INTERVISTA/ Flet ish-kreu i Policisë së Tiranës: Ja dyshimet dhe informacionet e...

INTERVISTA/ Flet ish-kreu i Policisë së Tiranës: Ja dyshimet dhe informacionet e mia për vrasjen e Artan Cukut!

69
0
Shares

Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, një ndër miqtë e bashkëpunëtorët më të afërt të Artan Cukut, është i bindur se vrasja e tij lidhet me veprimtarinë që ka kryer në Polici, duke përfshirë këtu edhe incidentin në Komisariatin nr. 5, në vitin 2005.
Si një ndër personat që është angazhuar drejtpërdrejt në sqarimin e këtij incidenti sipas të drejtës zakonore, Vocaj shprehet se në vitin 2007 miku i tij është shfajësuar moralisht para familjes Daka dhe opinionit publik.
“Pasi Artan Cuku bëri be, si një instrument i të drejtës zakonore, kjo çështje u konsiderua e sqaruar për të gjitha palët”, shprehet Vocaj.
Por në rast se hetimet zbulojnë se ndonjë pjesëtar i familjes Daka është i përfshirë në vrasjen e Artan Cukut, për Tonin Vocaj kjo do të jetë një pabesi e paprecedentë.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, profesori i Akademisë së Sigurisë tregon se të gjitha dyshimet dhe informacionet që ai ka për këtë ngjarje ia ka bërë prezente grupit hetimor. Ndërsa u bën thirrje edhe të gjithë kolegëve të tij e të Artan Cukut që, nëse kanë dyshime apo të dhëna, të bëjnë edhe ata të njëjtin verim.
Vrasësit e Artan Cukut i mohuan Vocajt takimin e radhës me të, një kafe që e kishin lënë gjatë një komunikimi telefonik vetëm një çerek ore para se të ndodhte ngjarja. Por, sipas tij, nuk arrijnë t’i mohojnë kurrë kontributin e jashtëzakonshëm që Artan Cuku ka dhënë gjatë karrierës së tij në Policinë e Shtetit.

Ju jeni një nga kolegët dhe miqtë që keni qenë më afër Artan Cukut. Kur e keni takuar për herë të fundit?
Me Tanin jam njohur që në momentet e parë që ai ka filluar punën në strukturat e Policisë, pasi kishte mbaruar Akademinë. Jam njohur me të për shkak të punës së përbashkët dhe njohja e miqësia ka ardhur duke u përforcuar çdo ditë. Në atë kohë ai ka qenë pjesë e strukturave të Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe më vonë në Shkodër. Ndërsa unë në atë kohë isha në Drejtorinë e Policisë Kriminale. Në vitin 2003 ne kemi punuar së bashku në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, ku Tani ka qenë shef i Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë së Durrësit. Nga kjo periudhë e deri më sot ne kemi qenë miq të pandarë, saqë unë e kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj si një vëlla timin të vogël. Së bashku kemi punuar edhe në vitin 2009 – 2010 në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku Artani ka qenë zëvendësdrejtor i Policisë për Hetimin e Krimeve. Unë me Tanin takohesha shpesh dhe janë të rralla ditët që ne të mos kemi biseduar në telefon me njëri-tjetrin. Për herë të fundit kam folur me të në telefon në orën 19:45 të ditës së ngjarjes dhe e lamë për t’u takuar pas një ore për të pirë kafe. Por ky takim nuk u bë kurrë, pasi dora kriminale nuk na lejoi.

Si ishte të punonit me Artan Cukun?
Unë Artan Cukun, siç ju thashë, e kam njohur nëpërmes punës. Por e them me bindje se punonjës policie të tillë, me dhunti të jashtëzakonshme në fushën e hetimit të krimit, është vështirë që të gjendet. Artani kishte intuitë dhe orientim të jashtëzakonshëm në ngjarjet kriminale dhe mbi të gjitha kishte vendosmëri dhe zgjuarsi për ta çuar hetimin deri në fund. Jo vetëm unë, por shumë kolegë të mitë mund të evidentojnë me dhjetëra e dhjetëra raste të protagonizmit të Artanit në hetimin dhe zgjidhjen e shumë çështjeve që konsideroheshin të vështira. Artan Cuku ka manifestuar cilësi edhe të një drejtuesi të parametrave shumë të larta, pra edhe si drejtues i organizatës së Policisë. Në kohën që Artan Cuku është emëruar drejtor i Policisë së Vlorës, situata kriminale në këtë rajon ka qenë tejet e rënduar. Kishte shumë vrasje, çdo javë kishte vjedhje bankash, Policia nuk ishte eficiente në kontrollin e territorit, por Tani arriti në një kohë mjaft të shkurtër ta organizojë Policinë dhe të rriste në mënyrë të jashtëzakonshme parametrat e sigurisë dhe të luftës kundër kriminalitetit. Dhe kjo është arritur duke manifestuar rolin e një lideri protagonist, duke i prekur vetë me dorë të gjitha ngjarjet dhe situatat kriminale.

