Ne foto, flamuri irredentist grek i ngritur ne ndeshjen nderkombetare Greqi-Mali i Zi
Shoqata „Çamëria“ deklaroi sot se ndjek me habi protestat e ndërmarra nga qeveria greke për banderolën e vendosur në ndeshjen Shqipëri-Zvicër për përkujtimin e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, protesta të ndërmarra nga një shtet që irredentizmin e ka shfaqur haptazi në ndeshje ndërkombëtare. Në Stadiumin “Gjeorgjios Karaiskaqis”, Athinë, në ndeshjen miqësore midis Greqisë dhe Malit të Zi, më 24 Mars 2016, anëtarët e shoqatës ekstremiste “Autonomia e Vorio Epirit 1914”, shpalosën flamurin e aneksimit të jugut të Shqipërisë si njihet Autonomia e Vorio Epirit.
Këto dy ngjarje nuk janë të njëjta. Në rastin e parë kemi një banderolë për përkujtimin e një genocidi, në një krahinë gjeografike si Çamëria, në tribunat e tifozëve zvicerianë, në një ndeshje ku organizatorë ishte UEFA dhe siguria garantohej nga qeveria franceze. Në rastin e dytë kemi të bëjmë me një flamur politik, të një zonë irredentiste si „Vorio-Epiri“, në një ndeshje ku organizatore ishte Federata Greke e Futbollit dhe siguria garantohej nga qeveria greke. Termi „Çamëri“ ka qenë ekzistent përherë edhe në dokumentet shtetërore greke, si një trevë gjeografike që është e ndarë në dy shtete. Ndërsa termi „Vorio Epir“ është shpikur në vitin 1913 për të gjitha trevat e shtetit shqiptar që Greqia tentonte t’i aneksonte.
Për këtë arsye, i bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit të ndjekë hapa më të forta për ndëshkimin dhe përjashtimin nga garat ndërkombëtare të organizatorëve të ndeshjes Greqi-Mali i Zi për përhapje të tendencave irredentiste dhe mosgarantim të sigurisë. Ministria e Jashtme le të veprojë me reciprocitet: konsulli shqiptar në Gjenevë të protestojë pranë UEFA-s dhe personalisht ministri Bushati të dorëzojë notë proteste ndaj qeverisë greke për këtë akt të paprecedentë. Në këto 25 vjet, Ministria jonë e Jashtme është kthyer në një zyrë pranimi notash proteste nga fqinjët, me qindra nota proteste të drejtuara ndaj nesh nga Greqia dhe Serbia dhe asnjë notë proteste të drejtuar nga ne drejt tyre. Është rasti që në këtë shkelje flagrante të veprojë menjëherë.
Po ashtu, shoqata „Çamëria“ i bën thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit të kërkojë ndëshkimin maksimal të organizatorëve të ndeshjes Greqi-Mal i Zi, me përjashtimin e përfaqësueses greke nga ndeshjet ndërkombëtare.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/