Nishani në takim me Aktivistë Civilë: Të konsolidojmë mekanizmat ligjorë për garantimin...

Nishani në takim me Aktivistë Civilë: Të konsolidojmë mekanizmat ligjorë për garantimin e të drejtave

70
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot me kërkesën e tyre një grup aktivistësh civilë, me të cilët zhvilloi një takim pune rreth problemeve akute të mjedisit dhe çështjeve të tjera që shqetësojnë qytetarët dhe mbarë shoqërinë shqiptare.


Aktivistët civilë, të cilët janë personalitete të spikatura në fushat e tyre përkatëse të ekspertizës, pasi falënderuan Kreun e Shtetit për gatishmërinë dhe vullnetin për t’i pritur dhe shkëmbyer me ta mendime dhe pikëpamje rreth problemeve aktuale të shoqërisë shqiptare, ngritën disa çështje problematike si: papërputhshmëria e vendimeve arbitrare me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, moskonsultimi paraprak me ekspertë dhe me komunitetin për projekte apo ligje që bëhen në emër të të gjithë qytetarëve dhe që ndikojnë në jetën e përditshme duke u cenuar interesat dhe cilësinë e jetës, apo edhe arroganca e theksuar e pushtetarëve të zgjedhur, etj.

Aktivistët civilë paraqitën shqetësimin e veçantë për “betonizimin e lirisë, përveç betonizimit të parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, si dhe për “fjalorin jashtë çdo etike që përdoret nga njerëzit e veshur me pushtet duke goditur përditë qytetarinë shqiptare”, duke i kërkuar Kreut të Shtetit si garant i Kushtetutës dhe unitetit të popullit, të përcjellë zërin dhe shqetësimet e tyre pranë institucioneve më të larta të Republikës.

Njëkohësisht ata vunë në dukje se, duke pasur parasysh zhvillimet e kohëve të fundit, tashmë është krijuar një përballje ku Presidenti dhe qytetarët janë dhe qëndrojnë fort në anën e kushtetueshmërisë në mbrojtje të thelbit të shtetit të së drejtës, të përfaqësimit sa më të ligjshëm e të moralshëm të interesave të popullit dhe të garantimit të të gjitha të drejtave të tyre.

Nga ana e Tij, Presidenti i Republikës, pasi dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe problemet e ngritura nga aktivistët civilë, shprehu edhe njëherë gatishmërinë personale dhe institucionale se do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve, pa dallim dhe në mënyrë të paanshme.

Presidenti Nishani vuri në dukje nevojën e domosdoshme të: “konsolidimit të mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për garantimin e të gjitha të drejtave tona”, duke i informuar gjithashtu të pranishmit se ka kërkuar në mënyrë institucionale një hetim të pavarur e të paanshëm ndërkombëtar të ndërtimit në parkun e Liqenit artificial të Tiranës, në respekt dhe zbatim të Konventës së Aarhusit, nënshkruese e së cilës është edhe vendi ynë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY