Prokurorët që po hetojnë çështjen e përgjimeve të dyshuara me pajisjen “IMSI Catcher” kanë hartuar një letërporosi drejtuar palës italiane.Me anë të letërporosisë, e cila pritet të dërgohet në rrugë procedurale në Itali, Prokuroria kërkon këqyrjen e pajisjes, e cila mendohet se ka hyrë në vendin tonë në mars 2016.
Letërporosia për në Itali është hartuar nga grupi i hetimit për arsye se Prokuroria e ka pasur të pamundur deri në këtë moment të këqyrë apo ekspertojë pajisjen e dyshuar. Sipas Prokurorisë, në situatën kur është regjistruar procedimi penal dhe hetuesve nuk u është mundësuar ta këqyrin pajisjen, ka dy rrugë procedurale.
E para është që autoritetet italiane të urdhërojnë misionin Interforce që t’ia dorëzojë pajisjen Prokurorisë shqiptare dhe e dyta, që është më e mundshme, është që policë gjyqësorë nga Italia të vijnë në Shqipëri dhe në prani të hetuesve shqiptarë, ose veçmas, të ekspertojnë pajisjen. Më pas ata mund t’ua bëjnë prezente me aktekspertime hetuesve shqiptarë rezultatin e veprimeve të tyre verifikuese me kompjuterin qendror të “IMSI Catcher”. Sipas ekspertëve të fushës, sido që të ndodhë, vlera dhe besueshmëria e aktekspertimit është dëmtuar për shkak se hetimi ka nisur prej më se dy javësh dhe pajisja ende nuk është në duart e Prokurorisë.
PAJISJA
Pas hyrjes së saj në Shqipëri nga Porti i Durrësit, mendohet se pajisja është dërguar në Vlorë e më pas është sjellë në Tiranë. Prokuroria regjistroi procedim penal për “shpërdorim detyre” për faktin se nuk ishte zbatuar ligji në futjen e pajisjes në fjalë në vendin tonë. Ditën e parë të hetimit, Prokuroria shkoi në zyrat e Policisë dhe kërkoi këqyrjen e pajisjes, por Policia shqiptare ktheu përgjigjen se pajisja ishte në administrim të misionit Interforce. Prokuroria i kërkoi të dhëna këtij misioni të shtetit italian në Shqipëri, në lidhje me pajisjen dhe po ashtu kërkoi që grupi i hetimit të bënte këqyrjen dhe ekzaminimin e saj. Por, për gati dy javë, organi i akuzës nuk mori asnjë nga përgjigjet që kërkoi. Ndërkohë që përgjigjja nuk vinte, në adresë të Prokurorisë në datën 17 maj mbërriti një letër e ishdrejtorit të Policisë italiane, Alessandro Pansa, ku ai jepte disa të dhëna për hyrjen e pajisjes në Shqipëri dhe përdorimin e saj për trajnimin e efektvëve shqiptarë.
LETËRPOROSIA
Për shkak se letra e ish-kryepolicit italian ishte pa datë, pa vulë dhe pa firmë, por një dokument krejt i zakonshëm, që shoqërohej vetëm nga një letër përcjellëse e ambasadorit të Italisë në Tiranë, Prokuroria nuk e konsideroi si provë. Për këtë arsye, grupi i hetimit qëndroi në pritje të informacionit të kërkuar nga misioni Interforce dhe gjatë kësaj kohe, mori në pyetje zyrtarët e Policisë shqiptare. Në Prokurori dhanë dëshmitë e tyre drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, zv.drejtori Ardian Çipa dhe zyrtarë të tjerë. Në vazhdim u morën në pyetje specialistë dhe efektivë të Policisë që kanë marrë pjesë në trajnimet e kryera me pajisjen që dyshohet se është përdorur për kryerje përgjimesh të paligjshme./ Panorama
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/