Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti dje përfaqësues të qeverisjes vendore nga Britania e Madhe dhe Kosova për çështjet e inovacionit dhe informimit. Mysafirë të kreut të Bashkisë ishte një delegacion nga Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër, Angli, i përbërë nga drejtori Ekzekutiv, dr. Jonathan Carr-West dhe zyrtari i lartë Operativ, dr. Andy Johnston; si dhe nga drejtori Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Besnik Tahiri.
Kryebashkiaku Mziu u uroi mirëseardhjen miqve nga Britania dhe Kosova. Ai e shfrytëzoi këtë takim për të bërë të njohura disa nga zhvillimet që kanë ndodhur në qytetin dhe Bashkinë e Kamzës vitet e fundit. “Bashkia Kamëz ka disa ditë që ka mbushur 20 vjet, që gëzon statusin Bashki, duke u kthyer nga një zonë bujqësore me një popullsi prej 10.000 banorësh në Bashkinë e 5-të në Shqipëri për nga numri i popullsisë, ku popullsia aktuale i kalon numrin e 150.000 banorë, duke u kthyer në një zonë në 90 % të saj në zonë urbane. Këto ndryshime kanë ardhur pikërisht në periudhën 2007-2015 dhe kjo periudhë përkon dhe me mandatet që unë kam qeverisur qytetin në këto vite, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës me të gjitha elementet përbërëse të saj”, u shpreh Mziu.
Bashkia Kamëz ka organizuar workshope të ndryshme me përfaqësime të qeverisjeve vendore në Shqipëri dhe rajon, duke demonstruar buxhetimin me pjesëmarrje dhe mjaft eksperienca të vlefshme për qeverisjet e tjera vendore.
“Reforma territoriale, theksoi kryebashkiaku Mziu, është një reformë jo e standardeve strukturore, por reformë me një karakter të theksuar politik. Lë për të dëshiruar, për faktin se nuk u mor në konsideratë asnjë komponent që do të bënte të mundur mirëzbatimin e kësaj reforme, nga e cila Kamza është kthyer në një ishull ku kufizohet në 90 % të saj nga njësitë administrative në përbërje të Bashkisë së Tiranës. Kamza mbetet qyteti më i vogël referuar sipërfaqes gjeografike dhe e 5-ta për sa i përket densitetit nga numri i popullsisë. Reforma administrative-territoriale ka krijuar një vakum të thellë ligjor, ku titullari i Bashkisë nuk mund të ushtrojë funksionet e veta për shkak të këtyre vakuumeve”, u shpreh Mziu.
Ai më pas i ka shoqëruar miqtë në mjediset e Bashkisë, ku ata u njohën nga afër me shërbimet dhe funksionimin e kësaj njësie vendore. Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër, Angli, nga data 18 deri më 20 maj 2016, kanë zhvilluar një seri vizitash rajonale (në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni) në institucionet qendrore dhe vendore.
Në Shqipëri delegacioni qëndroi këtë të premte, vizitë e cila kishte për synim të shihte mundësitë e bashkëpunimit dhe përfshirjen në proceset e qeverisjes vendore. Delegacioni i Institutit për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) udhëhiqet nga drejtori Ekzekutiv, dr. Jonathan Carr-West dhe zyrtari i lartë Operativ, dr. Andy Johnston. Ky takim shërben për t’u njohur me sukseset, sfidat dhe mundësitë që ka Republika e Shqipërisë në fushën e qeverisjes lokale. Instituti LGiU ka shprehur gatishmërinë e tyre për të eksploruar mundësi të reja të shtrirjes në Ballkan përmes Institutit KLGI për të kontribuar në qeverisjen e mirë dhe fuqizimin e nivelit lokal.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/