Basha: Nuk pranojmë asgjë më shumë dhe asgjë më pak se paragrafi...

Basha: Nuk pranojmë asgjë më shumë dhe asgjë më pak se paragrafi 88 i Komisionit të Venecias

63
0
Shares

“Nuk pranojmë asgjë më shumë dhe asgjë më pak se paragrafi 88 i Komisionit të Venecias”.
Ky ka qenë qëndrimi përfundimtar i Lulzim Bashës, i shprehur sot para medieve, pas takimit me kreun e LSI-së, kryeparlamentarin Ilir Meta.
Duke garantuar edhe një herë, mbështetjen për reformën në drejtësi, Basha ka ripërsëritur se është mazhoranca ajo që nuk ka pranuar kompromisin, në bazë edhe të rekomandimeve e propozimeve të Komisionit të Venecias dhe ndërkombëtarëve.
Sipas Bashës, Rama nuk e do kompromisin, sepse do kapjen politike të institucioneve të drejtësisë.
“PD mbështet fuqishëm reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi të dënojë korrupsionin. Por Edi Rama nuk pranon formulën e zgjedhjes së institucioneve. Kompromisi nuk është pranuar nga shumica. Nga ana jonë, parakusht është moskapja e drejtësisë nga politika. Sipas propozimit aktual të mazhorancës, institucionet do të enë të kapura nga shumica.
Takimi i sotëm pati një vlerë, jo sa për sy e faqe , por për të vlerësuar rrugëdaljet. Ripërsëris angazhim të menjëhershëm për gjetjen e një zgjidhje për atë që na ndan deri tani. Jam i hapur e dialogues për reformën në drejtësi. Qëndrimi ynë në mbështetje të rekomandimeve të Venecias, dhe propozimeve të ndërkombëtarëve. Pse nuk pranojmë zgjidhjen sipas Komisionit të Venecias. Nuk pranojmë asgjë më shumë dhe asgjë më pak se paragrafi 88 i Komisionit të Venecias”, u shpreh më tej Basha i cili ka lexuar edhe një herë këtë rekomandim.

 

 

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës

“Nuk kërkojmë asgjë më shumë, nuk pranojmë asgjë më pak se rekomandimi 88 i Opinionit Final të Komisionit të Venecias”

