënie të shkëlqyera e të qëndrueshme, propozoi ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një nivel më të lartë, në atë të partneritetit preferencial. Presidenti Nishani shprehu bindjen se përmes këtij partneriteti preferencial do të mund t’i nxisim më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, duke koordinuar dhe sinkronizuar më mirë formatimin e strategjive të përbashkëta, si në nivel dypalësh ashtu edhe në nivel rajonal apo ndërkombëtar.
Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia dhe Presidentja Grabar-Kitarović personalisht i kanë dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke shprehur besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit dhe zhvillimin e tyre. Presidenti Nishani e konsideroi përvojën kroate, si një shembull të vyer për Shqipërinë dhe theksoi se: “Ne e konsiderojmë Kroacinë si vendin që mund të përcjellë shpirtin, zërin dhe problematikat e rajonit në Bashkimin Evropian”, si dhe e siguroi Presidenten kroate për përkushtimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE.
“Për ne shqiptarët, integrimi në Bashkimin Evropian është dhe mbetet alternativa e vetme për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm” – u shpreh Presidenti Nishani.
Gjatë takimit një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve, ku Presidenti Nishani theksoi nevojën e nxitjes dhe promovimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në mënyrë që edhe bashkëpunimi ekonomik të afrohet dhe të jetë në harmoni me nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit politik. Në mbështetje të këtij qëndrimi Presidenti i Republikës evidentoi dhe prezencën e një përfaqësie biznesi shqiptar në delegacionin e tij, si dhe zhvillimin e Forumit të përbashkët ekonomik Kroaci-Shqipëri, që pritet të mbahet në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Zagreb.
Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy Presidentët evidentuan qasjen euroatlantike dhe angazhimin për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Presidenti i Republikës vlerësoi rolin e Kroacisë në rajon dhe e siguroi mikpritësen kroate se Shqipëria është tërësisht e dedikuar për përmirësimin e frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit rajonal. Presidenti përshëndeti rolin e Kroacisë dhe të Presidentes Grabar-Kitarović veçanërisht në Procesin e Brdo-Brijunit, duke e konsideruar atë një platformë shumë të rëndësishëm për krijimin e një fryme miqësore e bashkëpunuese mes të gjithë liderëve të rajonit.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në çështje me karakter ndërkombëtar, si dhe angazhimet e të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe për çështjen e refugjatëve nga zonat në konflikt. Të dy Presidentët u shprehën në favor të një zgjidhje evropiane të çështjes së refugjatëve, duke garantuar kontributin e secilit vend në këtë zgjidhje.
Pas ceremonisë zyrtare dhe takimit mes dy delegacioneve, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vendosi dhe një kurorë me lule, me një dedikim të posaçëm për të rënët kroatë në luftë, tek Memoriali“Zëri i Viktimave Kroate – Muri i Dhimbjeve”, në Varrezat Mirogoj të Qytetit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/