Ish-ministri grek i financës ka shkruar tekstin e një prej këngëve rreth emigracionit që do të jetë pjesë e prezantimit të pazakontë të Shqipërisë në Bienalen e Venecias.
Shqipëria do të prezantohet në ceremoninë e hapjes së Bienales së Venecias të enjten në një mënyrë inovative.
Në vend të prezantimit të artit vizual, Shqipëria do të shfaqë muzikë “isopolifonike” të kënduar nga katër grupe folk me tekst të shkruar nga shqiptarët dhe personalitete të tjera ndërkombëtare.
Organizatorët muaj më parë i kërkuan 10 personaliteteve – poetëve, shkrimtarëve, arkitektëve dhe artistëve – të gjithë me eksperiencë migracioni – të shkruanin tekste rreth emigracionit – çështja qendrore e pavijonit shqiptar gjatë gjashtë muajve të bienales.
Tekstet e tyre janë përkthyer në shqip dhe do të këndohen nga grupet folklorike nga Tirana, Himara, Fieri dhe Vlora duke krijuar këngë të reja folk.
Një nga tekstet e shndërruara në një këngë folk për Shqipërinë është krijuar nga ekonomisti i mirënjohur anti-kursim dhe ish-ministri grek i financës, Yanis Varoufakis.
Një nga kuratorët e pavijonit shqiptar, arkitekti amerikan Simon Battisti, i tha BIRN se teksti i Varoufakis ishte shumë personal.
“Në tekst ai tregon historinë e tij të të qenët larg shtëpisë dhe i ndarë nga vajza, që jeton larg prej tij,” theksoi ai.
“Në rastet e tjera, kemi tekste më të përgjithshme rreth migracionit, si rasati i poetit Etel Adnan, i cili tregon anën emocionale të të qenët larg nga një person i dashur”, tha ai.
Projekti që Shqipëria po prezanton quhet “Të Kam Lënë Malin”, dhe synon që përmes temës së largimit dhe migracionit, dy fenomene mbizotëruese përgjatë historisë shqiptare, të kujtojë vendet dhe humbjet njerëzore.
“Në Bienalen Arkitekturore, ecën përgjatë korridoreve dhe sheh ndërtesa dhe foto të qyteteve, por ne donim që për një herë të vetme të eksploronim anën emocionale të fenomenit fizik të zhvendosjes, që është shumë i pranishëm në Shqipëri”, tha Battisti.
Nga ana tjetër, Battisti thotë se projekti shqiptar donte gjithashtu të bënte një kontribut në çështjen më të gjerë të migracionit, që është tani një problem madhor kudo në Europë.
Këngët gjatë bienales do të luhen nga autoporlantë ku do të krijohet një njëzëshmëri prej tetë kanalesh, për t’i dhënë dëgjuesve një shije të isopolifonisë tradicionale shqiptare, e përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO.
Prezantimi i Shqipërisë në bienale sponsorizohet nga Ministria Shqiptare e Kulturës dhe projekti u përzgjodh nga një thirrje e hapur për propozime në fund të vitit të shkuar.
Pavijoni shqiptar do të hapet të enjten dhe do të qëndrojë i hapur për gjashtë muajt e ardhshëm.
Autor: Fatjona Mejdini
BIRN
Tiranë
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/