BLENDI FEVZIU/ A e vështirësoi Gabriel, negocimin në Tiranë?

BLENDI FEVZIU/ A e vështirësoi Gabriel, negocimin në Tiranë?

74
0
Shares
blendi fevziu, vogel

Blendi Fevziu

E ka lënë mënjanë diplomacinë dhe ka folur me tone të ashpra kryediplomati gjerman në Tiranë. Sigmar Gabriel, që mban njëkohësisht postin e zëvendëskancelarit dhe që njihet edhe si një ndër figurat kryesore të Partisë Socialdemokrate ka bërë disa deklarata të paralajmëruara edhe më herët nga disa gazetarë, por që në Tiranë kanë sjellë një situatë të re. I pyetur për protestën e opozitës ai ka deklaruar:
“…Kush bojkoton parlamentin që të pengojë reformën në drejtësi, i bën dëm vendit dhe reputacionit të Shqipërisë.
I bëj apel atyre që e kanë çuar Shqipërinë në udhëkryq. Udhëkryqi është reforma në drejtësi, zbatimi i saj dhe i një rruge më të komplikuar.
Elitat politike dhe ekonomike për shkak të interesave të tyre synojnë ndalimin e rrugës drejt Bashkimit Europian. Çështja është, do vazhdojmë drejt BE-së apo do të vendosim në krye interesat e elitave lokale?
Kush dëshiron të shkojë i sigurt drejt BE, të punojë të konsolidohet ligjet dhe parlamentit. Kush nuk e bën këtë, ai e largon Shqipërinë nga Bashkimi Europian”.
Por kjo nuk ishte deklarata më e fortë e Gabriel. Duke ju referuar kërkesës së opozitës për qeveri teknike ai ka shtuar:
“Askush nuk e kupton në Gjermani dhe në Europë pse pak para zgjedhjeve, kërkohet qeveri teknike, kjo është e pakuptueshme. Interesi kombëtar i një opozite nuk mund të jetë kaosi”.
Deklarata e dytë e Gabriel ka krijuar një lloj ngërçi me atë që pritet të ndodhë javën e ardhshme. Duke ju referuar burimeve tona, në datat 24 apo 25 Prill pritet të vijë në Tiranë David McAllister, një politikan gjerman, anëtar i partisë së Kancelares Merkel. McAllister është ftuar si ndërmjetës për të gjetur një zgjidhje mes palëve, nisur edhe nga fakti që ai është zëvendëspresident i Partive Popullore Europiane dhe Kryetar i Komitetit të Çështjeve Europiane në Parlamentin Europian. McAllister mund të kishte mbërritur në Tiranë më herët, por ai kishte konfirmuar një vizitë pune në Pakistan dhe për këtë arsye vizita në Tiranë u shty për thuajse një javë. Gjatë kësaj jave supozohej të mos kishte zhvillime. Burime të besueshme i kanë thënë opinion.al se McAllister nuk dëshiron që vizita në Tiranë të jetë një përpjekje e pafrytshme. Pra një dështim, apo thjeshtë një vizitë rutinë. Ai do së pari që palët përafrojnë qëndrimet dhe të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme. PD ka deklaruar gjithnjë javët e fundit që ajo ulet në një tryezë vetëm nëse opsioni i Qeverisë teknike është i hapur. Madje Basha ka qenë edhe më konkret kur ka thënë që pranon të flasë vetëm për modalitetet e qeverisë teknike. Por nëse një tjetër gjerman, madje kryediplomati i saj, Gabriel, bën një deklaratë të tillë, duket se negociata mes palëve vështirësohet mjaft. Nëse Gabriel deklaron se Qeveria Teknike është e pakuptueshme për Gjermaninë dhe Europën, ai me gjasë i ka mbyllur një derë ndërmjetësimit të McAllister. Pas kësaj, negocimi do jetë më i vështirë dhe shanset që të dështojë më të mëdha. Madje nuk dihet nëse në këto rrethana ai do ta pranojë rolin e ndërmjetësuesit. Aq më tepër që si Gabriel ashtu edhe McAllister do flasin në emër të Kancelares Merkel.
A kanë rakorduar mes tyre politikanët e Gjermanisë dhe a ka ndonjë ndryshim në orët e fundit?
Vështirë që t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje që duket se do marrë përgjigje vetëm javën e ardhshme!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY