Europol konfirmon përjashtimin e palës shqiptare në operacion ndërkombëtar antidrogë, si rezultat i të cilit u godit një grup greko-shqiptarë, prej 17 personash, grup ku dyshohet se është përfshirë edhe Klement Balili.
Europoli ndërsa përgënjeshtron tentativat e krerëve më të lartë të shtetit dhe institucioneve shqiptare, për tu bërë “bashkëpronarë” në këtë operacion, saktëson se operacioni u organizua VETËM, falë bashkëpunimit të Europolit me Belgjikën dhe Greqinë.
“Më 9 maj 2016, 17 persona (11 grekë dhe 6 shqiptarë) nga një rrjet i krimit të organizuar, i implikuar në shkallë të gjerë në trafikun e drogës janë arrestuar në një operacion të koordinuar të udhëhequr nga Greqia dhe të mbështetur nga Belgjika dhe Europol. Rrjeti operonte kryesisht në Greqi dhe dyshohet se ka përfituar miliona euro nga trafikimi i lëndëve narkotike në disa vende të Europës. Sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine janë transportuar nga kompani transporti me bazë në Bullgari dhe Austri. Në ditën e goditjes, një operacion i gjerë është kryer nga policia në Greqi dhe Belgjikë. Kërkimet nëpër banesa rezultuan me kapjen e 698 kg kanabis në Greqi dhe 96.5 kg hashash në Belgjikë. 15 persona janë arrestuar në Greqi dhe 2 në Belgjikë. Hetimit vazhdon dhe arrestime të tjera mund të kryhen së afërmi”, deklaron zyrtarisht Europol.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri më herët kanë tentuar të “trafikonin” kontributin e Policisë shqiptare të Shtetit.
Më 12 maj, dy ditë pas lajmit të goditjes së grupit të narkotrafikantëve, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se Klement Balili ishte i lidhur me Saimir Tahirin dhe drejtues të lartë të policisë, kryeministri Edi Rama deklaroi në parlament se goditja e grupit të narkotrafikut ishte një punë e mirë e policisë së shtetit dhe se opozita po e përdorte politikisht.
Një ditë më parë shefit të tij, Saimir Tahiri ishte përpjekur të shuante dyshimet se ai nuk ishte vënë në dijeni të këtij operacioni.
Jashtë përpjekjeve për të marrë meritat e tij, nuk mbeti as drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haka Çako i cili pohoi plot krenari se bëhej fjalë për një operacion të përbashkët me policinë shqiptare.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/