ARIAN GALDINI/Thirrje intelektualëve të vendit tim

ARIAN GALDINI/Thirrje intelektualëve të vendit tim

55
0
Shares

Ju jeni zejtarë të mendjes.

Ju jeni njerëzit që me mendimin, përgatitjen e ndriçimin tuaj, mund e vyen të jeni shpresë.

E megjithatë, edhe pse ju jeni, e jeni shumë, ky vendi ynë për habinë tonë çdo ditë që shkon e lë shpresën pas dere.

Shpresa është bërë si një xhaketë e vjetër që kurrkush nuk dëshiron ta veshë më në këtë vendin tonë.

Madje, madje, edhe ata që veshin shpresën, ngase shpresa duket e grisur, e dalë boje, e lashtë, duken dhe interpretohen si pakica e të dobtëve.

A nuk mendoni se jemi ne fajtorë që gjërat janë kështu?

A nuk mendoni se nëse ne duhet të mbjellim shpresë me ç’ka dime, me ç’përgatitje e ç’ndriçim kemi në mendje e zemra, nuk ia kemi dalë dot deri sot?

Nuk ia kemi dalë dot, sepse mes shpresës dhe të mirës vetjake, kemi zgjedhur të mirën vetjake.

Jemi i vetmi vend ku ne që kemi mendim, shkollim, përgatitje e ndriçim në mendje, refuzojmë a përçmojmë xhaketën e zhubrosur të shpresës dhe zgjedhim të ngrefosemi me MLtë, x5t a x6tat e luksit. Ne zejtarët e mendimit e kemi vendosur dijen, përgatitjen, shkollimin dhe ndriçimin e mendjeve dhe zemrave tona për tullat dhe llaçin e shtëpive tona, e nuk kemi menduar aspak për të padritët, nevojtarët, të dobëtit e mbijetojsat që na rrethojnë ngado, e sytë nuk i shqisin nga ne.

Ne zejtarët e mendimit e kemi vendosur dijen, përgatitjen dhe ndriçimin e mendjeve tona për shtëpitë tona me ajër të kondicionuar, hapësira të bollshme dhe arredime të fjalës së fundit të modës, e nuk kemi menduar aspak për të mjerët që na rrethojnë ngado, e sytë nuk i shqisin nga ne.

I kemi tradhëtuar ata sepse kemi zgjedhur vetet tona.

E ata të gjorët nuk na i shqisin sytë.

Ne themi se jemi shtresa e mesme, a të realizuarit, a të suksesshmit e kësaj shoqërie, e kjo mjafton për ti dhënë paqe vetes, e shpërfillje të tjerëve.

Por ata, të mjerët përsëri nuk na i shqisin sytë.

Ndoshta nuk shpresojnë më, e megjithatë vazhdojnë të na shohin për inerci, se mos ndoshta përtej shpresës a përtej mungesës së shpresës, mund të ketë ndonjë gjendje tjetër që të jep shkase e arsye për të vazhduar përpara.

Ata edhe kur ikin nga ky vend, përsëri nuk na e shqisin sytë.

E kjo është dramatike, ulëritëse, rrënqethëse.

Nuk e kam fare me politikën, sepse politika kështu si është në vendin tonë, partitë kështu si janë në vendin tonë, krejt natyralisht përngjasojnë me togën e pushkatimit të shpresës.

E kam me ne. Me ne, ne që kemi dije, përgatitje e ndriçim në zemra dhe mendje, sepse ne jemi përgjegjësit që i çojmë qytetarët tanë drejt togave politike të pushkatimit të shpresës.

Ne me anësimin tonë.

Ne me mercenarizimin tonë. Ne me kokëuljen tonë të turpshme. Ne me servilizmin tonë të papërtypshëm ndaj të fuqishmëve me pushtete e para. Ne me heshtjen a mospërfshirjen tonë. Ne jemi shoqëruesit e qytetarëve drejt murit të pushkatimit të shpresës. Dhe Politika e Partitë vetëm sa shprepin armët e tyre të ndyta. Ndaj sot po ju drejtohem me këtë thirrje, me shpresën e ndoshta iluzionin se jam njëri ndër ju. Të mos anësohemi më, të mos heshtim më, të mos veçohemi e të mos qëndrojmë më të papërfshirë.

Është koha kur e mira jonë personale e familjare, ndërtohet mbi një krim madhor që po i bëhet kësaj shoqërie dhe këtij kombi. E mira jonë personale e familjare po ndërtohet mbi shoqërimin e qytetarëve drejt murit të ekzekutimit të shpresës. Nderi ynë, dinjiteti ynë, ajo çka ne jemi e kërkon që në kohë të tilla ta vëmë në rrezik të mirën tonë personale e familjare për hir të një të mire më të madhe, të mirës së përbashkët me të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Ju bëj thirrje të ndalni krimin e vrasjes së shpresës. Ju bëj thirrje të bëheni ata që duhet të jeni, shpresëlindës e shpresënxitës. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë që ne tua japim shpresën. Po nuk ua dhamë ne shpresën, shqiptarëve ose do tua vrasë politika e derisotme shpresën, ose do të na e zbrazin fare nga shqiptarët Shqipërinë e pashpresë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY