“Zukatjet për zgjedhje pa opozitën, Meta heziton se Rama e arreston në...

“Zukatjet për zgjedhje pa opozitën, Meta heziton se Rama e arreston në sallën e Parlamentit…”

88
0
Shares

Zërat, tingëllimat, cicëri mat, zukatjet, çjerrjet që e konsiderojnë normalitet mbajtjen e një palë zgjedhjeve politike pa opozitën, të bëjnë të kuptosh se mes nesh demokracia mbetet ende një term i keqkuptuar. Në asnjë fjalor të bashkëkohësisë një sistem politik pa opozitë nuk përcaktohet si demokraci. Nga të tilla piskama herë kërcënuese e po kaq groteske kuptohet pse diktatura pat atë fizionomi të tmerrshme në vendin tonë.
Një përzierje mes bindjes dhe nënshtrimit, frikës dhe injorancës, përfitimit dhe urrejtjes ndaj tjetrit, sherbestarisë dhe kapjes të çojnë në pohime kaq të çmendura e kaq të poshtra. Të arsyetosh kësisoj dëshiron ta thyesh këtë vend të trullosur bash në mes. Gatishmëria për të krijuar një diktator të ri të kujton një varg të Nolit “skllevër bij skllevërish jeni, liri nuk doni”!
Kjo gatishmëri shfaqet si lëpirje e si zgërdhirje, si citat e si diktat, si tallava e si hosana, si miklim e vetëposhtërim, si gëzim e si frustim. Ligji, Kushtetuta përdoren si referenca të pakapërcyeshme, duke harruar me qëllim se ato janë shkruar për një situatë normale dhe jo pushtimi nga krimi dhe droga. Po ashtu duhet ditur se vetë Ligji dhe Kushtetuta ndërrohen kur bëhen pengesë për lirinë, kur e komprometojnë atë. Ato janë bërë për t’i shërbyer komunitetit dhe jo për ta nënshtruar atë si dhunë.
Së fundmi, Kryeministri Edi Rama po shfaqet i dashuruar me një thënie nga ato që shkruhen në letrën e çokollatave “peruxhina” se “liria prodhon opozitën dhe jo opozita lirinë”! Në dhjetor 1990, protesta, kundërshtia, opozita prodhuan lirinë, e cila mori kuptim prej opozitave. Nuk e prodhoi diktatura opozitën, opozita e rrëzoi atë. Në një vend pa traditë demokratike, me një eksperiment tranzitiv prej një çerek shekullit me institucione plasteline, opozita ka qenë garanti më i madh i lirive politike e qytetare qoftë kur mujsharia ka ardhë nga e djathta, qoftë kur me të na ka qerasur e majta.
Nuk është krejt njësoj si të bësh pyetjen pula bën vezën apo veza pulën?! Të imagjinojmë këtë vend pa opozitën, kur dimë që Kryeministri i sapoveshur me kostumin e pushtetit e përshëndeti popullin me frazën “s’keni parë gjë akoma”, kur dimë që tentoi të bënte ligje kundër lirisë së fjalës dhe të mediave e sidomos kur tentoi të realizonte një reformë drejtësie ideologjike e me parime jakobine, frut i imagjinatës i pjekur me zor nga stresi këputet e bie te këmbët e një diktatoruci.
Nuk duhen harruar mijëra persona të arrestuar, mijëra objekte të prishura, qindra mijëra të ikur jo për të bërë shtet, por për të sanksionuar frikën dhe sundimin nga një njeri i vetëm atë herë frut i imagjinatës bie në peqiun e një kandidati për despot.
Se çfarë do të ishte vendi pa opozitë, mjafton të shohim sot drejtimin e Partisë Socialiste.
Kjo Parti trashëgimtare e PPSH-së, organizatës politike më terroriste që ka njohur kontinenti europian, në bashkëkohësi mundimshëm hyri në shinat e socializmit europian dhe meritë të padiskutueshme ka për këtë Fatos Nano, por edhe persona të tjerë, si Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Spiro Dede, Xhevat Lloshi, Namik Dokle, Luan Hajdaraga, Maqo Lakrori, Kastriot Islami, Moikom Zeqo, Rexhep Meidani, Et’hem Ruka, Arta Dade, Pandeli Majko, Ndre Legisi, Ilir Meta etj. Gjithë këta emra të kujtojnë një strofë nga një poezi e Pjetër Budit: “Ku janë ata pleq bujarë?/që qenë përpara ne…./ku janë ata zotërinj që dojin me zotënuom?/ku janë ata letërorë t’urtë e dijes të ndegjuom/ ..Gjithë mortja i rrëzoi/ sikur i pret me shpatë/për të ri si shikoi/as të vobegë/as të begatë/”.