lulzim basha, podium pdMirëdita të nderuar përfaqësues të medias,
Të dashur bashkëqytetarë,
Ditën e sotme u takova me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht bashkëkryetarin e maxhorancës qeverisëse, kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, z Ilir Meta me ftesë të këtij të fundit,  për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të Reformës në Drejtësi. Ashtu sikundër në takimin që pata të hënën me Kryeministrin Edi Rama, shpjegova qartësisht qëndrimin e Partisë Demokratike i cili ka qenë dhe mbetet i pandryshuar që prej ditës së parë që u nisën përpjekjet për Reformën në Drejtësi. Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht Reformën në Drejtësi që do të pastrojë drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe do ta bëjë atë të aftë tu japë drejtësi qytetarëve shqiptarë por edhe të ndëshkojë dhe jo të mbrojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.
Parakusht për këtë dhe i vetmi kusht ka qenë, mbetet dhe do të mbetet në jetë të jetëve, moskapja politike e sistemit të drejtësisë. Dhe më lejoni, të dashur qytetarë, t’ju pyes përmes kësaj konference për shtyp; a keni besim në një drejtësi ku institucionet e reja do të zotërohen të gjitha nga një palë e vetme politikë?!  Se a do të jetë drejtësia që do tu shërbejë halleve dhe problemeve tuaja sipas ligjit?! Se a do të jetë drejtësia që do të ndëshkojë qeveritarët e korruptuar ?! Që do të hetojë e verë para përgjegjësisë ata që vjedhin e bëjnë rrush e kumbulla paratë e taksapaguesve shqiptarë me tendera të korruptuar, në tatime, në dogana ?! Se një drejtësi e kapur politikisht nga njëra palë do të luftojë krimin që është bërë njësh me pushtetin, nga zyra më e lartë e Republikës së Shqipërisë, Parlamenti, e deri tek postet drejtuese në administratë, kryetarë bashkish, polici, tatime, dogana?!
Pavarësisht nëse jeni socialiste apo demokratë, apo me bindje të tjera politike, e di se përgjigja është “jo”. Një sistem i tillë do të jetë shumë më i keq. Shqipëria nuk meriton një drejtësi të kapur politikisht, ndaj dhe Partia Demokratike është investuar që prej ditës së parë për të shmangur pikërisht këtë, kapjen politike të drejtësisë.
Me insistim tonë në këtë proces,  u investua Komisioni i Venecias, ose siç i themi shkurt Venecia, institucioni në Këshillin e Europës që është përgjegjës për të gjithë mbarëvajtjen e proceseve të detyrimit të rishikimit të Kushtetutave dhe sistemeve të drejtësisë anembanë Europës duke përfshirë madje edhe vende të Bashkimit Europian dhe vendet perëndimore. Ishte insistimi ynë që Venecia të ishte garanti, arbitri i një reforme në drejtësi që lufton dhe nuk mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Zonja dhe zotërinj, të dashur bashkëqytetarë,
Venecia ka folur qartë. Në opinionin e saj të ndërmjetëm dhe në opinionin e saj final ka dhënë formulën se si garantohet moskapja politike e sistemit të drejtësisë. Dhe Partia Demokratike prej shkurtit, siç bëmë të ditur nga kjo sallë të mërkurën e javës që po lëmë pas, e ka pranuar këtë zgjidhje qe ka po kështu edhe bekimin e OPDAT dhe EURALIUS, siç u demonstrua qartë këtu edhe nga komunikimi shkresor që kjo parti ka pasur me këto dy partnerë në reformën për drejtësi. Për Partinë Demokratike, në stadin aktual të draftit të ndryshimeve kushtetuese, kjo është e vetmja çështje që ndan palët dhe në këtë çështje Partia Demokratike, opozita shqiptare, unë si kryetar i saj e kemi thënë qartë dhe e kam përsëritur të hënën. Jemi gati ta mbyllim këtë kapitull e të nisim me punën që na pret me 5 apo 7 ligjet e tjera që po kështu duhen miratuar me të njëjtën paketë, mundësisht brenda këtij sesioni parlamentar. Asnjë alibi, asnjë vonesë, asnjë taktikë për të zvarritur këtë proces nuk ka bërë Partia Demokratike. Kemi kërkuar një zgjidhje jo tonën por të ofruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian dhe të konsakruar nga Komisioni i Venecias si një zgjidhje e përshtatshme për të shmangur kapjen politike të sistemit.
Pata rastin ti shpjegoj edhe sot bashkëkryetarit të maxhorancës, kryetarit të Kuvendit z Ilir Meta, i cili më kërkoi ndjesë për incidentin e turpshëm të futjes në kalendarin e punimeve në mënyrë të paligjshme të Reformës në Drejtësi si një akt kriminal në kuptimin e falsifikimit dhe një akt kriminal në kuptimin e detyrimit të shqiptarëve të pranojnë pa konsensus, pa garanci një proces që do miratonte në mënyrë të njëanshme dhe me vota të trafikuara një draft të parakorduar dhe jashtë standardeve. Unë e pranoj ndjesën e kryetarit të Kuvendit por sot e gjithë ditën unë jam i bindur se ky ishte një akt politik i shëmtuar i një tentative të turpshme për të deligjitimuar Reformën në Drejtësi. Sikundër, i përsërita në takim,  vendimin tonë tashmë të konsoliduar se nëse kërkohet bashkëbisedim, negocim, vullnet për të gjetur një zgjidhje të përbashkët gjithmonë në përputhje me Komisionin e Venecias, Partia Demokratike ka pasur dhe vazhdon të ketë vullnet çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, edhe të dielën, edhe ditën e ditëlindjes time. Sepse kjo është shumë e rëndësishme se një individ apo se një parti politike.
Por që të jetë produkti që kërkon çdo shqiptar duhet me patjetër të përputhet me opinionin final të Komisionit të Venecias dhe për këtë çështje ja çfarë thotë Komisioni i Venecias:
“Paragrafi 88.
Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare që t’i kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme:
– Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes”.
E zezë mbi të bardhë. Ky është arbitri. Për këtë kemi rënë dakord. Ky është autoriteti suprem mbi çdo autoritet tjetër europian apo global për ndryshimet kushtetuese në çdo vend anëtar të Këshillit të Europës. Arbitri ka folur. Partia Demokratike ka zgjedhur, e ka pranuar. Ajo që nuk e ka pranuar është maxhoranca. Ai që nuk e ka pranuar është kryeministri dhe sot e gjithë ditën barra e përgjegjësise për mosavancimin në fazën tjetër të Reformës në Drejtësi që ka të bëjë me rakordimin e ligjeve, nuk është me atë që ka pranuar çfarë i ka servirur partneri ndërkombëtar SHBA, BE, dhe çfarë ka sanksionuar Venecia, por është me atë që nuk e ka pranuar. Kaq e thjeshtë është. Të tjerat janë lojëra politike. Lojëra politike bizantine për të mos thënë ballkanase. Me gjithë respektin për këtë gadishull, me dashurinë e madhe që kam për traditën e moçme shqiptare, unë i përkas një formimi perëndimor. Dhe në bazë të këtij formimi perëndimor dua ti them sot çdo shqiptari që Lulzim Basha, siç e keni njohur në këto 10 vite, është dhe do të mbetet një person konstruktiv, i hapur, dialogues, negociues, i gatshëm për çdo kompromis në bazë të arsyes dhe përgjegjësisë që ka marrë përballë shqiptarëve. Por jam totalisht i vendosur për të mos bërë asnjë kompromis mbi parimet që garantojnë moskapjen politike të drejtësisë, parime që nuk i kam shpallur unë por Komisioni i Venecias.
Ndaj, mund të them se takimi i sotëm pati një vlerë si çdo dialog që bëhet jo për sy e faqe por për të kërkuar mbi të vërtetën, rrugët e daljes, rrugët e zgjidhjes. Këtu vlerësoj posaçërisht qëndrimin për një reformë përmes një procesi legjitim. Si mund të shkohet në Europë, kush mendon se Europa mund ti hapë dyert një vendi nga parlamenti i të cilit së pari përjashtohet opozita dhe pastaj trafikohen mandatet?! Aq më shumë në këtë parlament që ka marrë damkën e kriminalizimit nga kjo maxhorancë. Kjo është një gënjeshtër e madhe dhe në kurriz të shqiptarëve.
Ndaj sot duke shprehur vlerësimin për këtë qëndrim të një procesi legjitim, unë përsëris edhe njëherë thirrjen për angazhim të menjëhershëm, që sot, nesër, kurdoherë që pala tjetër të jetë e gatshme, për të finalizuar të vetmen pikë që na ndan në miratimin në parim të draftit kushtetues, atë të zgjedhjes së organeve të reja të drejtësisë. Qëndrimi ynë mbështetet në rekomandimet e Komisionit të Venecias në opinionin final të tij. Qëndrimi ynë është përqafimi i zgjidhjes së ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Sa na takon ne, e kemi thënë fjalën tonë.
Nëse pala tjetër, nuk do ta kapë politikisht drejtësinë, – siç mendon sot e gjithë ditën jo vetem çdo demokrat përfshirë kryetarin e tyre dhe çdo opozitar, por jam i sigurt një shumicë shqiptarësh, – për ta vënë në shërbim të shullazëve, habilajve, kokëdhimave, për ta vënë në shërbim të spastrimit të dosjeve të korrupsionit nga CEZ tek aferat e tjera me koncensionet; nëse me vërtet duan një gjyqësor të pastër nga korrupsioni që mund të hetojnë pa ndikim politik atëherë pse nuk e pranojnë zgjidhjen e ofruar nga Komisioni i Venecias?! Nëse përgjigja në kokën time është e njëjtë siç është në kokën tuaj: sepse duan ta kapin politikisht, – atëherë ju përsëris sot se Partia Demokratike nuk ka për të qenë kurrë pjese e atij procesi dhe do ti kundërvihet me çdo mjet e me çdo forcë demokratike si një tentativë për të varrosur republikën e rrënuar nga krimi dhe korrupsioni. Por nëse duan ti provojnë shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar se kjo nuk është axhenda e tyre, bujrum zotërinj të qeverisë, zgjidhjen e keni gati. Venecia ua ka dhënë, ne e kemi pranuar, mbeteni të thoni po vetëm ju.
Korrupsioni në drejtësi është pasojë, produkt, dhe jo shkak i korrupsionit politik ndaj dhe paralelisht me Reformën në Drejtësi në Kuvendit e Shqipërisë minimalisht ne te njëjtën seancë, por shpresoj dhe besoj më përpara duhet të miratohen edhe dy propozimet tona për votimin elektronik, biometrik dhe numërimin elektronik. Për këtë çështje, të dy, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit janë shprehur në parim dakord. Ne dhe ekspertët po përpunojmë draftin dhe në rast të një rakordimi për Reformën në Drejtësi, pres që palët bashkarisht të kalojnë edhe këtë amendament të rëndësishëm që ti japë fund procesit të turpshëm të vjedhjes të votës, dhe manipulimit të numërimit dhe tu japë shqiptarëve demokracinë që meritojnë e që te zgjedhin me votën e tyre të pandikuar në mënyrë kriminale e të pamanipuluar në procese numërimi të kontestuara.
Këto janë çështjet që diskutova sot me kryetarin e Kuvendit. Uroj dhe shpresoj që të jetë qartësuar edhe ai për sa i përket qëndrimeve tona dhe që të përpiqet veç e veç dhe së bashku me ortakun e tij në qeverisje të ngrihet në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë dhe faktorit ndërkombëtar. Se ku e kanë opozitën e vendit, e kanë fare të qartë. Fuqimisht në mbështetje të rekomandimit numër 88 të Opinionit Final të Venecias. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, nuk pranojmë asgjë më pak.
Faleminderit!

Rekomandimi Nr. 88 i Komisionit të Venecias


kv_copy_1Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare që t’i kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme:
• Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes;
• Projekt ndryshimet duhet të specifikojnë metodën e emërimit të Kryeprokuror it të Posaçëm dhe mekanizmat e llogaridhënies nga ana e tij/saj;
• Mandati i organeve vlerësuese (KPK dhe DHSK) duhet të shkurtohet ndjeshëm; gjyqtarët e DHSK në përfundim të mandatit të tyre duhet të përfshihen automatikisht në gjyqësor;
• Gjyqtarët dhe prokurorët në proces vlerësimi duhet të kenë të drejtë të ankimojnë në GJK për shkeljen e të drejtave të tyre themelore, me disa përjashtime të arsyeshme të diktuara nga domosdoshmëria e procesit të vlerësimit.
• Kompetencat  e  vëzhguesve  ndërkombëtar  duhet  të  qartësohen;  ata  duhet  të  kenë  të  drejta procedurale, por jo kompetenca vendim-marrëse. Mekanizmi i transferimit të juridiksionit mbi çështjen nga një panel/dhomë tek një tjetër duhet të rishikohet.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY