Shtetet e Bashkuara kanë hapur një proces hetimor lidhur me akuzat se dhjetëra sportistë rusë kanë qenë pjesë e një programi dopingu të sponsorizuar nga shteti, njofton gazeta “New York Times”.
Sportistë, zyrtarë të qeverisë ruse, autoritete të agjencive anti-doping dhe persona të tjerë që mund të kenë përfituar nga programi i dopingut janë në shënjestër të hetimeve nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për Distriktin Lindor të Nju Jorkut.
Shtetet e Bashkuara nuk ndërmarrin procese hetimore për doping në sport, por mund të hapin procese të tilla në raste kur akuzat lidhen me konkurrime ndërkombëtare të zhvilluara në SHBA ose kur lidhen me llogari në banka amerikane. Prokurorët kanë të drejtë të hetojnë edhe shtetas të huaj që jetojnë jashtë territorit amerikan, nëse vërtetohet se ata kanë lidhje me shkelje në Shtetet e Bashkuara.
Sipas dy burimeve, që gazeta nuk i identifikon pasi nuk lejohen ta diskutojnë çështjen publikisht, Dr. Grigory Rodchenkov, ish-kreu i laboratorit rus anti-dopingut është një ndër zyrtarët që po hetohen. Ai akuzohet se ka luajtur një rol kyç në programin e dopingut që nxjerr në pah një raport i Agjencisë Botërore Anti-Dopingut i publikuar në nëntor. Që nga dalja e raportit ai ka pranuar se ka ndërruar mostrat e urinës të marra për analiza, në përputhje me udhëzimet e qeverisë ruse. Ai është larguar nga Rusia dhe tani jeton në SHBA.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/