Duke qenë se Artan Cuku ka marrë pjesë në operacione të rrezikshmërisë së lartë, a ka pasur ndonjë moment ku ai ka rrezikuar jetën në krye të detyrës?
Artan Cuku vazhdimisht ka treguar protagonizëm në drejtimin e operacioneve policore. Unë nuk di ndonjë rast që Artani të mos ketë marrë pjesë në operacionet më të rëndësishme të strukturave ku ai ka punuar. Duke filluar që nga Shkodra, në Durrës, në Tropojë, në Berat, në Fier, në Tiranë, në Vlorë etj. Artani ka drejtuar vetë operacione policore për kapjen e personave me rrezikshmëri të theksuar kriminale. E për pasojë, në disa raste ai është rrezikuar në rastet e shkëmbimit të zjarrit me elementë të armatosur. Kujtoj një rast në Tiranë, kur një i sëmurë mendor kishte dhunuar dhe plagosur pjesëtarët e familjes dhe qëndronte në sheshpushimin e katit të pestë të një pallati dhe nuk lejonte që të afrohej asnjë person, se ndryshe do të vetëvritej duke u hedhur nga lartësia. Artan Cuku ka negociuar me të për rreth 4 orë dhe në një moment ka ndërhyrë bashkë me dy kolegë të tjerë për ta shpëtuar dhe për pasojë është plagosur me thikën që i sëmuri mendor mbante si mjet kërcënimi. Por ka edhe mjaft raste të tjera që Artani ka qenë i rrezikuar në operacione të ndryshme policore për arrestimin e autorëve të dyshuar të veprave penale.

Gjatë detyrave që ka ushtruar në Polici, Artan Cuku pati edhe një incident në kohën kur ishte shef Krimesh në Komisariatin nr. 4 të Tiranës, në vitin 2005. Çfarë dini rreth atij incidenti, si është e vërteta?
Në kohën që ka ndodhur ky incident unë kam qenë me një shërbim jashtë vendit, por të nesërmen unë kam folur në telefon me Artanin, i cili ma ka shpjeguar gjithë mekanizmin se si ka ndodhur kjo ngjarje. Dhe po kështu pasi unë jam kthyer, jam takuar me Tanin dhe më ka treguar me detaje për gjithçka kishte ndodhur dhe faktin që ai nuk është autor i kësaj ngjarjeje, por se viktima i kishte marrë pistoletën në një moment pakujdesie dhe ishte vetëvrarë. Artani më ka thënë se megjithëse mund të ketë pasur ndonjë koleg që e ka këshilluar që të largohet dhe t’i shmanget hetimit, ai nuk e ka kryer një veprim të tillë, por është vënë në dispozicion të Prokurorisë, e cila ka kryer hetime të plota dhe të gjithanshme në lidhje me rrethanat dhe faktet mbi incidentin e ndodhur. Bashkëpunimi i Artanit me Prokurorinë për hetimin e këtij incidenti ka qenë i plotë dhe ai ka qenë në dispozicion të grupit hetimor në çdo kohë.

Cili ishte përfundimi i këtij hetimi?
Në përfundim Prokuroria pushoi çështjen në ngarkim të Artan Cukut, pasi rezultoi e provuar se viktima ishte vetëvrarë me armën e Artanit. Përveç hetimit penal, Tani i është nënshtruar edhe hetimit disiplinor dhe për efekt të masave disiplinore ka shërbyer në detyra më të ulëta.

Kjo ishte zgjidhja që i dha ligji, pra prokuroria kësaj çështjeje, nga e cila Artan Cuku u shpall i pafajshëm, por ne dimë që pati edhe një zgjidhje kanunore ky incident. Ju e keni ndjekur këtë histori dhe çfarë mund të na tregoni për bisedimet që janë kryer me familjen e viktimës?
Unë kam mbi 30 vjet që punoj në strukturat e Policisë dhe në pjesën më të madhe të kësaj kohe jam marrë me hetimin e krimeve dhe në mënyrë të veçantë me krimet kundër personit. Asnjëherë në veprimtarinë time nuk kam lejuar që kanuni dhe e drejta zakonore të prevalojë mbi ligjin. Gjithmonë kam nxitur prevalimin e ligjit mbi të drejtën zakonore. Por, për ironi të fatit, unë jam përfshirë drejtpërdrejt në sqarimin sipas të drejtës zakonore të këtij incidenti. Dhe së bashku me njerëz të tjerë kam ndikuar që familjet të bisedojnë dhe të sqarojnë të gjitha pikat e dyshimit në lidhje me ngjarjen e ndodhur. Me sa mbaj mend, në vitin 2007 familja e Artanit kanë bërë be si një instrument i të drejtës zakonore dhe kanë shfajë suar veten edhe moralisht përpara familjes Daka, por edhe para gjithë opinionit publik. Kjo çështje tashmë është konsideruar e sqaruar për të gjitha palët. Në radhë të parë është sqaruar në rrugë ligjore dhe së dyti në rrugë morale.

Megjithatë, një ndër versionet e dyshuara për motivet e vrasjes së Artan Cukut është edhe hakmarrja e mundshme në lidhje me këtë ngjarje, që në fakt ishte sqaruar edhe në rrugë ligjore edhe zakonore. Si e vlerësoni këtë version, apo pistë hetimore le të themi?
Në hetimin e ngjarjeve të kësaj përmase është e natyrshme që ngrihen shumë versione hetimore. Por nëse nga hetimi do të rezultojë se pjesëtarë të familjes Daka janë të përfshirë në kryerjen e këtij krimi, do të jetë një turp i përmasave të jashtëzakonshme dhe një pabesi e paprecedentë, dhe unë nxis strukturat e hetimit që ta sqarojnë në detaje këtë version.

Si një person shumë afër Artan Cukut, që e njihnit mirë dhe që bisedonit për gjithçka, kohët e fundit a ju kishte rënë në sy ndonjë shqetësim i tij, apo ju kishte folur për ndonjë problem që mund të kishte?
Siç ju thashë unë me Artanin takohesha shumë shpesh dhe bisedonim për çdo gjë, por ka shumë kohë që Artani nuk kishte asnjë shqetësim dhe asnjë problem që lidhej me sigurinë e tij. Megjithëse ai punonte me një shoqëri të ruajtjes dhe të sigurisë ku mund të mbante armë në mënyrë të ligjshme, ai nuk mbante armë me vete.

Si specialist i hetimit të krimeve, çfarë dyshoni, pse mund të ketë ndodhur vrasja e Artan Cukut?
Unë jam i bindur që vrasja e Artanit është e lidhur me veprimtarinë që ka kryer si punonjës i Policisë së Shtetit. Duke përfshirë këtu edhe ngjarjen e ndodhur në Komisariatin nr. 4 në vitin 2005. Por të gjitha dyshimet e mia dhe të gjitha informacionet që unë kam në lidhje me këtë ngjarje ia kam bërë prezente grupit hetimor që po merret me hetimin e kësaj çështjeje dhe këtë gjë do të vazhdoj ta bëj edhe në të ardhmen. Përfitoj nga rasti t’iu bëj thirrje të gjithë kolegëve që kanë punuar në vite me Artanin dhe mund të dinë rrethana, apo mund të kenë informacione në lidhje me këtë ngjarje, të informojnë pa vonesa grupin hetimor dhe të ndihmojnë në zbulimin sa më të shpejtë të kësaj ngjarjeje.

A mendoni se iu bë nderimin i duhur Artan Cukut me ceremoninë e homazheve që u zhvillua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës?
Unë mendoj se Drejtoria e Policisë së Shtetit bëri veprimin e duhur në organizimin e ceremonisë mortore për drejtuesin e parë, Artan Cuku. Artan Cuku, së bashku me Arben Zylyftarin, janë drejtuesit më të lartë të Policisë të vrarë në krye të detyrës ose për shkak të detyrës dhe nderimi për këto personalitete duhet të jetë i vazhdueshëm. Në ceremoninë mortore kam parë dhimbje të pafundme nga qindra e qindra kolegë të Artanit. Pjesëmarrja e jashtëzakonshme në këtë ceremoni, megjithëse ditë e diel, tregon për përmasat reale e Artanit. Artan Cuku ka qenë një drejtues Policie me marrëdhënie të jashtëzakonshme me kolegët, por jo vetëm. Ai ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera edhe me prokurorët, edhe me gazetarët. Në ceremoni kanë marrë pjesë shumë e shumë prokurorë e po kështu edhe gazetarë. Humbja e Artan Cukut është një humbje e jashtëzakonshme në radhë të parë për familjen e tij, për vëllezërit, por edhe për shokët e kolegët.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY