Policia e Kurbinit ka zbardhur dy grabitje këtë të martë duke vënë në pranga edhe autorët përgjegjës. Befasia ka qenë jo e vogël, kur është identifikuar një prej të dyshuarve për grabitje.
Sipas Policisë vendore janë arrestuar tre shtetas që akuzohen se nën kërcënimin e armës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë grabitur një banesë sot në qytetin e Laçit. Gjatë kontrollit në banesën e dy prej tyre, kanë gjetur një femër, e cila ishte shpallur në kërkim për grabitjen e banesës së burrit të saj disa kohë më parë. Ndërsa mësohet se ajo është mbesa e të zotit të shtëpisë që u grabit këtë mëngjes në Fushë Milot. Ajo kishte disa kohë që ishte fshehur në banesën e dy personave, pasi kishte grabitur të shoqin.
Grabitja e sotme
Mëngjesin e ditës së sotme, rreth orës 2.30, Komisariati i Policisë Kurbin ka marrë njoftim se në vendin e quajtur Fushë Milot është vjedhur nën kërcënimin e armës, banesa e shtetases F. B., njoftonte policia vendore.
Autorët kanë hyrë në banesë nga një dritare pasi e kanë thyer atë me mjete rrethanore. Shtetasja F. N., është gjendur përballë me autorët, ndërsa njëri prej të cilëve mbante në dorë një armë automatike.
Nga verifikimet rezulton se autorët, kanë vjedhur një televizor plazma 32 polsh si dhe dy “smartphone”.
Pas analizës së informacionit për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasve Klodian dhe Serxhio Kola, banues në Lagja nr. 4 të qytetit të Laçit, ku u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provave materiale, sendet e vjedhura në banesën e shtetases F. N. specifikisht: një televizor plazma 32 polsh, dy “smartphone”.
Gjatë kontrollit të banesës u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit e kalibrit 9 mm që autorët kanë përdorur në kryerjen e veprës penale si dhe një krehër me 10 copë fishekë të kalibrit 9mm.
Bashkëshortja dhe mbesa grabitëse
Në banesën e këtyre personave, mësohet se është kapur gjithashtu edhe shtetasja Brunilda Brozi (Daçi) e shpallur në kërkim më datë 16. 05. 2016, për vjedhjen e banesës së bashkëshortit të saj B. B.
Kjo shtetase akuzohet për vjedhjen e disa bizhuterive si dhe të një shumë të konsiderueshme parash ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe dyshohet se është strehuar në banesën e shtetasit Serxhio Kola.
Kjo shtetase dyshohet të jetë bashkëpunëtore në vjedhjen e banesës së shtetases F. N., pasi rezulton të jetë e mbesa e shtetases së dëmtuar.
Në lidhje me ngjarjen u bë dokumentimi i plotë i provave dhe u ekzekutua arrestimi në flagrancë i shtetasve, Klodian Kola, 25 vjeç ,banues në Laç, i dënuar më parë për “Vjedhje”; Serxhio Kola, 20 vjeç,banues në Laç, i dënuar më parë për “Vjedhje dhe armëmbajtje pa leje”; Brunilda Brozi (Daçi), 24 vjeçe , banuese në Fushë Milot të Rrethit Kurbin.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprën penale “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 140 dhe 25 të Kodit Penal, ndërsa për shtetasin Serxhio Kola është ngritur edhe akuza “Përkrahje e autorit të krimit”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/