Nga një parti bunker u shndërrua në një parti e debatit dhe mendimit liberal, nga parti e byrosë politike me xhelatë sklerotikë thithi në radhët e veta profesorë të ndryshëm, që më së shumti kishin studiuar jashtë vendit. Sot kjo forcë politike është shndërruar përsëri në bunker. Sot kjo forcë politike është depersonalizuar nga personaliteti kontradiktor dhe alergjik ndaj debatit i Edi Ramës.
Njerëzit e dijes janë dëbuar dhe vendin e tyre e kanë zënë arrivistë pa shkollë, pa mendim dhe fytyrë. Mjafton një paradë e ekipit qeverisës për ta kuptuar këtë. Pandeli Majkos për të mbetur një deputet i thjeshtë i duhet t’i serviloset Edi Ramës, të qeshë me batutat e tij plot “kripë si të Duçes”! Kjo nuk është veç drama e Majkos apo Dokles, por drama e demokracisë së brendshme që ka vdekur brenda PS. Sot në PS nuk konkurrohet me ide, por me servilizëm, duhen bindje pa sy apo sy me shikimin e Erjon Velisë. Dikush mund të pyesë, po të tjerat parti? Pyetje me vend për një tjetër trajtesë.
Parlamenti nesër pa opozitën do të jetë si asambleja e PS ku vërshëllehet çdo nuancë disidence. Kuvendi Popullor i kohës së Enver Hoxhës ishte më i sinqertë sesa një parlament si ky që na propozohet. Ilir Meta po heziton për të shkuar drejt tij se Edi Rama mund ta arrestojë në sallë si Beqir Ballukun apo Kadri Hazbiun. Brengës së Metës i duhet një metaforë dhe ajo është Opozita, pjesëmarrja e saj. A është legjitime kërkesa e Opozitës për qeveri teknike?
Mund të ketë ndonjë fakt për të cilin stinët e kanë përgënjeshtruar Lulzim Bashën. Mund të ketë veprime apo reagime të lidershipit të tij që nuk kanë bindur! Mund të ketë pakënaqësi nga shoqëria apo vetë demokratët për disa personazhe pa formë, si tru idioti, që i shkojnë para e pas, por në tri gjëra themelore atij koha i ka dhënë të drejtë. Shqetësimet e tij për kultivimin e drogës, për raportin e Kryeministrit me botën e krimit dhe për marrëdhëniet që Rama dëshiron të krijojë me sistemin e drejtësisë duke e kapur atë tanimë janë të vërtetuara dhe të konfirmuara brenda dhe jashtë Republikës, të gjitha këto si frikë reale për mosbërjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në dy ditë u zbuluan tre laboratorë dhe u kapën dhjetëra tonë hashash. Duhet të themi se kjo lëvizje e policisë ka filluar në prag fushate dhe ngjan si shou politik më tepër për të rënduar Saimir Tahirin dhe përligjur largimin e tij, sesa luftë e vërtetë ndaj fenomenit. Sa laboratorë të tjerë ka nëpër Shqipëri? Sa tonelata hashash janë prodhuar gjatë katër viteve, kur qindra tonë kapen në një muaj nga vendet fqinje me ne? Thuhet se ajo që kapet është veç 2% e sasisë që kalon. Territori ngjan i dhënë me qira për krimin e organizuar. E harruam pistën e Ishmit 2,5 km të gjatë, këtë kryevepër inxhinierike të qeverisë? Avionët që mbesnin si mizat në mjaltë në kënetat tona?
Edi Rama e ka të pamundur atë që ka bërë në 4 vjet ta zhbëjë në 4 javë, edhe sikur të dojë. Po ashtu ata që e kanë pasur këtë qar prej tij nuk ia harrojnë kurrë dhe me mish e me shpirt nuk do kursehen që Edi Rama t’ia dalë përsëri me çdo mjet. Ndaj duhet një qeveri teknike për të këputur këtë lidhje të pazakontë mes një individi dhe një fenomeni, lidhje kjo që i ngjan “Lëkurës së Shagrenit”. Ndaj kërkesa dhe qëndresa e Bashës janë legjitime, ndaj ato nuk e cenojnë ligjin dhe kushtetutën, por i mbrojnë ato në këtë rast së paku. Ndaj Basha kësaj here nuk duhet kurrsesi të kthejë faqen tjetër. Idetë janë mbi njerëzit, thotë një miku im filozof. Ideja e zgjedhjeve të lira e të ndershme një ditë është e destinuar për sukses. Mungesa e vullnetit për të mbështetur një ide kësodore shndërrohet në gatishmëri aktive dhe pasive për të toleruar një diktator.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY